<b></b> Ukraina pritet ta marrë përkrahjen nga BE-ja për statusin e kandidates

Ukraina pritet ta marrë përkrahjen nga BE-ja për statusin e kandidates

23.06.2022 08:13

Ukrainës pritet që t’i miratohet kërkesa për statusin e kandidates për anëtarësim në BE në një samit që mbahet të enjten në Bruksel. Dritën e gjelbër për këtë synim vendit të goditur nga lufta tashmë ia ka dhënë Komisioni Evropian.

Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE disa ditë pas fillimit të pushtimit rus në shkurt dhe procesi është zhvilluar me shpejtësi rekorde nga ajo kohë.

Ambasadori ukrainas në BE i tha televizionit “BBC” se miratimi nga udhëheqësit e BE-së do të ishte shtytje psikologjike për ukrainasit, por Vsevolod Chentsov pranoi se “integrimi i vërtetë” mund të fillojë vetëm pas përfundimit të luftës.

Statusi i kandidatit është hapi i parë zyrtar për një shtet drejt anëtarësimit në BE dhe Franca tha këtë javë se për Ukrainën ka “konsensus total”. Megjithatë, procesi i anëtarësimit mund të zgjasë shumë vjet dhe nuk ka garanci për sukses.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Serbia, janë kandidate me vite, në disa raste për më shumë se një dekadë. Bosnja dhe Hercegovina ka aplikuar për statusin e vendit kandidat më 2016, por ende nuk ka arritur sukses.

Disa shtete të BE-së e kanë përkrahur kandidaturën e Ukrainës, me kusht që të vendosen kushte para fillimit të negociatave për anëtarësim, përfshirë reformat në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër korrupsionit.

Një numër diplomatësh në BE kanë shprehur shqetësim se dhënia e statusit të vendit kandidat do të mund t’i jepte Ukrainës shpresë të rreme. Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha në maj se e ardhmja e anëtarësimit është me dekada larg, ndërsa sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të zgjasë me vite./Nacionale

Tjera nga autori:
1