<b></b> Ukraina raporton 15 mijë krime të dyshuara të luftës, në listë ushtarakë e politikanë

Ukraina raporton 15 mijë krime të dyshuara të luftës, në listë ushtarakë e politikanë

31.05.2022 23:07

Kryeprokurorja e Ukrainës, Iryna Venediktova ka njoftuar se që nga fillimi i luftës janë raportuar rreth 15,000 krime të dyshuara lufte.

Venediktova u tha gazetarëve se janë identifikuar rreth 600 të dyshuar dhe kanë nisur 80 ndjekje penale.

Ajo shtoi se në listën e të dyshuarvve përfshihen ushtarakë të lartë, politikanë dhe agjentë propagandistikë të Rusisë.

Deri më tani Rusia ka mohuar se është përfshirë në krime lufte apo se ka shënjestruar civilët.

Çfarë është një krim lufte?

Nga 15,000 krimet e supozuara të luftës, Veneditkova tha se disa mijëra ishin identifikuar në rajonin lindor të Donbasit - skenë e luftimeve të ashpra midis trupave ruse dhe ukrainase.

Krimet e supozuara të luftës në rajon përfshijnë transferimin e mundshëm me forcë të njerëzve - përfshirë rastet e të rriturve dhe fëmijëve për në pjesë të ndryshme të Rusisë, tortura, vrasje e civilëve dhe shkatërrim i infrastrukturës civile.

Agjencia e lajmeve AFP ka raportuar se Venediktova është shprehur se megjithëse autoritetet ukrainase nuk kanë qasje në zonat e kontrolluara nga Rusia, hetimet në lidhje me rajonin lindor kanë filluar dhe ata po intervistojnë të evakuuarit dhe të burgosurit e luftës.

Venediktova po ashtu njoftoi se në përpjekjet hetimore pas Polonisë dhe Lituanisë, janë bashkuar edhe Estonia, Letonia dhe Sllovakia. Ndërkohë, për të ndihmuar në hetime edhe Gjykata Ndërkombëtare Penale ka dërguar ekipin e saj më të madh të hetuesve në Ukrainë.

Njoftimet e reja vijnë pas burgosjes së dy ushtarëve rusë të martën të cilët u dënuan me nga 11 vjet e gjysmë burg, për granatime të zonave civile. Ndërsa, kujtojmë se i burgosuri i parë rus që do të gjykohet në Ukrainë është Vadim Shishimarin, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e një civili të paarmatosur.

Tjera nga autori:
1