<b></b> Ushtari rus dënohet me burgim të përjetshëm për krime lufte

Ushtari rus dënohet me burgim të përjetshëm për krime lufte

23.05.2022 14:13

Një gjykatë në Ukrainë ka dënuar me burgim të përjetshëm një komandant rus tankesh për vrasjen e një civili.  Pocesi gjyqësor i zhvilluar sot ishte i pari për krime lufte të kryera gjatë pushtimit.

Ushtari i kapur, Vadim Shishimarin, u dënua për vrasjen e Oleksandr Shelipov, 62 vjeç, në fshatin veri-lindor të Chupakhivka më 28 shkurt.

Ai pranoi se kishte qëlluar z. Shelipov, por tha se kishte vepruar sipas urdhrave dhe kërkoi falje nga e veja e tij.

Shumë krime të tjera të dyshuara lufte po hetohen nga Ukraina.

Moska ka mohuar që trupat e saj të kenë shënjestruar civilët gjatë pushtimit, pavarësisht nga një mori provash që dëshmojnë të kundërtën, ndërsa Ukraina thotë se mund të kenë ndodhur më shumë se 11,000 krime.

Moska tha më herët të hënën se ishte e shqetësuar për fatin e ushtarit rus dhe do të shikonte opsionet për ta mbrojtur atë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, megjithatë vuri në dukje se Rusia "nuk kishte kapacitetin për të mbrojtur personalisht interesat e tij". Ambasada e Rusisë në Kiev aktualisht është e mbyllur.

Duke shqiptuar dënimin e përjetshëm, gjykatësi Serhiy Agafonov tha se Shishimarin kishte kryer një "urdhër penal" nga një ushtar i rangut më të lartë.

"Duke pasur parasysh se krimi i kryer është një krim kundër paqes, sigurisë, njerëzimit dhe rendit juridik ndërkombëtar... gjykata nuk sheh mundësinë e shqiptimit të një dënimi [më të shkurtër] me burgim," shkruan agjencia e lajmeve Reuters.

Shishimarin, i veshur me një xhup blu dhe gri me kapuç, shikoi në heshtje procedurat nga një kuti xhami e përforcuar në sallën e gjyqit dhe nuk tregoi asnjë emocion teksa lexohej vendimi.

Avokati i tij tha se do të apelohet kundër vendimit.

Shishimarin, 21 vjeç, shërbeu në divizionin e tankeve, Kantemirovskaya.

Tjera nga autori:
1