<b></b> Krimet e luftës në Ukrainë, ushtari rus pranon fajin për vrasjen e një civili të paarmatosur

Krimet e luftës në Ukrainë, ushtari rus pranon fajin për vrasjen e një civili të paarmatosur

18.05.2022 18:31

Në gjyqin e parë të krijuar për krimet e luftës në Ukrainë, një ushtar rus 21 vjeç është deklaruar fajtor për vrasjen e një civili të paarmatosur.

Vadim Shishimarin pranoi se kishte qëlluar një 62-vjeçar disa ditë pas fillimit të pushtimit. Ai përballet me burg të përjetshëm.

Sipas BBC-së, i burgosuri  ishte sjellë në sallën e gjyqit në Kiev me pranga, i rrethuar me roje të armatosura rëndë, dhe dukej nervoz e me kokë të ulur.

Ndërsa, vetëm pak metra larg tij ishte ulur edhe e veja të vrarit.

Ajo ndërsa pa ushtarin të hynte në gjykatë, fshinte lotët e më pas u ul duke shtrënguar duart ndërsa prokurori parashtronte çështjen, duke përshkruar edhe momentin e vrasjes së burrit të saj.

"A e pranoni fajin tuaj?" pyeti gjyqtari. "Po," u përgjigj Shishimarin.

"Plotësisht?" "Po," u përgjigj ai qetësisht nga pas xhamit të kafazit të tij gri prej metali dhe qelqi.

Prokurorët thonë se Shishimarin komandonte një njësi në një divizion tankesh në kohën kur kolona e tij ishte sulmuar.

Më pas ai bashkë me katër ushtarë të tjerë, kishin vjedhur një makinë dhe ndërsa po udhëtonin pranë Chupakhivka ishin ndeshur me 62 vjeçarin që po ngiste një biçikletë.

Sipas prokurorëve, Shishimarin u urdhërua të vriste civilin dhe ai e vrau duke përdorur një armë kallashnikov.

Më herët Kremlini ishte deklaruar se nuk ka informacion për këtë rast.

Kateryna, e veja e 62-vjeçarit, përpara se të largohej nga gjykata, foli për BBC-në.

“Më vjen shumë keq për të [Shishimarin]”, tha ajo. "Por për një krim të tillë - nuk mund ta fal."

Deri më tani, Ukraina ka identifikuar më shumë se 10,000 krime të mundshme lufte të kryera nga Rusia.

Kryeprokurorja e vendit Iryna Venediktova shkroi në Tëitter se: "Me këtë gjyq të parë, ne po dërgojmë një sinjal të qartë se çdo autor, çdo person që urdhëroi ose ndihmoi në kryerjen e krimeve në Ukrainë nuk do t'i shmanget përgjegjësisë."

Deri më tash Moska ka mohuar që trupat e saj kanë vënë në shënjestër civilët, por hetuesit kanë mbledhur prova të krimeve të mundshme të luftës për t'i sjellë përpara Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë.

ICC ka dërguar në Ukrainë një ekip prej 42 hetuesish, ekspertësh të mjekësisë ligjore dhe staf mbështetës. Ndërkohë, edhe Ukraina ka ngritur një ekip për të ruajtur provat në mënyrë që në të ardhmen të mundësohen ndjekjet penale.

Tjera nga autori:
1