<b></b> Vazhdojnë luftimet në Donbas, raportohet për disa civilë të vrarë

Vazhdojnë luftimet në Donbas, raportohet për disa civilë të vrarë

19.05.2022 09:24

Beteja, që e bëri Mariupolin simbol botëror të rezistencës dhe vuajtjeve, i është afruar fundit. Rusia tha se rreth 1.000 luftëtarë ukrainas, të cilët ishin duke bërë rezistencë brenda një fabrike, janë dorëzuar.

Associated Press

Ushtria ukrainase nuk e përmendi Mariupolin në përditësimin e mëngjesit të enjten, duke thënë vetëm që forcat ruse po e vazhdojnë ofensivën në sektorë të ndryshëm të frontit të lindjes, por po zmbrapsen me sukses.

Në rajonin lindor të Donbasit, që është bërë qendra e luftimeve të fundit, katër civilë janë vrarë nga bombardimet ruse në qytezën Sievierodonetsk, tha guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai. Sipas tij, tre civilë janë plagosur nga sulmi që ndodhi të mërkurën dhe se bombardimet vazhduan edhe në mëngjesin e hershëm të së enjtes.

Në anën ruse të kufirit, guvernatori i provincës Kursk tha se drejtuesi i një kamioni është vrarë dhe disa civilë janë plagosur nga sulmet e forcave ukrainase. Autoritetet separatiste në rajonin Donetsk në Ukrainës thanë se dy civilë janë vrarë dhe pesë janë plagosur nga sulmet ukrainase në 24 orët e fundit.

Luftëtarët ukrainas, të cilët u larguan nga fabrika me urdhrin e ushtrisë ukrainase për ta braktisur zonën e fundit të rezistencës, tash ballafaqohen me fat të paqartë. Disa prej tyre janë dërguar nga rusët në një burg në territorin e kontrolluar nga separatistët pro-rusë.

Përderisa Ukraina tha se shpreson që t’i kthejë ushtarët përmes shkëmbimit të të burgosurve, Rusia kërcënoi se disa prej tyre do t’i gjykojë për krime lufte, raporton agjencia “Associated Press”.

Në anën tjetër, në gjykimin e parë për krime lufte, të mbajtur nga autoritetet ukrainase, një ushtar rus të mërkurën u deklarua fajtor për vrasjen e një civili. Ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Organizata për të drejtat e njeriut, “Amnesty International” tha se Kryqit të Kuq duhet t’i jepet qasje e menjëhershme te luftëtarët e dorëzuar të Mariupolit. Zëvendësdrejtori rajonal i kësaj organizate, Denis Kribosheev, përmendi ekzekutime të paligjshme, që dyshohet të jenë kryer nga forcat ruse në Ukrainë, dhe tha se mbrojtësit e fabrikës “Azovstal” nuk duhet të ballafaqohen me fatin e njëjtë.

Është e paqartë se sa luftëtarë kanë mbetur në fabrikën ku besohet se dikur ishin  të strehuar rreth 2.000 njerëz. Një udhëheqës i separatistëve ka thënë se asnjëri nga komandantët e lartë nuk është larguar nga fabrika./Nacionale

Tjera nga autori:
1