<b></b> Vetëvrasja e asistuar e një kanadezeje të varfër nxit debat për ligjet e eutanazisë

Vetëvrasja e asistuar e një kanadezeje të varfër nxit debat për ligjet e eutanazisë

11.05.2022 13:44

Pasi kishte kërkuar pa sukses strehim të përballueshëm që ta kishte më të lehtë ballafaqimin me një problem kronik shëndetësor, një grua kanadeze i dha fund jetës në shkurt sipas ligjeve për vetëvrasje me asistencë.

Një grua tjetër, që vuan nga problemi i njëjtë dhe që jeton nga pagesa për persona me aftësi të kufizuara, gjithashtu gati ka arritur te miratimi përfundimtar për të bërë vetëvrasje, shkruan “The Guardian”.

Këto dy raste kanë nxitur mosbesim dhe zemërim dhe i kanë vënë në pah ligjet kanadeze për të drejtën për të vdekur, për të cilat kritikët thonë se po keqpërdoren për t’i ndëshkuar njerëzit e varfër dhe të pafuqishëm. Në fund të prill, revista “The Spectator” publikoi një artikull me titull provokues: “Pse Kanadaja po i mbyt të varfrit me eutanazi?”

Megjithatë, ekspertët mjekësorë dhe ligjorë e tërheqin vërejtjen se mbulimi shumë i thjeshtë nga mediet i rasteve nuk e paraqet realitetin e sistemit dhe paralajmërojnë se mbulimi sensacional i një grupi të rasteve “ekstreme” shpërfill një krizë më të madhe në sistemet shëndetësore të vendit.

Në shkurt, një gruaje 51-vjeçare nga Ontario, të njohur si Sophia, iu mundësua vdekja e asistuar, pasi sëmundja e saj kronike u bë e padurueshme dhe të ardhurat e saj të dobëta për paaftësi e lanë atë me pak burime për mbijetesë, sipas televizionit “CTV News”.

Një rast tjetër i ngjashëm ka dalë në pah. Një grua tjetër, e njohur si Denie, gjithashtu ka aplikuar për t’i dhënë fund jetës për shkak të pamundësisë për të gjetur strehim të përshtatshëm dhe pas përpjekjeve për të mbijetuar me të ardhurat për paaftësi.

Të dyja gratë ishin të diagnostikuara me ndjeshmëri të shumëfishtë kimike, që ndikon që edhe elementet e zakonshme kimike, si ato që gjenden në cigare ose në produktet për pastrim, të nxitin dhimbje koke, ndjenjë të të vjellave dhe, në rastet ekstreme, shok anafilaktik.

Pa mundësi për të punuar, ato merrnin nga 1.169 dollarë në muaj – dukshëm nën vijën e varfërisë në provincën më të populluar dhe më të shtrenjtë në Kanada.

Për aktivistët, këto raste e përfaqësojnë dështimin e Kanadasë për t’u kujdesuar për qytetarët më të ndjeshëm dhe e shtrojnë pyetjen se si zbatohen ligjet për vetëvrasje të asistuar.

Sidoqoftë, ekspertët e tërheqin vërejtjen se rastet gjithashtu po shfrytëzohen nga grupet që janë kundër asistencës mjekësore për vdekje në përpjekje për ta ngushtuar legjislacionin e jo për t’i shikuar mundësitë se si qeveritë mund ta përmirësojnë jetën e njerëzve me aftësi të kufizuara.

Kur Kanadaja e kishte miratuar legjislacionin për vetëvrasje të asistuar më 2016, grupet për të drejtat e njeriut ishin shprehur të shqetësuara se mund të vihen në shënjestër grupet e ndjeshme ose që mjekët do të detyroheshin që ta anashkalonin betimin që e kanë dhënë për t’i mbrojtur pacientët.

Tjera nga autori:
1