<b></b> Vritet një gazetar francez në Ukrainë gjatë vizitës së ministres

Vritet një gazetar francez në Ukrainë gjatë vizitës së ministres

31.05.2022 09:39

Frédéric Leclerc-Imhoff humbi jetën të hënën ndërsa mbulonte një operacion evakuimi ukrainas pranë Severodonetsk, ka thënë ministrja e re e Francës për Evropën dhe Punët e Jashtme, Catherine Colonna, gjatë një vizite në Ukrainë.

Colonna tha se ishte "thellësisht e tronditur" nga vdekja e Leclerc-Imhoff, gazetar në televizionin francez BFMTV. “Franca kërkon që një hetim transparent të nisë sa më shpejt të jetë e mundur për të hedhur dritë mbi rrethanat e kësaj tragjedie”, shtoi ajo.

Presidenti Emmanuel Macron shprehu gjithashtu ngushëllimet e tij në Twitter: “Dua të përsëris mbështetjen e pakushtëzuar të Francës për të gjithë ata që kryejnë misionin e vështirë të dhënies së informacionit”, tha ai.

Në një vizitë të papritur në Kiev, Colonna konfirmoi se i kishte kërkuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy hetim të rastit, e i cili e siguroi atë për "ndihmën dhe mbështetjen e tij".

Si zyrtarja e parë e Francës që viziton Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, Colonna njoftoi në një konferencë shtypi me homologun e saj ukrainas Dmytro Kuleba se do të "vazhdonte dhe do të rritej" dërgimi i armëve franceze "në javët e ardhshme".

Franca nuk është më në luftë me Rusinë sesa aleatët e saj "por angazhimi ynë është i fortë në sigurimin e Ukrainës me pajisje mbrojtëse", tha Colonna. Qëllimi është që “çmimi i vazhdimit të këtij agresioni, të bëhet i pabërballueshëm për Rusinë”, shtoi ajo.

Sipas Reporterëve pa kufij, të paktën tetë gazetarë kanë vdekur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus.

Tjera nga autori:
1