<b></b> Zbulohet një tunel droge që lidh ShBA-në me Meksikën

Zbulohet një tunel droge që lidh ShBA-në me Meksikën

17.05.2022 19:30

Autoritetet amerikane kanë zbuluar një tunel të madh të droge që lidhej nga Tijuana në Meksikë me një magazinë në San Diego të ShBA-së.

Me një gjatësi prej 531 metrash, tuneli kishte një binar hekurudhor, energji elektrike si dhe një sistem ventilimi.

Gjatë kohës që u bë zbulimi i tij, autoritetet amerikane ishin duke kryer një mbikëqyrje në një pronë që më parë ishte përdorur si strehë për kontrabandën e kokainës.

Në këtë operacion u njofua se është sekuestruar kokainë, metamfetaminë dhe heroinë, ndërsa nën akuzën për trafik të drogës janë arrestuar gjashtë persona.

Zyra e Prokurorit të ShBA-së për Distriktin Jugor të Kalifornisë tha se tuneli ishte 18 metra i thellë dhe kishte diametër 1 metërsh.

Ata njoftuan se para se të zbulonin tunelin kishin vënë re automjete që vinin dhe iknin nga prona në Tijuana dhe magazina në ShBA.

Më pas ata ishin ndaluar dhe gjatë kontrollës kishte ndodhur edhe sekuestrimi i drogës dhe arrestimi i tyre.

Nga zyra e avokatit është njoftuar se në tunel ishin sekuestruar 799 kg kokainë, 74 kg metamfetaminë dhe 1.5 kg heroinë.

Në rast se shpallen fajtorë, të dyshuarit që janë ndërmjet moshës 31 dhe 55 vjeç, mund të dënohen me burg të përjetshëm dhe me gjobë prëj 1 milion dollarësh.

"Nuk ka më dritë në fund të këtij narko-tuneli," tha prokurori amerikan Randy Grossman.

"Ne do të heqim çdo rrugë nëntokësore të kontrabandës që gjejmë për të parandaluar që droga e paligjshme të arrijë në rrugët tona dhe të shkatërrojë familjet dhe komunitetet tona."

Tuneli i fundit i gjetur në Kaliforni ishte në vitin 2020, me një gjatësi prej 1,313 m. Që nga viti 1993, në vend janë zbuluar gjithsej 90 kalime të tilla sekrete.

Tjera nga autori:
1