<b></b> Zelanda e Re do të taksojë fermerët për gromësirat e lopëve dhe deleve të tyre, shkak ngrohja globale

Zelanda e Re do të taksojë fermerët për gromësirat e lopëve dhe deleve të tyre, shkak ngrohja globale

09.06.2022 21:22

Zelanda e Re ka zbuluar planet për të taksuar gromësirat e lopëve dhe deleve në një përpjekje për të trajtuar një nga burimet më të mëdha të vendit të gazeve serrë.

Metani është një përshpejtues i fuqishëm i ngrohjes globale, kështu që shkurtimi i tij ndihmon në ngadalësimin e ngrohjes. E në Zelandë të Re, më shumë se 80% e emetimeve të metanit vijnë nga stomaku i kafshëve.

Nëse ky propozim aprovohet, Zelanda e Re do të jetë vendi i parë që ka vënë taksa për fermerët për shkak të gazrave të nxjerra nga bagëtia e tyre.

Në këtë vend jetojnë vetëm 5 milionë njerëz, por ka më shumë se 10 milionë lopë e 26 milionë dele.

E edhe pse gati gjysma e emetimeve totale të gazrave serrë vijnë nga bujqësia, kryesisht në formën e metanit, këto emetime bujqësore më parë janë përjashtuar nga skema e tregtimit të emetimeve të vendit, duke tërhequr kritika ndaj përpjekjeve të qeverisë për të ngadalësuar ngrohjen globale.

Më shumë se 85% e emetimeve totale të metanit në Zelandën e Re vijnë nga dy burime bujqësore: stomaku i kafshëve dhe plehu i kafshëve, ku i pari përbën 97% të totalit.

Sipas projektplanit, të hartuar nga përfaqësuesit e qeverisë dhe bujqësisë, fermerët do të duhet të paguajnë për emetimet e gazit nga viti 2025.

“Nuk ka dyshim se ne kemi nevojë të shkurtojmë sasinë e metanit që po derdhim në atmosferë dhe një sistem i çmimit të emetimeve për bujqësinë do të luajë një rol kyç në mënyrën se si ne e arrijmë atë," tha ministri i Ndryshimeve Klimatike James Shaw.

Propozimi përfshin stimuj për fermerët që reduktojnë emetimet përmes aditivëve të ushqimit, ndërsa pylltaria në fermë mund të përdoret për të kompensuar emetimet.

Të ardhurat nga skema do të investohen në kërkime, zhvillim dhe shërbime këshillimore për fermerët.

Tjera nga autori:
1