<b></b> Zelensky: Ukraina aktualisht është duke vendosur për të ardhmen e botës

Zelensky: Ukraina aktualisht është duke vendosur për të ardhmen e botës

11.06.2022 16:58

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha përmes video-telefonatës në Samitin e Sigurisë Aziatike në Singapor se rezultati i luftës në Ukrainë nuk do të prekë vetëm vendin e tij, por të ardhmen e rendit ndërkombëtar.

Zelensky iu drejtua pjesëmarrësve të takimit të quajtur Dialog Shangri-La përmes një video-telefonate nga një vend i panjohur në Kiev.

Vendi i tij aktualisht po përpiqet të largojë rusët nga zona që ka kontrolluar që nga fillimi i luftës, ndërsa mbrohet gjithashtu nga sulmet e ashpra ruse në lindje të vendit, veçanërisht rreth qytetit të Severodonetsk.

Në fjalën e tij, presidenti ukrainas shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme të Perëndimit dhe aleatëve aziatikë, duke theksuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që vendet që i kanë ofruar ndihmë Ukrainës deri më tani të mos heqin dorë. "Unë jam mirënjohës për ndihmën tuaj... Por nuk është vetëm ndihmë për Ukrainën, por edhe për veten tuaj. Është në fushat e betejës në Ukrainë që vendimet po merren për rregullat e ardhshme dhe kufijtë e asaj që është e mundur për të gjithë botën", tha Zelensky.

Rreth bllokadës ruse të portit ai theksoi se Rusia po bllokon portet në Detin e Zi dhe Azov, duke bllokuar kështu eksportet e ushqimit nga Ukraina në tregun botëror.

"Nuk prek vetëm ukrainasit, por gjithë botën, shtoi ai. Nëse ne nuk jemi në gjendje të eksportojmë ushqimin tonë për shkak të bllokadës ruse, bota do të përballet me një krizë akute dhe të rëndë dhe mungesë ushqimi në shumë vende në Azi dhe Afrikë", tha ai.

Zelensky theksoi lidhjen e drejtpërdrejtë midis pushtimit rus dhe rritjes së çmimeve të mallrave, duke thënë se Rusia fillimisht bllokoi energjinë për të mbajtur çmimet në rritje dhe tani po bën të njëjtën gjë me ushqimin.

Duke iu drejtuar një grupi prej 575 delegatësh nga 40 vende në një takim në Singapor, Zelensky tha se ushtria e tij nuk ka ambicie të kalojë në territorin rus.

"Ju lutemi keni parasysh se lufta po zhvillohet në tokën tonë. Njerëzit në Ukrainë po vdesin... Ne nuk duam të shkojmë në tokën ruse", tha Zelensky. Ambasadorja e Ukrainës në Singapor Kateryna Zelenko theksoi se nevojitet urgjentisht ndihmë shtesë. “Ne e dimë që kërkon kohë, por nuk kemi kohë”, tha ajo. /Nacionale/

Tjera nga autori:
1