<b></b> Zelenskyy u kërkon liderëve të BE-së të tregojnë vendosmëri, e quan situatën në Donbas

Zelenskyy u kërkon liderëve të BE-së të tregojnë vendosmëri, e quan situatën në Donbas "jashtëzakonisht të vështirë"

31.05.2022 10:49

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u kërkoi të hënën (30 maj) liderëve të BE-së të tregojnë vendosmëri, duke thënë se "zënkat" e brendshme i sjellin dobi vetëm Moskës.

“Evropa duhet të tregojë forcë, ngase Rusia, vetëm forcën e sheh si argument”, tha Zelenskyy në fjalimin e tij në samitin e BE-së që synon të përforcojë mbështetjen e bllokut për Ukrainën në betejën e saj për të mbrojtur veten kundër forcave pushtuese ruse.

Në një video-mesazh drejtuar udhëheqësve të BE-së, ai tha se është koha që BE të mos jetë e fragmentuar, por të jetë "një", duke bërë thirrje për një seri të re sanksionesh kundër Rusisë, duke përfshirë ndalimin e naftës ruse.

Sipas tij, Rusia duhet të varet nga BE-ja dhe jo anasjelltas.

“Pse vareni nga Rusia, nga presioni i tyre dhe jo anasjelltas? Rusia duhet të varet nga ju. Pse Rusia mund të fitojë ende gati një miliard euro në ditë duke shitur energji? Pse bankat terroriste vazhdojnë të punojnë me Evropën dhe sistemin financiar global? Pyetje serioze. Dhe pse kanalet e propagandës ruse janë ende aktive në Bashkimin Evropian? Kjo është arma informative e Federatës Ruse. Pse nëpunësit civilë rusë që mbështesin luftën dhe gjyqtarët që mbështesin hapur represionin ende nuk janë të sanksionuar?”

“Secila nga këto çështje të rëndësishme nuk ka të bëjë vetëm me paketat e sanksioneve apo luftën në Ukrainë. E gjithë kjo ka të bëjë me ne dhe ju. E gjithë kjo ka të bëjë me vetë Evropën”, tha Zelenskyy, raporton radio Evropa e Lirë.

Presidenti i Ukrainës theksoi se përparimi në sanksionet duhet të jetë në atë masë që të detyrojë Rusinë të kërkojë paqe.

Udhëheqësit e BE-së ranë dakord të hënën të ndalojnë shumicën e importeve të naftës ruse në bllokun 27-vendesh.

Në sanksionin më të ashpër të bllokut ndaj Moskës që nga pushtimi i Ukrainës tre muaj më parë, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se ndalimi i rënë dakord në një samit të BE-së në Bruksel do të mbulonte menjëherë më shumë se dy të tretat e importeve të naftës nga Rusia dhe do të shkurtonte një "burim të madh financimi të makinës së saj të luftës”.

Udhëheqësit thanë se kishin rënë dakord të shkurtonin 90% të importeve të naftës nga Rusia deri në fund të këtij viti, me përjashtime për Hungarinë – një vend pa dalje në det që mbështetet shumë në naftën e papërpunuar të dërguar nga Rusia.

Udhëheqësit e BE-së ranë dakord gjithashtu të shkëputnin bankën më të madhe ruse, Sberbank, nga sistemi SWIFT dhe të ndalonin tre transmetues të tjerë shtetërorë rusë, shtoi Michel.

Njoftimi erdhi pasi Rusia intensifikoi sulmet e saj në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës, ku Zelenskyy tha se situata është "jashtëzakonisht e vështirë".

Rusia ka kërkuar të marrë nën kotroll të gjithë Donbasin, i cili përbëhet nga Luhansk dhe Donetsk, të cilat Moska i pretendon në emër të përfaqësuesve separatistë.

Kapja e qyteteve binjake të Severodonetsk dhe Lysychansk në brigjet e lumit Siverskyi Donets do t'i jepte Moskës kontroll efektiv të Luhanskut dhe do t'i lejonte Kremlinit të shpallte një formë fitoreje pas më shumë se tre muajsh lufte.

Por duke u fokusuar në një betejë për qytetin e vetëm të vogël, Rusia mund të lërë një territor tjetër të hapur ndaj kundërsulmeve ukrainase.

Kyiv tha se forcat ukrainase i kishin shtyrë trupat ruse në pozicionet mbrojtëse në Andriyivka, Lozove dhe Bilohorka, fshatra në bregun jugor të lumit Inhulets që formon kufirin e provincës Kherson, ku Moska po përpiqet të konsolidojë kontrollin.

Ukraina i ka bërë thirrje Perëndimit të dërgojë më shumë armë me rreze të gjatë veprimi, por presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se Uashingtoni nuk do t'i dërgojë Ukrainës sisteme raketash që mund të arrijnë në Rusi, një vendim që nënkryetari i Këshillit të Sigurimit rus, Dmitry Medvedev e quajti "racional".

Tjera nga autori:
1