<b>Zvicra do të nisë</b> shitjen e kanabisit si fazë testuese për legalizim

Zvicra do të nisë shitjen e kanabisit si fazë testuese për legalizim

19.04.2022 23:01

Autoritetet zvicerane kanë miratuar një plan për testimin pilot të shitjes dhe përdorimit të kanabisit për qëllime rekreative këtë verë në Bazel, në mënyrë që të diskutohen të mirat dhe të këqijat e shitjes legale të kanabisit.

Deutche Welle shkruan se, autoritetet shëndetësore zvicerane kanë miratuar të martën nisjen e projektit pilot për konsumin rekreativ të kanabisit në Bazel.

Qeveria e qytetit njoftoi se rreth 400 njerëz do të lejohen të blejnë kanabis nga farmacitë e përzgjedhura në Bazel, në fund të verës.

Ata do të pyeten rregullisht për mënyrën e përdorimit si dhe shëndetin fizik e mendor.

Zyra Federale Zvicerane e Shëndetit Publik tha se ideja ishte rritja e të kuptuarit të "formave rregullatore alternative" ose rregullimi i shitjes së kanabisit në farmaci, sepse ka shumë konsumues të kësaj droge.

Qëllimi është të testohet nëse konsumi i drogës ndryshon kur mund të blihet legalisht.

Qëndrimet në lidhje me përdorimin rekreativ të kanabisit kanë ndryshuar në mbarë botën, me Maltën duke u bërë vendi i parë anëtar i BE-së që legalizoi përdorimin rekreativ të kanabisit vitin e kaluar.

Ndërkohë, pritet që Gjermania dhe Luksemburgu të ndjekin të njejtin shembull.

Autoritetet zvicerane thonë se tregu i zi i kanabisit po lulëzon, dhe autoritetet shëndetësore thanë se pavarësisht ndalimit të prodhimit, kultivimit dhe konsumit të tij, kanabisi përdoret gjerësisht nga njerëzit në vend.

Në maj të vitit 2021, autoritetet zvicerane hapën rrugën për projekte të kufizuara për të testuar përdorimin e kanabisit.

Zyrtarët thanë se në këtë projekt, do të lejohet vetëm pjesëmarrja e përsonave mbi 18 vjeç që e konsumojnë kanabisin.

Projekti, i cili përfshin autoritete dhe studiues nga pushteti vendor, Universiteti i Bazelit dhe Klinikat Psikiatrike Universitare, do të zgjasë për dy vjet e gjysmë.

Autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se personat që marrin pjesë në projekt do të penalizohen nëse e ndajnë kanabisin me njerëz të tjerë.

Tjera nga autori:
1