Ag Apolloni, është ftuar në Çeki për të marrë pjesë në një takim letrar kushtuar veprave të tij në sallën Vaclav Havel.

<b></b> Ag Apolloni, i ftuar në Çeki në orë letrare kushtuar veprave të tij

Ag Apolloni, i ftuar në Çeki në orë letrare kushtuar veprave të tij

28.04.2022 13:39

Shkrimtari i njohur, studiuesi dhe profesori i letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Ag Apolloni, është ftuar në Çeki për të marrë pjesë në një takim letrar kushtuar veprave të tij në sallën Vaclav Havel.

Gjithashtu, në Universitetin e Karlit (Universita Karlova), ai do të mbajë ligjeratë për fatin e letërsive të vogla nën ombrellën e letërsisë botërore. Tash e gati dy vjet ai flet çekisht, po ashtu në çekisht ka edhe romanin “Ulurima e ujkut” të përkthyer nga profesoresha universitare Dr. Orkida Backus Borshi.

Kam kontaktuar me Ag Apollonin, dhe si herën e kaluar, ai pranoi të përgjigjet për ne.

Po, jam i ftuar në një takim letrar në sallën Vaclav Havel, në Pragë, ku do të flitet për veprat e mia, dhe unë do të flas për relacionin mes fiksionit dhe faktografisë. Fokusi do të jetë në romanin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, por do të flitet edhe për çështje të tjera të letërsisë së sotme. Ndërsa në Universitetin e Karlit (Universita Karlova) do të mbaj një ligjëratë për fatin e letërsive të vogla nën ombrellën e letërsisë botërore.

Deri tani në çekisht kam vetëm romanin “Ulurima e ujkut” të përkthyer nga profesoresha universitare Dr. Orkida Backus Borshi, e cila do ta udhëheqë edhe takimin në sallën Vaclav Havel.”

Romani “Ulurima e ujkut” trajton një grumbull temash nga realiteti kosovar, një jehonë idesh nga libri i të vdekurve deri te arti i të gjallëve. Një libër ku piktura dhe muzika janë si në shtëpi të vet, një homazh për bluzin. Një lojë dramatike për situatat sociale e politike. Romani përshkohet gjithandej nga një dëshpërim dhe tërbim, i shoqëruar edhe me një dozë humori, me shumë referenca nga muzika, piktura, filmi dhe teatri. Ngjarjet vendosen në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Itali dhe Austri, ku edhe është përfunduar romani.

Romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” flet për jetën tragjike të dy familjeve, e saktësishtë theksi vihet tek nënat. Dy nëna që kanë pasur humbje të mëdha dhe janë kthyer në simbol të humbjes në historinë më të re të Kosovës. Romani është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim dhe mbaron aty ku nis. Mirëpo brenda saj gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e Ferdonijes, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje. Po ashtu, e bazuar krejtësisht në materiale arkivore, vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe kampeve të shpërnguljes.

Ndërsa në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport me luftën. Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës.

Tjera nga autori:
1