<b></b> Iftari në odën e mulla Osmanit, këngë e mesele të Drenicës

Iftari në odën e mulla Osmanit, këngë e mesele të Drenicës

21.04.2022 19:28

“Merhaba burra”, është përshëndetja që u jap të pranishëmve porsa hy në odë. I zoti i shpisë, Osman Musliu, hoxhë i njohur nga Drenica, çohet në këmbë për të më mirëpritur.

“Bujrun, mirë se ke ardhë”, është përgjigja e shpejtë e siç e do zakoni i traditës së odave shqiptare.

“Është gazetar, i portalit të Berat Buzhalës”, duke buzëqeshë i ‘paralajmëron’ të pranishmit mulla Osmani dhe vazhdon prezantimin e mysafirëve të tjerë.

Rehatohemi ngadalë në odë, derisa fotografi i Nacionales, Valdrin Xhemaj, bëhet gati për të shkrepur fotot në iftarin e organizuar nga hoxha i Drenicës.

Ashtu siç është e pritshme, hajgaret me shpoti nuk mungojnë. Një e tillë, pak para iftarit, shkon në adresë të mikpritësit, mulla Osmanit.

“Prit mos boni iftar, se veç me sahat të hoxhës duhet me bo iftar. Ky e ka taman orën”, thotë njëri nga të pranishmit duke ngjallur atmosferën në prag të iftarit, kohës kur myslimanët ndalojnë së agjëruari.

Sofra mbushet plot, e ushqimet ndërrohen vazhdimisht, siç shkojnë e vijnë ‘hyzmetqarët’.

Paksa e çuditshme për mua, por njëri nga shërbyesit në iftar është ish-pjesëtar i njësitit special të UÇK-së, “Tigrat e Zi”, e që është edhe vëllai i hoxhës.

Siç e kërkon tradita, para shtrimit të bukës, pastrohen duart me anë të ujit që bartet te secili i pranishëm me ‘legen’. Së pari, duart i pastron i zoti i shpisë për të kontrolluar nëse uji është mjaft i ngrohtë.

Ndërsa ushqimi së pari u servohet më të moshuarve, më pas mysafirëve, e krejt në fund mulla Osmanit.

Sa i përket shpotive, ‘viktimë’ e tyre bie edhe autori i shkrimit.

Me anë të një meseleje, hoxha më ‘qorton’ se jam ulur gabimisht duke i zënë dy vende në sofër, ndonëse jam më i shkurti për nga gjatësia.

“Nuk është me rëndësi sa je i gjatë, por sa vend nxen”, është përgjigjja ime prej gazetari.

Natyrshëm gjatë ushqimit bisedohet pak. Kush do të dëshironte të fliste shumë pas kaq shumë orë agjërimi?

E kur përfundon ngrënia e iftarit, fillon biseda e vërtetë, e cila shoqërohet me çaj.

Që në krye të bisedës, hoxha më thotë se shumë gjëra nga tradita e Ramazanit kanë ndryshuar.

“Unë menoj që shumë sene kanë ndryshu, por edhe shumë sene tjera vazhdojnë me qenë prezente qysh kanë qenë edhe përpara. Ende në shumicën e familjeve tona Ramazani e sjell një atmosferë pak më ndryshe se sa jashtë Rmazanit. Kjo vërehet edhe në qytetet tona. Pak para iftarit e vëren një qetësi. Nganjëherë mendon se ky popull nuk është aq fetar, por koha e iftarit ta jep një përshtypje krejt ndryshe”, thotë Osmani.

Hoxha kujton ramazanët e paraluftës, kohë në të cilën Osmani thotë të kishte shumë varfëri në Drenicë, rajon i persekutuar me dekada nga sistemi komunist kosovar.

“Ishin kohë shumë të vështira, besa edhe kish shumë fukarallak, mirëpo afërsia, dashuria që e kujtojmë nganjëherë të ngjallë nostalgji. Kur ndalesh me i mendu ato ndejat, ato takime, faljen e namazit të teravive gjatë Ramazanit, u tubojke krejt mahalla, katuni merrte pjesë. Ka pasur fshatra që i kanë marrë ka dy-tre hoxhollarë për Ramazan. Mblidheshin burrat, bojshin ibadet”, shton mulla Osmani.

Kur përfundohet çaji, fillon kënga folklorike nga muzikanët që kanë ardhur nergut për këtë punë.

E para këngë, absolutisht e kuptueshme, në konakun e mulla Osmanit i këndohet komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, fotografia e të cilit është e varur në anën ballore të odës.

Pas gjysmë ore muzike, hoxha bëhet gati të shkojë në xhami pasi si imam duhet t’u prijë besimtarëve në namazin e teravisë.

Gjatë daljes, u jep ‘bakshish’ një shumë të parave ‘shahirave’ që u përkujdesën për t’ua ngjallur emocionet të pranishëmve.

Pasi ndalet muzika, fillon biseda. Prapë ka shumë mesele, hajgare e shpoti për të cilat Drenica si regjion është e njohur. Nga gjiri i kësaj treve, Anton Çetta, ish-profesor i njohur i folklorit, ka përgatitur shumë përmbledhje të prozës popullore të saj.

Ndërsa mua e Valdrinit, fotografit të Nacionales, ambienti, bisedat, e atmosfera na duken paksa ‘përrallore’. Të lindur e rritur kushtimisht në një kontekst tjetër kulturor, unë në Viti e Valdrini në Prishtinë, oda me të gjitha marifetet e saja na duket një e ndryshme ekzotike.

Prapë vjen koha e pyetjeve gazetareske, për të cilat mulla Osmani duket se i ka përgjigjet në gjuhë.

E pyes për foton e tij të famshme me kryeministrin Albin Kurti, ku shihen duke ngrënë ushqim tradicional.

“Pasuli i mulla Osmanit është pasuli më i njohur i Kosovës”, i them hoxhës.

“Ajo fotografi është bërë tepër e famshme, Mirlind. Ajo ka qenë një simbolikë edhe pse se kishte atë qëllim, s’e kam pasur atë qëllim kur e kam pasur në konak. Nuk ka qenë ajo as kohë zgjedhjesh, por ka qenë një nejë, takim për qef. Edhe ushqimi, nuk e kam mendu që ka me u bo aq e madhe ajo fotografi, sepse nuk besoj që ka shumë rol ushqimi”, më tregon mulla Osmani.

Më thotë se fotoja me Kurtin është keqpërdorur shumë.

“Ajo fotografi herë është përdorë, herë është keqpërdorë. Dmth kur iu ka vy njerëzve me sulmu Albinin, ose kur e ka hangër Albini naj drekë ndokund, atë fotografi ia kanë qitë: fotografia me popull, fotografia në pushtet. Pra unë nuk kam fort dëshirë me i komentu mysafirët. Mysafiri është i mirëseardhur. Është një hadith i Pejgamberit që veprat e njeriut shpërblehen sipas qëllimit. Qëllimi i ushqimit është me nderu mikun dhe me respektu, edhe me ditë që miku është i rëndësishëm në familje. Andaj prapëseprapë jam në gjendje me pritë çdo njanin që ma mësyn në konak”, shton hoxha nga Drenica.

E pyes se çfarë do t’i servonte kësaj radhe Kurtit, që tash është politikani më i fuqishëm i vendit. Por, imam Osmani nuk tregon për ushqimin, ndonëse thotë se kryeministri Kurti është i mirëpritur në odën e tij.

“Mikpritja, edhe nëse vjen prapë (Kurti), edhe çdo politikani, unë konakun tem e respektoj, odën teme e respektoj, për çdo kënd që e meriton dhe që ka dëshirë me ardhë në konakun tim”, thotë ai.

Tutje, Musliu thotë se bashkëjetesa ndërmjet shqiptarëve të besimeve të ndryshme është e mirë.

Madje ai tregon shembuj që reflektojnë shpirtin e harmonisë së myslimanëve e katolikëve në Kosovë.

“Gjatë namazit të teravive, është falë namazi i teravive në shtëpitë e familjeve të krishtera. Ka ndodhë që nga një ditë kanë mbajtë edhe Ramazan. Ky është shembulli më i mirë se si e respektojmë dhe bashkëjetojmë me njëri-tjetrin në mesin tonë, të cilën ndoshta liderët fetarë nganjëherë nuk e kultivojnë, lëshojnë do farë pykash siç ndodhi me ipeshkvin e Kosovës, që kësaj here tha ju uroj Ramazanin edhe vëllezërve që janë konvertuar në islam”, rrëfen Musliu.

Por, duket se hoxhës nga Drenica nuk i pëlqeu një deklaratë e fundit e ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji, i cili tha se u uron Ramazanin shqiptarëve të konvertuar në mysliman.

"Që 6 shekuj ka islam në këto troje dhe nuk është e vërtetë që ne jemi konvertuar në islam para dhjetë vjetesh, por gjyshërit e stërgjyshërit tanë e kanë pranuar islamin dhe nuk jemi të konvertuar. Ne jemi myslimanë, e të konvertuar janë të parët tanë. E nëse flasim për konvertimin, as të krishterët nuk janë kanë gjithë të krishterë. Ka pasur edhe paganizëm edhe besime të kota. Pra, unë mendoj që duhet ta kultivojmë bashkëjetesën”, i kundërpërgjigjet Musliu.

Diku pas orës 10:00, fillon përsëri kënga.

E diku pak para mesnate, e kërkojmë ‘izën’ apo lejen për t’u çuar nga mbledhia.

Mulla Osmani na përshëndet duke na thënë që të mos presim ftesa për të ardhur përsëri.

Mysafiri nuk pret ftesë, vjen pa e thirrë”, thotë ai duke e mbyllur derën e shtëpisë.

Tjera nga autori:
1