Kalendari historik: Më 3 maj 1877 u formua Komiteti i Janinës

<b></b> Kalendari historik: Më 3 maj 1877 u formua Komiteti i Janinës

Kalendari historik: Më 3 maj 1877 u formua Komiteti i Janinës

03.05.2022 20:19

Në Janinë, më 3 maj të vitit 1877 u formua Komiteti i Janinës. Qëllimi i komitetit ishte mbrojtja e tokave shqiptare nga rreziku i copëtimit nga shtetet fqinje. Shqiptarë të viseve jugore të vendit u përfshinë në këtë organizatë nacionaliste nën drejtimin e Abdyl bej Frashërit. Viteve të 70 të shekullit XIX, Komiteti i Janinës i paraqiti një memorandum Portës së Lartë Gjatë Krizës, në të cilin parashtronte gjendjen e rëndë të shqiptarëve dhe paraqiti kërkesën për bashkimin e të gjithë tokave shqiptare në një vilajet të vetëm.

Veprimtaria e anëtarëve të Komitetit të Janinës u përqëndrua në dy drejtime kryesore. Organizimin e një kryengritje shqiptare kundër shtetit osman me mbështetjen e oficerëve me origjinë shqiptare që shërbenin në ushtrinë osmane. Nga ana tjetër, drejtuesit e komitetit hynë në bisedime me përfaqësues të qeverisë greke që të lidhej një aleancë e përbashkët. Shqiptarët synonin që në aleancë me shtetin grek të arrinin formimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Në korrik të vitit 1877, Abdyl bej Frashëri zhvilloi bisedime të fshehta në Janinë me përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë. Për shkak të kërkesave të tepruara të përfaqësuesit grek ndaj viseve jugore të banuara nga shqiptarë dhe kundërshtimit të idesë për formimin e shtetit të pavarur shqiptar, bisedimet dypalëshe nuk arritën asnjë përfundim.

Qëllimi i komitetit ishte mbrojtja e tokave shqiptare nga rreziku i copëtimit nga shtetet fqinje.

Komiteti i Janinës vendosi lidhje edhe me qarqet politike, me të cilat shqyrtoi çështjen e përgatitjes së kryengritjes së armatosur. Në të njëjtën kohë ai ra në kontakt me oficerët shqiptarë që shërbenin në garnizonet osmane të vendit dhe që treguan gatishmëri për të marrë pjesë në kryengritjen e armatosur. Pas kësaj, shqetësimi kryesor i Komitetit u përqendrua në aspektin diplomatik të çështjes shqiptare.

Të gjitha shtetet ballkanike u vunë në lëvizje për të plotësuar në përfundim të kësaj lufte bashkimin e tyre kombëtar dhe për të përmbushur aspiratat e tyre aneksioniste në dëm të kombeve të tjera të gadishullit. Për çështjen shqiptare fillimi i luftës ruso-turke krijoi një gjendje më të ndërlikuar se ajo që ishte më parë. Qarqet politike shqiptare, edhe pse nuk e dinin marrëveshjen e fshehtë të Budapestit, nuk kishin asnjë dyshim për katastrofën që e priste Shqipërinë, në rast se luftën do ta fitonte Rusia dhe në rast se pas luftës do të triumfonte diktati i saj. Në këtë rast Shqipërinë e priste copëtimi i saj territorial dhe, për pasojë, vdekja e saj politike.

Udhëheqësit e Komitetit të Janinës

Udhëheqësit e Komitetit të Janinës mendonin se tani që Perandoria Osmane ishte në rrezik të shembej plotësisht nga armatat ruse, fuqitë perëndimore nuk do ta linin Perandorinë Ruse që ta ndryshonte hartën politike të Gadishullit Ballkanik sipas planeve të saj ekspansioniste. Sikurse shkruante disa muaj më vonë Abdyl Frashëri, Evropa do të bindej se qytetërimin e saj në Gadishullin Ballkanik nuk mund ta mbronte nga rreziku rus vetëm diga greke, por, së bashku me të, edhe diga shqiptare. Udhëheqësit e Komitetit të Janinës mendonin se në këto rrethana Shqipëria duhej të lidhte me Greqinë një aleancë politike e ushtarake për të hyrë bashkërisht në luftë kundër Perandorisë Osmane përpara se armatat ruse të zbritnin në jug të Gadishullit Ballkanik. Por ata kërkonin si kusht që Athina ta mbështeste idenë e pavarësisë së Shqipërisë dhe ta miratonte tërësinë e saj tokësore. Në rast se Athina do ta nënshkruante mbi këtë parim aleancën dypalëshe, do të konsiderohej e kapërcyer për çështjen shqiptare pengesa kryesore në plan ndërkombëtar.

Tjera nga autori:
1