<b></b> Komedia nga Kosova “Kthimi i Karl Majit” shfaqet në Hamburg dhe Dortmund

Komedia nga Kosova “Kthimi i Karl Majit” shfaqet në Hamburg dhe Dortmund

02.05.2022 22:29

Shfaqjet nëpër skenat e teatrove ndërkombëtare janë bërë të zakonshme për dramaturgun e njohur nga Kosova, Jeton Neziraj. Këtë here është Gjermania, një prej vendeve me kulturë jashtëzakonisht të kultivuar të teatrit, që e mirëpret dramaturgun kosovar në Hamburg dhe Dortmund.

Komedia nga Kosova, “Kthimi i Karl Majit” do të niset këtë fundjavë në turne në Gjermani. Me datë 8 maj, nga ora 20:00, do të jepet në teatrin Kampnagel në Hamburg, si pjesë e festivalit KRASS Kultur CRASH Festival. Kjo shfaqje në hamburg bashkëorganizohet edhe nga asociacioni Oda në Hamburg.

Në datat 9 dhe 10 maj nga ora 19:30, e njëjta shfaqje do të jepet në Dortmund, në Theatre Dortmund. Këto dy shfaqje në Dortmund janë mundësuar dhe bashkëorganizohen nga shoqata kulturore URACult nga Kölni, nën kurimin artistik të Ali Salihut.

Komedia e Jeton Nezirajt, “Kthimi i Karl Majit”, regjinë e së cilës e ka bërë Blerta Neziraj, është realizuar nga Qendra Multimedia e Prishtinës, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe teatri Volksbühne i Berlinit. Në shfaqje luajnë aktorët e mirënjohur Kosovar: Adrian Morina, Arta Muçaj, Armend Ismajli, Ylber Bardhi e Shpetim Selmani.

Premiera e kësaj shfaqje është dhënë në tetor të vitit 2020 në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe nga ajo kohë ka pasur dhjetra repriza në Kosovë, Gjermani e Austri. Një përshkrim pak më të detajshëm lidhur me shfaqjen e jep në faqen e vet Qendra Multimedia:

Shfaqja “Kthimi i Karl Majit” e konfronton publikun me qasjen gati demonizuese të Evropës Perëndimore ndaj Lindjes – superioritetin e supozuar kulturor, politik e intelektual të saj ndaj Lindjes – për të cilën Aleksandar Hemon thotë se i ka rrënjët thellë në kolonializëm dhe racizëm.

Në shfaqje, Kara Ben Nemsi, personazhi i njohur i librave të Karl Majit, arratiset nga Lindja dhe bashkë me një grup aktorësh nga Kosova, ia mësynë ‘tokave gjermane’. Në këtë udhëtim gati epik, ai takon Slavoj Zhizhekun, Piter Handken, një pjesëtar të Nëntokës Nacional-socialiste (Nationalsozialistischer Untergrund) e personazhe të tjera. Për këtë shfaqje kan shkruar gjerësisht dhjetra Media gjermane, duke përfshirë Der Tagesspiegel, TAZ, Nachtkritik etj.

Çfarë na thotë kjo shfaqje?

Për publikun gjerman, Neziraj do ta sjellë këtë dramë në skenë si një përplasje e artit me superioritetin artificial kulturor që ka qenë, e herë pas here vazhdon të jetë atribut i qasjes së kulturave të mëdha ndaj “të vegjëlve e të panjohurve"

 

Më shumë detaje për shfaqjet:

Hamburg:

https://www.kampnagel.de/en/program/the-return-of-karl-may/?rubrik=archiv

Dortmund:

https://www.theaterdo.de/produktionen/detail/the-return-of-karl-may-ein-unterhaltsames-theaterstueck-fuer-das-deutsche-volk/

Tjera nga autori:
1