<b></b> Kryeministër Abazoviqi i dalë nga shqiptarët që provon të kapërcejë nacionalizmin shqiptar

Kryeministër Abazoviqi i dalë nga shqiptarët që provon të kapërcejë nacionalizmin shqiptar

01.05.2022 16:31

Pas Shqipërisë dhe Kosovës, edhe Mali i Zi do të ketë një kryeministër me etni shqiptare. Të enjten, një qytetar me emrin Dritan arriti të merrte votat e nevojshme në Kuvendin e këtij shteti të vogël dhe u bë kryeministri i parë shqiptar. Ky fakt, e shpërtheu një dallgë postimesh e komentesh që ngritën pyetje në lidhje me politikë-bërjen e mundshme të tij, marrë parasysh përkatësinë etnike. Por, asgjë nuk është siç duket.

Fillimisht, duhet thënë me patjetër, se të kuptuarit e Abazoviqit në pikëpamje etnike nuk qëndron. Kjo pasi veprimtaria e tij politike mbështetet tek një ligjërim politik post-nacionalist, që transcedenton ndarjet etnike, të themeluara historikisht brenda Malit të Zi.

Kësisoj, me të drejtë, ai nuk identifikon përkatësinë etnike të tij, si tipar përcaktues të veprimtarisë politike siç bëjnë pa përjashtim të gjithë politikanët shqiptarë të Kosovës. Si vazhdim, gjuha e tij politike rrokë fenomene e probleme jo-nacionaliste, siç janë krimi dhe korrupsioni, e të cilat madje i sheh të lidhura bash me narracionet nacionaliste. Ai argumenton për një agjendë që në qendër vendos Malin të Zi si një vend multi-etnik dhe të jetueshëm për të gjithë etnitetet.

Mirëpo le ta kuptojmë njëherë Abazoviqin si kryeministër me origjinë shqiptare.

Kjo e bën atë kryeministrin e tretë shqiptar në gjashtë vendet e rajonit, pas Edi Ramës dhe Albin Kurtit.

Ndonëse të tre liderët vijnë nga orientime ideologjike të afërta, kjo gjë doemos nuk trason rrugën e një bashkëpunimi të mundshëm. Nga një plan i përgjithshëm, në botëkuptim të politikës, të tre kanë përbrendësuar tipare të papërputhshme.

Rama, një politikan kontravers, që tashmë vepron si qytetar ndërkombëtar, është i përkushtuar tej mase në  agjenden e tij të jashtme dhe në projekte të llojit, si për shembull “Open Balkan”. Përballë tij, Kurti, si një politikan grindavec, me prirje populiste dhe i këmbëngulur në tema të rëndësisë së brendshme, paraqet një model krejt të ndryshëm të politikanit.

Abazoviq në këtë skenë vjen si një arketip i tretë i një kryeministri shqiptar.  Karriera e Abazoviqit, parë në tërësi nuk reflekton kurrfarë sentimenti nacionalist. Krejt në të kundërtën, ai shquhet për një figurë atipike brenda skenës politike malazeze, me një vokacion qytetar, i cili tejkalon ndarjet ekzistuese etnike shoqërore. Si një lider i një partie qytetare me agjendë të gjelbër, ai gjatë fushatës së tij i dha zë të veçantë edhe politikave ekologjike, përveç luftimit të krimit dhe korrupsionit.  

Këto përshkrime tiparesh, fuqizimin e një bashkëpunimi nisur nga premisa e të qenit  të tre shqiptarë, e bëjnë më të vështirë. Thënë drejt, në temën e përforcimin të raporteve ndër-shqiptare, Abazoviqi përballet me një problem të madh, meqenëse ballë tij ka dy modele të kundërta apo mospajtuese politikanësh.  

Ramën si një politikan kompromisi, që politikës së përditshme i njeh dimesionin real të saj të bashkëpunimit dhe marrëveshjes, përballë Kurtit, si një figurë kryeneçe, që duke insistuar në të vërtetat e tij, prodhon papajtueshmëri, thuajse çdokund. Këto dy figura janë më tepër se aq, janë dy paradigma të politikëbërjes ndër-shqiptare. Veç kësaj, janë mospajtuese, që kundërshtohen esencialisht.

Rrjedhimisht, ndoshta pa të drejtë, pas zgjedhjes se Abazovicit ai u përfol si faktor fuqizues, derisa në skemat ekzistuese, udhëheqësit dhe institucionet shqiptare, në rrethana përçarëse, nuk janë duke shfrytëzuar mundësitë për një bashkëpunim më përmbajtësor.

Duhet të pytet se pse, përkatësia etnike e Abazoviqit për një moment është vështruar si faktor fuqizues në këtë bashkëpunimin ndërshqiptar, në rrethana kur dy prijësit shqiptarë kanë ndërveprim pothuajse minimal dhe mospajtesa në gjëra krejtësisht themelore. Për çfarë bashkëpunimi mund të flitet, dhe si mundet Abazoviqi, të paraqet një faktor përbashkues, kur ai dhe kushdo që mendon të përbashkojë politikë-bërjen shqiptare gjendet përballë një situatë të vështirë të ndarjes së shkaktuar nga përplasjet e shumta të politikanëve ekzistues shqiptarë?

Në një gjendje të tillë, ndërlidhje dhe përfolja e Abazoviqit si faktor që mund të shkaktojë ndofarë fuqizimi, është tërësisht jashtë botës reale të ngjarjeve. Abazoviq është kryeministër i Malit të Zi, sepse doli përtej ndarjeve të rëndomta etnike në një skenë politike ballkanike, ndërsa gjendja jo-bashkëpunuese ndër shqiptarë momentalisht, mbetet e tillë sepse bartësit e këtyre roleve politike nuk mund të dalim përtej mërive të zakonshme të politikanëve shqiptarë.

Tjera nga autori:
1