Koreografët

<b></b> Me vallëzim si protestë,  koreografët  e informojnë ministrin Çeku

Me vallëzim si protestë, koreografët e informojnë ministrin Çeku

29.04.2022 20:24

 

Sot para MKRS-së, koreografët e Kosovës mbajtën protestë kundër shkeljes së dinjitetit profesional, ku shënojnë edhe Ditën Botërore të Vallëzimit. Protestë ndryshe nga ajo se çfarë jemi mësuar të shohim, në mënyrë shumë paqësore përmes vallëzimit neve të pranishmëve na përçonin revoltim dhe pozitivitet njëkohësisht. Koreografët e cilësuan kërcimin si “vlerë e shtuar e shoqërisë.”

Shumë njerëz kalonin, disa u afruan dhe vallëzonin pa e ditur që po protestojnë, e të tjerë vetëm shikonin. Kishte edhe punonjës të ministrisë që vetëm dolën dhe e shikuan. Nuk kishte asnjë reagim ndaj kësaj.

Kjo protestë organizohet nga koreografë e kërcimtarë profesionistë që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Qëllimi i gjithë kësaj është për t’u dëgjuar zëri i tyre dhe të mos injorohen si deri më tash nga institucioni i MKRS-së.

Para disa ditësh koreografi Robert Nuha ka reaguar për deklaratën e Ministrit Çeku, i cili gjatë një interviste të dhënë në kanalin 10 ka thënë që Kosova nuk ka profesionistë të kualifikuar në koreografi. Nuha ka thënë se me këtë, ministri ka fyer shkollimin e gjithë koreografëve të Kosovës.

Nacionalia mori pjesë në protestë dhe ka kontaktuar me koreografët Robert Nuha dhe Driton Saqipi.

Profesor i koreografisë Driton Saqipi  tha për Nacionalen se: “Deklarata e Ministrit Çeku është njëra nga deklartatat më skandaloze nga gjithë ministrat që kanë qenë deri më tani. Të dalë dhe t’i mohojë të gjitha drejtimet që kanë ekzistuar për 22 vjet është e padrejtë. Nga viti 2001 është e hapur shkolla e baletit, ndërsa nga 2016 ekziston shkolla e ulët e baletit. Në 2011 është akredituar drejtimi i koregrafisë në Kosovë. Kur është vendosur ministri Çeku në detyrë ne kemi pasë një shpresë shumë të madhe, duke ditur që Çeku vjen nga skena e pavarur. Ai jo vetëm që nuk po na përkrah, mirëpo edhe po na ofendon, nuk po njihen as diplomat tona.”

Ai më tej shtoj për deklaratën e Ministrit, se do të hap shkolla të reja: “Ministri mundet me fuqizu shkolla, ose me e mbështet drejtimin e baletit që ende shkolla e muzikës është pa objekt dhe që hapsira është duke i shfrytëzuar në shkollën e mjekësisë Prenk Jakova. Mundet me fuqizu për të bërë më shumë në këtë drejtim, e jo të thotë që unë do e themeloj.”

Meqë deri tani Ministri nuk doli me një kërkim falje a do të ndaleni me kaq apo do të vazhdoni përsëri me protesta?

“Unë shpresoj që Ministri ta shohë protestën tonë dhe kolegët koregrafë, profesorët, studentët. Ne po shpresojmë që të dalë me një deklartë, të qartësojë atë çfarë ka deshur të thotë, nëse nuk ka qenë i informuar le të del me një kërkimfalje publike dhe kjo do të ishte në rregull, e jo duke na injoruar. Duke ditur që Qeveria ka për qëllim transparencën dhe bashkupnimin me qytetarët e kjo nuk po ndodh me politikat e kulturës, prandaj ne  do të shkojmë deri në fund. Do të vazhdojmë përsëri me protesta.”

Ministri nuk doli me një kërkimfalje publike deri më tani dhe nuk e bën askush nga Minsitria edhe pse ju sot po protestoni pranë objektit të tyre. Sa shqetësuse është kjo për ju?

“E mira do ishte që të kishte kërkuar falje dhe të na bënte ftesë për të pasur një takim, ne jemi të thirrur për këtë punë dhe nëse dëshiron Ministri me hapë drejtime të reja, ai duhet të konsultohet me ne që jemi të thirrur për këtë punë, në Kosovë nuk ka të tjerë.”

Gjithashtu, Robert Nuha Profesor i koreografisë është përgjigjur për ne:

Janë bërë dy javë që Ministri nuk ka pasur asnjë reagim edhe sot nuk doli as për ta parë protestën. Sa shqetësuse është kjo për ju?

“Ministri ndërmjet zyrtatrit të infromimit ka dërgu fjalë që nuk jam prezent aty, po po të isha, do të dilja ta shihja performancën. Kjo është një gjë pozitive, por ne nuk mjaftohemi me kaq sepse fyerjet të cilat janë bërë publikisht duhet që po në të njëjtën mënyrë të deklarohet dhe të kërkojë falje ndaj këtij komuniteti kaq të rëndësishëm të shoqërisë sonë.”

A do të vazhdoni më tej me protesta?

“Sot kemi shfrytëzuar Ditën Botërore të Vallëzimit si një ndër festat më të veçanta të komunintetit tonë, për të dalë dhe për të folur me gjuhën tonë. Për të kërkuar një lloj vëmendjeje nga institucioni më i lartë i Kulturës, institucion ky që në njëfarë forme të gjithë ne i përkasim. Të gjithë koreografët e Kosovës jemi mbledhur në një kauzë për integritetin personal dhe profesional, ne kemi dalë në këtë protestë-perfomacë. Kjo s’do të thotë që ne do të ndalemi, sigurisht ne kemi shumë shpresa që koregarfia do të ketë më shumë vëmendje në vendin tonë, të paktën të merret në konsideratë dhe ekspertiza jonë është e nevojshme në institucionet kulturore.  Ministria duhet të marrë parasysh ekspertizat që të ndërtohen në suazat e shëndosha dhe shëndetëshme për shoqërinë. Dëshira e madhe për t’u shkolluar mund të krijojë hapësirë më të madhe dhe kompetitive artisitke që duhet të rriten dhe të pasurohen në shoqëri, vlerat që i posedon. Tash e tutje Ministri përveç kërkim faljes duhet të na marrë më shumë në konsideratë.”

A është kjo dekurajuse për studentët e rinj?

“Kjo është njëra prej qëllimeve që sot jemi mbledh këtu profesorë të gjeneratave të ndryshme, duke dhënë kontributet tona. Shihet dekurajimi i tyre, ne jemi këtu që të mos lejojmë që kjo mendësi të kalojë në sistem dhe të ngrisim zërin për shkollim. Të rinjtë të mos ikin, por të inkurajohen dhe sakrifica e tyre të vlerësohet.”

Përndryshe, e gjithë ky manifestim u provokua, siç e thamë më lart, kur Ministri Çeku tha se Kosova nuk ka profesionistë të koreografisë.  



 

Tjera nga autori:
1