<b></b> Në garë për Qeveri: Jericho në këngën e re denoncon “shumëfytyrëshat” e pushtetit

Në garë për Qeveri: Jericho në këngën e re denoncon “shumëfytyrëshat” e pushtetit

08.05.2022 10:21

Kritikë për këngën “Në garë për Qeveri” nga Jericho

Kosova i ka nja dy milionë banorë, prej të cilëve më shumë se gjysma janë poetë. Prej një rreshti në tjetrin kalohet me arbitraritet të plotë, pa i dhënë llogari kurrkujt, as normave drejtshkrimore. Deri vonë, poetët megjithatë i bindeshin rimës por prej që rima s’ka ndonjë kuptim, fjalët kërcejnë si të duan e kah të duan.

Kënga e fundit “Në garë për qeveri” e grupit Jericho që u publikua mbrëmë shpreh një rezistencë ndaj ‘poezisë’ së tillë. Ajo frymëzon me rreshta denoncues, që thonë diçka, e që vetëtijnë në krye aty për aty.  

Zgjohu dhe vish një fytyrë të re;

Buzëqesh, jeto plot lumturi;

Vrapo kërko një sfidë te re;

Lufto t'jetosh plot kënaqësi;

Këta janë rreshtat e parë të kësaj kënge rock’n’roll që artikulojnë atë që tingëllon banale nëse artikulohet në prozë: njerëzit me shumë fytyra që i shohim përditë në mesin tonë derisa ngjiten në shkallët e karrierës së tyre.

A mund të ngjitesh “plot lumturi” e “plot kënaqësi” në një treg më serioz pune se tregu kosovar? Nuk e besojmë.

Por, vokalisti që edhe ka shkruar këngën, Petrit Çarkaxhiu, bën edhe një psikografi të shkurtër të personave shumëfytyrës përmes rreshtash të mëposhtëm:

Duhet të blesh makinë më t'mirë;

Ndërto shtëpi me një pishinë;

Po pate edhe një dëshirë;

Vrapo në garë për qeveri;

Zhvendosja e normativitetit është natyrisht cinike në këto fjalë. Nxitja që i bëhet robit për të blerë makinë të re, për të ndërtuar edhe shtëpi me pishinë nuk është e njëmendtë. Në fakt, zyrtarët e lartë të shtetit do të duhej të mos ishin aq materialistë sa të kishin dëshira kaq banale vetjake. Por, jetojmë brenda një kulture në të cilën shumë njerëz ngarendin për ta bërë një gjë të tillë, apo jo?

Pak a shumë të njëjtit njerëz si në pushtet e kaluara, veçse me fytyra të ndërruara, edhe sot i shohim derisa vrapojnë “në garë për qeveri”. Dhe nga e gjithë kjo, marrim idenë se ndoshta po dalim nëpër votime krejt pa nevojë, duke qenë se gjithnjë ata që përfitojnë janë të njëjtit.

Prandaj, këta rreshta të shprehur në mënyrë arbitrare, nuk e pështjellin fort mesazhin thelbësor. Ai është i thjeshtë e i qartë, direkt e kumbues: a mund të jemi vallë, më të përulur, më të thjeshtë, më pak banalë e më pak materialistë?

Pa ju lodhur më shumë, ju ftojmë që të shijoni këngën:

 

Tjera nga autori:
1