<b></b> “Queen’s Gambit” nga Prishtina, “Gjyshja e Shahut” që prej viteve ’70 ia bëri shah-mat patriarkalizmit

“Queen’s Gambit” nga Prishtina, “Gjyshja e Shahut” që prej viteve ’70 ia bëri shah-mat patriarkalizmit

24.04.2022 12:09

Shumë nga ju mund ta keni parë serialin “The Queen’s Gambit” me kryepersonazhen Elizabeth Harmon, një vajzë e cila thyen të gjitha pengesat në Amerikën e viteve të 50-a për t’u bërë shahistja më e mirë në botë. Historia e saj si fëmijë e rritur në jetimore dhe problemet e saja me pilula qetësimi, e bënë edhe më dramatike dhe sfiduese mini-serinë më të shikuar në Netflix. 

Por pak nga ju mund ta dini historinë e Shehrije Mujajt, 60-vjeçares nga Prishtina, e cila në vitet e 70-ta në Kosovë po përjetonte në jetë reale sfida gati të njëjta sa personazhja e serialit në fjalë”. Por, për dallim prej Elizabeth e cila është një karakter fiktiv, Shehrija i ka përjetuar në lëkurën e saj “hjekat” për të njëjtën lojë: shahun.

Teksa në serial Elizabeth përballet me diskriminimin dhe betejën me veten për të mbërritur në majë, Shehrija nuk kishte probleme me veten, por me të tjerët. Dhe jo për të garuar. Por vetëm që ta normalizojë idenë se ajo mund të luante shah.

Për ta fituar “të drejtën për të luajtur”, zonja Mujaj është përballur me sfida që fatkeqësisht ende edhe sot vazhdojnë të tingëllojnë normale: qysh një gru me lu shah? 

Mbi të gjitha, rrëfimi i zonjës që njihet si “Gjyshja e Shahut” - që tash ua mëson nipave e mbesave këtë lojë përmes telefonit dhe që ka hapur klubin e parë për shahistet kosovare, “Malësorja e Kosovës” -  është një frymëzim “sesi të drejtat tua mund t’i proklamosh edhe duke luajtur një lojë”. Simbolika e historisë së Shehrije Mujaj në kontekstin tonë është shumë më e fortë se sa e Elizabeth Harmon në serialin “The Queen’s Gambit”. 

 The Queen’s Gambit Por në rastin e “The Queen’s Gambit” nga Prishtina, le të shkojmë në fund të lojës në shah.

“Malësorja e Kosovës” ia bën shah-mat patriarkalizmit

Jo shumë larg objektit të Qeverisë së Kosovës dhe NEWBORN-it, në një hapësirë që më shumë duket si kontejner, gjendet klubi i parë i shahisteve kosovare, “Malësorja e Kosovës”, i themeluar në vitin 2017. Aty tash është vendi i shumë vajzave dhe grave shahiste ose fanse të shahut a një llafi me çaj. Por, ky klub edhe të tjera funksione.

“Vajzat dhe gratë e klubit i kanë mujtë 9 burra në garat e ndryshme të shahut. Burrat nuk e lujnë me taktikë, po veç hajt. S’kam dyshim që gratë janë shumë më të mira në shah”, thotë me krenari dhe siguri Shehrije Mujaj e ulur në një nga tavolinat brenda hapësirës që duket sikur një tavolinë shahu në 3D. 

Dhe ka të drejtë që ndihet krenare.

Asaj i është dashur të kalojë gjithfarë komentesh, fjalë, e përjashtimesh nga burrat gjatë gjithë jetës, vetëm për të luajtur shah. Si fëmijë, Shehrije Mujaj lojën e shahut e mësoi nga babai, shahist i flaktë. Ai ia mësoi lojën vetëm sa për ta mashtruar, por kur Shehrija u bë lojtare e fortë, “u bo problem nër burra”. Babai i saj, i ‘’ra pishman’’ pse ia mësoi shahun. 

‘’Lojën ma mësoi vetë baba, por një ditë ka ardhë edhe më ka thanë ‘Nuk pasna ba mirë që të kam mësu’. E unë po e pyti menjëherë ‘Pse babë’?, ai tha, ‘kur po vijnë burrat këtu, ti menjëherë po vepron, po ndërhyn’. Burrat e kojshisë që lujshin me babën u kthejshin më këqyrshin qysh kjo po din me lujtë, babit nuk i ardhke mirë. E kur hecshin ata, i thojsha babës, pse babë s’po iu tregon se ti ma ke mësu lojën, se nuk është marre. Ai thojke unë lojën ta kam mësu, po në prani të burrave ti hesht, mos u shfaq se din me lujtë shah.”

Aq i fortë ka qenë besimi në idenë se “qysh gruaja me lu shah, plus edhe me folë”, sa burrat i kanë dhënë të drejtë vetes që ta gjykojnë edhe “ata që ia mësojnë grave lojën e shahut”.  Por, kjo s’e ka heshtur e as ndalur Shehrijen.

Unë nuk kam heshtë. I kam thanë jo babë, me lujtë shah nuk është punë e keqe për mu. Baba u kthy e më tha, po kjo është lojë e burrave. Po unë prapë nuk kam heshtë, gjithmonë kam këmbëngulë me depërtu, e i thashë babës se jo, lojërat nuk përcaktojnë gjini. Duhet me lujtë këtë lojë edhe çikat edhe gratë. Domethënë këto fjalë ia kam thanë gjatë viteve të 70-ta’’, kujton Shehrija. 

E njëjta mendësi do ta përcillte Shehrijen edhe kur do të martohej me burrin që ia kishin përcaktuar me mësit (mblesëri). Kjo ishte brenda mendësisë së bazuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit, në të cilin vajza, nusja, gruaja “nuk kanë tagër” për të zgjedhur më kë të martohen. Në këtë mendësi, Shehrija po e përdorte shahun si një mjet për të vazhduar të kërkonte të drejtat që i takojnë, përmes praktikimit të së “drejtës për të luajtur me burra”.

‘’Kur u martova, nuk e kam ditë që burrin e kam shahist, e besa më gëzoi ky fakt kur e mora vesh. Po kur erdha te shpia e burrit, ai më thojke po diqysh nuk po më vjen mirë prej nanës, me ditë ajo që ti lun shah. Uhhhh, unë këto sfida i kisha kalu te baba. Por, s’jam ndalë. Në prani të saj e qitsha lojën e shahin’’, tregon me krenari “Gjyshja e Shahut”.

Gjyshja e Shahut që ia mëson nipave dhe mbesave lojën me telefon

Lojërat e Shehrijes si fëmijë, nuk ishin fort të zakonshme si të çdo fëmije tjetër. Kukullat, e madje as veturat, si fëmijë ajo nuk i dëshironte. Por, lodra e saj e parë, ishte figura e lojës së shahut. “Hjekat” e saj nuk dëshironte që t’i përjetojnë edhe fëmijët e mbesat me nipa.

“Dy vajzat dhe djali luajnë shah, ua kam mësuar. Nejse, tash vajzat janë martu e me fëmijë, e s’po kanë kohë me u marrë shumë me shah, ama djali, fëmija i tretë është shumë shahist i fort”, thotë ajo.

Shehrija është gjyshe e pesë nipave dhe mbesave, të cilët nuk jetojnë në Kosovë, por që largësia nuk e pengon t’ua mësojë shahun.

Jam gjyshe, për të pestën herë dhe normalisht kam fillu edhe nipave dhe mbesave me ua mësu lojën. Ata jetojnë në gurbet, kështu që pak problem, por e marr telefonin dhe i thërras me kamerë edhe ua mësoj lojën. Nipi tetë-vjeçar ka fillu të mësohet prej meje, dhe jam shumë krenare”, thotë ajo.

Por, krahas nipave dhe mbesave, Shehrija ka një mision tjetër të cilin duhet ta përmbushë: si ta gjejë një vend të përhershëm dhe të rahatshëm për vajzat dhe gratë që janë në klubin e shahut “Malësorja e Kosovës”.

Me të drejtë, ajo kritikon qasjen e pabarabartë të institucioneve karshi grave, duke kritikuar Komunën e Prishtinës se të gjitha hapësirat publike që janë objekte e që mund të shfrytëzohen, u ndahen vetëm burrave.

“Te Teatri për shembull është një lokal ku luajnë shah. Por aty janë vetëm burra. Gratë aty nuk shkojnë se burrat e kanë bo qashtu për veti. Pse mos me pasë edhe gratë një lokal të tillë? Komuna po i ndan hapësirat vetëm për burra”, thotë ajo.

Tjera nga autori:
1