"Nuk jetohet nga letërsia, por jetohet për të. S ‘njoh shkrimtarë kosovarë që jetojnë nga shkrimtaria."

<b></b> Shkrimtarja Ilire Zajmi: “Nuk jetohet nga letërsia, por jetohet për të”

Shkrimtarja Ilire Zajmi: “Nuk jetohet nga letërsia, por jetohet për të”

05.05.2022 15:19

Duke pasur parasysh se letërsia nuk paguhet, e shkrimtarët kosovarë duhet të jetojnë disi. Ata duhet të gjejnë një punë të dytë që të mbijetojnë. A paraqet kjo rrezik për frymëzimin e tyre? Në anën tjetër, a paraqet rrezik që luksi ta dëmtojë shkrimtarin?

Për Nacionalen është përgjigjur shkrimtarja, juristja dhe gazetarja, Ilire Zajmi. Më poshtë mund ta lexoni bisedën me Zajmin.

Letërsia nuk paguhet, shkrimtarët kosovarë duhet të jetojnë. A duhet të gjeni punë dytësore, që të mbijetoni?

Nuk jetohet nga letërsia, por jetohet për të. S‘njoh shkrimtarë kosovarë që jetojnë nga shkrimtaria.

Prandaj, gjithsesi duhet të gjesh një punë që të ofron mundësi të gjallosh, të plotësosh nevojat e tua elementare jetësore.

Kam punë të rregullt, me orare të tejzgjatura, herë-herë plot me stres e tensione për shkak të natyrës së punës, por megjithatë, s‘do të mund ta imagjinoja ekzistencën time ndryshe. Pa një punë të përhershme, e cila të konsumon, të lodh, të harxhon pjesën më të madhe të kohës, nuk të krijon hapësirë për të lexuar apo punuar në projektet letrare në të cilat mundohesh të përkushtohesh si shkrimtare. E pranoj, mungesa e kohës më vret.

Çfarë është për ty letërsia?

Në radhë të parë një udhëtim imagjinar apo real në kohë e histori të ndryshme të njerëzimit, gdhendje karakteresh e fatesh njerëzore, jetë në jetën e në botën e tyre, në vurratat, ankthet, gëzimet dhe hidhërimet. Udhëtim që më ndihmon të perceptoj të vërtetën artistike, të bëj gjykime për vlerat dhe të përballem me kompleksitetin e jetës në mënyrë krijuese. 

Letërsia është kujtesë që të mundëson të kthehesh prapa në kohë, të shohësh botën me sytë e të tjerëve. Të atyre ndoshta, që s'i ke parë e njohur kurrë në jetën reale.

Letërsia është promotor i ndryshimeve, motor që vë në lëvizje shpirtin njerëzor, por edhe një shoqëri të tërë, pasi ka fuqi për të formësuar kulturën dhe historinë njerëzore.  

Dhe në fund, letërsia është një shteg apo rrugëtim drejt vetvetes. Letërsia është mjeti më i sigurt për të njohur më mirë veten, pasi është shprehja krijuese e metafizikës dhe qenies.

Çka pret ti nga ajo?

Asgjë, përveç lexuesve. Lexues, të cilët do të gjenin veten në faqet e librave të mi, duke u identifikuar me përjetimet e personazheve reale apo të trilluara.

Kurajon që idetë, mendimet dhe temat e trajtuara të pranohen, pëlqehen e shijohen nga lexuesit e librave të mi.

Na trego më shumë znj. Ilire, çfarë mundësie ju dha libri juve?

Libri më ofroi mundësi të pakufishme. Më dha zë t'u flas lexuesve përmes vargjeve, më dha guxim të shpalos botën time, më krijoi mundësi që përmes fuqisë së fjalës të luftoj për anën e errët të shumë gjërave.

Libri më dërgoi në vende të ndryshme të botës, më mundësoi të njoh nga afër gjuhë, popuj e kultura të ndryshme. Më mundësoi të fisnikëroj shpirtin, të njoh miq të shumtë, e të krijoj përjetime dhe përvoja të rralla që më kanë plotësuar si njeri dhe si shkrimtare.     

A mund të na tregosh anën tënde më të fortë në letërsi?

Besoj se ana ime më e fortë në letërsi është përdorimi i fuqisë së fjalës si formë revolte dhe proteste për dukuritë dhe temat që trajtoj, sidomos në poezi.  

Cila është arsyeja përse lexuesit duhet t'i lexojn librat tuaja?

Ka shumë arsye në fakt. Arsyeja e parë dhe më e rëndësishmja janë tematikat që trajtohen në librat e mi. Në poezi, lexuesit do të gjejnë copëzat e shpirtit të tyre të vargjet e stisura me plot lirizëm për jetën, dashurinë e vdekjen. Në prozë e publicistikë do të gjejnë personazhe që e kanë të vështirë të bëjnë zgjedhjet e tyre në jetë, apo që kanë kaluar rrugën e ferrit në luftën e Kosovës. Personazhe që rrëfejnë në vetën e parë për historitë e dhunës, vuajtjes, humbjes së njerëzve më të dashur, ikjes, mbijetesës por edhe humbjes së ëndrrave dhe dëshpërimit me lirinë.

Për brezat e lindur pas 1999, këta libra janë si një lloj udhëtimi në kohë, në një të kaluar jo fort të largët të historisë sonë më të re, pasojat e së cilës i vuajmë edhe sot.

A mund të na ndash disa pasazhe të cituara nga libri yt i preferuar (që është shkruar nga ju)?

Era Shpati u ul në ulësen e saj numër 28 në aeroplanin çarter, të linjës Prishtinë-Lubjanë–Romë. S‘kishte çka t’i thoshte më vetes, pasi deri në atë çast i kishte thënë të gjitha, ashtu siç s’kishte më se çfarë të humbte. Për të, jeta kishte qenë si një lojë pokeri ku i kishte humbur të gjitha. Tashmë, priste vetëm nisjen e atij aeroplani. U mundua të shikonte përtej xhamit të dritares së aeroportit. Në sallën e pritjes nuk vinte re askënd. Shihej vetëm shiu i imët dhe qielli i zymtë.

Një e qarë fëmije i shkaktoi të dridhura. Kjo ikje ishte një tradhti për njeriun e vetëm të saj. Në barkun e saj ndjeu se po rritej fryti i dashurisë së tyre. Si do ta rriste një fëmijë e vetme, çka do t’i thoshte për të atin?!

Atë çast, zëri i Kaltrinës i ushtoi në mendje: ”Gjithçka që kam dashur në jetë janë fëmijët e mi. Pa ta jeta ime s‘do të kishte asnjë kuptim.”

Zëri i stjuardesës paralajmëronte nisjen pas pak të fluturimit. Era vështroi edhe një herë kah ndërtesa e aeroportit. Pavetëdijshëm hoqi rripin e sigurisë, me mirësjellje u ngrit në këmbë. Dhe bëri kah dera.

“Ku po shkoni zonjë? Jemi para nisjes. Keni ndonjë problem? Nuk ndiheni mirë? Zonjë... “

“Më duhet të zbres. Nuk mund të udhëtoj. Do të alivanosem. Hapni dyert, ju lutem!”

Stjuardesa e përcolli deri te dera e aeroplanit. Në atë çast punëtorët e pistës po largonin shkallët. Ata e vështruan Erën me çudi, të verdhë dyll në fytyrë.

*****

Ardita e Suferina bërtitën kur panë erën të zbriste shkallët. Butrinti i ulur në një karrige s’dëgjonte gjë. Tashmë qëndronte i ngurtësuar si një statujë antike në karrigen e metaltë të aeroportit.

Dikush e puthi fort, i njomi shpinën nga prapa me lot. Dy duar i mbuluan fytyrën me ëmbëlsi. Pastaj një fytyrë gruaje i doli përpara.

“Të dua, të dua, Butrint Shkëmbi! Nuk dua të shkoj askund. Dua të bëhem e jotja përgjithmonë!”

Era e shtrëngoi fort duke mërmëritur:

“Butrint Shkëmbi, unë të kam lënduar. Por të dua, dhe kjo s më tremb më. S’kam frikë nga dashuria. Më në fund e kuptova, se pa ty, nuk më duhet asgjë”.

Ai s’po mund t’iu besonte veshëve të tij. E preku në fytyrë, në buzë, në trup. Ishte ajo, gruaja e jetës së tij. Era Shpati. Era e jetës së papërsëritshme.

Fragmente nga “Fashitja e ëndrrave rebele” – roman.

 A e kanë zbehur mjetet e komunikimit elektronik letrën?

S‘do mend, sepse mjetet e komunikimit kanë ndryshuar gjithçka.

Por letra vetëm ka ndryshuar formë. Në vend të disa letrave, sot marrim me dhjetëra letra elektronike, në forma të ndryshme.

Megjithatë, letrat në mënyrën se si shkruheshin e dërgoheshin dikur, kishin një bukuri dhe ritual të papërsëritshëm, për të cilin ndiej nostalgji ndonjëherë.

A mendon se sot më shumë njihen “statusat”, “memet” e figurave publike nëpër rrjete sociale sesa librat dhe shkrimtarët?

Jetojmë në kohën kur mediat sociale ndodhen në kulmin e zhvillimit të tyre. Secili prej nesh është bërë pjesë e “fshatit global’”. Varet si i përdorim këto mundësi. Figurat publike për të promovuar veten përmes statuseve, shkrimtarët duke postuar librat apo krijimtarinë e tyre. Nuk e shoh aspak problematike këtë, pasi rrjetet sociale nuk krijojnë monopol, dhe të gjithë mund t'i përdorin mundësitë e shumta që i ofrojnë.  

Nuk i shoh si konkurrencë “statuset” dhe “memet” e figurave publike, me librin dhe shkrimtarin. Përkundrazi. Secili përdorues i rrjeteve sociale, ka lirinë e përzgjedhjes, përdor median e vet dhe kanalet e ndryshme të komunikimit. Më shumë lexues, më shumë komentues e vlerësime sot ka në rrjetet sociale për librat, sesa në debate apo promovime librash.

A i mungon diçka letërsisë sot?

I mungon shumëçka. I mungon lexuesi në radhë të parë. Ai për të cilin libri shkruhet e botohet. I mungojnë tematikat dhe kritika e mirëfilltë letrare. I mungon përkthimi në gjuhët e huaja...

 A ka rrezik që luksi ta dëmtojë shkrimtarin?

Njëra ndër shkimtaret e mia të preferuara, Virginia Woolf, në librin "A Room of One's Own", shkruan: “Një grua duhet të ketë të holla, dhe një dhomë më vete, nëse ajo do të merret me letërsi.“

Zajmi ka të botuar dhjetë libra: përmbledhjen me poezi “Këmbanat e mëngjesit”, romanet “Fashitja e ëndrrave rrebele” dhe “Era”, librin publicistik “Një tren për Bllacë”, si dhe përmbledhjet me poezi “Baladë e bardhë”, “Valsi i mesnatës”, “Amnesia”. Librin studimor “Pamjet televizive dhe realiteti” dhe vëllimin me poezi “C 'estla fin” i ka të botuara në gjuhën frenge. Është bashkëautore në tri antologji: “Take të larta”, “Gjuha e dashurisë poetike” dhe “Nënës”. Shkruan poezi, prozë, si dhe merret me përkthime letrare nga gjuha angleze dhe italiane. Është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe e qendrës PEN.

Tjera nga autori:
1