<b>A po përdoret</b> flija nga muzikantët për ta tërhequr pas vetes popullin shqiptar?

A po përdoret flija nga muzikantët për ta tërhequr pas vetes popullin shqiptar?

23.05.2022 16:33

"Më pëlqen pitja, më pëlqejnë qebapat, më pëlqen flija", pati thënë Rita Ora për radion më të famshme të Nju Jorkut, 'Hot 97', në vitin 2015.

Ishte ende veç fillimi i entuziazmit të ngritjes së Orës dhe të gjithë po i bënin veshtë katër sa herë ajo shfaqej diku se mos po e përmendte Kosovën rastësisht ose nëse do të thoshte diçka që të paktën ka të bëjë me Republikën më të izoluar të Evropës.

Ajo na mbante... në mungesë të progresit politik, social e kulturor.

Dhe manipulimi e ekspozimi me këtë lloj emocioni të një populli që s'kishte shumë arsye për të rrahur gjoks, filloi të gjente përdorim të madh tek artistët që pretendonin të fitonin simpati e empati nga një audiencë e gatshme për mjelje.

Po, çka i duhet fama në Kosovë dikujt si Rita Ora, kur gëzon famë globale? Kjo është pyetja që mund ta shtrojë dikush.

Epo, shumë pak dallon dikush si Rita Ora me dikë si, ta zëmë, Vedat Muriqi... fama nëpër botë mund të fitohet, por asnjëherë nuk barazohet me dashurinë dhe simpatinë e sinqertë e të fuqishme që një sportist/artist mund ta gjejë në vendin e vet. Përveç kësaj, tregu shqiptar është multimilionësh dhe si i tillë, nuk mund të shpërfillet.

Metoda 'gjeniale' e Orës për t'u mishëruar me një popull të tërë hapi një horizont të ri të të menduarit edhe për artistët vendorë.

Menjëherë pas asaj deklarate të Orës ku shprehu dashurinë për qebapa, pite e fli, pasoi një këngë e Lumi B me titullin "Hi Lumi", ku në sfond dëgjohet ajo që kishte thënë Ora për radion njujorkeze në fillimin e këngës.

"A di me bo fli ti?", pyet në refren z. Lumi B pa rreshtur në këngën e cila sot ka mbi 8.5 milionë klikime.

Në fakt, asgjë tjetër nuk ka kuptim përgjatë 2 minutave e 39 sekondave sa zgjatë kënga, me një pjesë të madhe ku gjen përfaqësim vetëm instrumentali pa u thënë as edhe një fjalë. Krejt kënga është e fokusuar te pyetja "a din me bo fli ti?". Qartazi autori e dinte se është mundësi fantastike që populli të mishërohej me të e t'i ngulitej në ndërdije - sa më shumë përmendje të flisë, aq më shumë klikime.

"Pasi ta shihni këtë, do të përgatisni pjata shqiptare nga e majta në të djathtë", thotë Action Bronson (reper i famshëm me prejardhje kosovare në Amerikë) në një episod gatimi për kanalin "Munchies" në YouTube, derisa shihet duke përgatitur pite me mish.

Vite më vonë, Action Bronson do të vinte në Prishtinë dhe do të pritej me ngazëllim nga populli.

Derisa po ecte rrugës që njihet me emrin "Kafet e rakisë" në Prishtinë, një person u ngrit nga vendi ku po qëndonte dhe iu afrua për t'i shtrënguar dorën reperit amerikan. Ky i fundit me kënaqësi shkëmbeu tokje duarsh me fansin kosovar, i cili i lëshoi një qese me mariuanë në dorë, sigurisht në shenjë 'respekti' dhe 'mirënjohje', pasi ashtu edhe u pranua nga reperi, i cili falenderoi fansin dhe futi qesen në xhep për të vazhduar tutje.

Isha prezent aty dhe e pashë krejt ngjarjen fillim e fund. Përmendja e pites me mish e flisë nëpër botë, mund t'ju fitojë qese të mariuanës në Prishtinë te 'kafet e rakisë'. Briliante, apo jo?

Rasti i lartpërmendur nuk është hera e parë dhe e fundit që Bronson ka folur për ushqimet tradicionale shqiptare, siç nuk është as ky i Dua Lipës gjatë një interviste për 'Vogue'.

"Nëna ime gatuan ushqim fantastik tradicional shqiptar. Mezi pres të ha, sidomos pas një periudhe të gjatë në turne", thotë ajo kur pyetet për ushqime.

Në fakt, kontributi i saj për Kosovën nuk po del të jetë vetëm përmendja e ushqimeve tradicionale, pasi lobimi i vazhdueshëm për liberalizim vizash dhe ngritja e nivelit kulturor në vend me festivale si 'Sunny Hill', janë mirë të dokumentuara në mbamendjen e popullit.

E fundit që ka përdorur flinë si mjet mishërues me popullin është edhe këngëtarja Melinda, e cila në këngën e fundit "All Night" ‘pështyn’ një frazë interesante:

"Jo nuk ki bad b**ch like me (k**vë të keqe si unë)

Që ta rexh kllabin, e n'shpi t'bon fli."

Kënga në fjalë ka aktualisht më shumë se 6.5 milionë klikime dhe... më mirë ta lëmë me kaq.

Ditë më parë, e njëjta publikoi një video në Instagram ku shihet duke përgatitur fli, ndërsa në sfond dëgjohet kënga e saj e re.

"Kush o për fli, më komentoni", thotë ajo në mbishkrim, derisa videoja deri në kohën e këtij shkrimi ka marrë mbi 300 mijë klikime.

Komercializimi i ushqimit tradicional duket mjet me pushtet nëse përdoret me mençuri. Kush e di, ndoshta pasi të harxhohet kjo mënyrë e ekspozimit, do të fillohet 'manipulimi' i masës me plisa, dimia e ushkurë.

Ajo çka mund të themi është se secili artist ka nevojë për një fan-bazë të madhe dhe vibrante. Megjithëse artistët e lartpërmendur mund të krenohen për famën ndërkombëtare, në fakt kjo famë u shtyhet përpara më së shumti nga publiku kosovar që luan rol të jashtëzakonshëm në rritjen e tyre.

Tjera nga autori:
1