Psikologu, psikoterapisti dhe profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fitim Uka, ditën e djeshme ka ndarë për publikun një lajm tejet të rëndësishëm për psikologjinë dhe psikoterapinë në Kosovë. Ai ka bërë të ditur që Asociacioni i Psikologëve Amerikanë ka publikuar një artikull të plotë për Terapinë e Kohezionit të Brendshëm.
Pak muaj më parë profesori Fitim Uka promovoi librin e tij të dytë, "Teoria dhe psikoterapia e kohezionit të brendshëm", duke sjellë kështu një frymë të re në psikoterapi. Teknikat e sjella nga profesori Uka janë konsideruar shumë praktike dhe janë dëshmuar të suksesshme në trajtimin e ankthit dhe depresionit. Kjo e arritur ka marrë edhe vëmendje ndërkombëtare, me ç’rast American Psychological Association (APA) në faqen e vet zyrtare ka publikuar një artikull të plotë për ‘Terapinë e Kohezionit të Brendshëm’.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë profesori Uka, i cili në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar:
Krenar dhe shumë i lumtur!
Asociacioni i Psikologëve Amerikanë, divizioni i 29-të “Society for the Advancement of Psychotherapy”, ka publikuar në faqen e saj zyrtare një artikull të plotë për Terapinë e Kohezionit të Brendshëm. Po, po! Asociacioni i Psikologëve Amerikanë :)
Unë nuk jam fare modest, por vërtet ky është lajm i jashtëzakonshëm, jo vetëm për mua dhe Terapinë e Kohezionit të Brendshëm, por edhe për psikologjinë dhe psikoterapinë në Kosovë.
Në vegëzën e mëposhtme mund ta gjeni artikullin e publikuar nga APA:
https://societyforpsychotherapy.org/toward-a-new-eclectic-approach/
Ndryshe një sukses i tillë përbën lajm të rëndësishëm për komunitetin e psikologëve dhe psikoterapistëve kosovarë.