<b></b> Aktori kosovar shokon Beogradin: Serbia ka kryer gjenocid, këta janë artistët e bandës të së “djathtës ekstreme”

Aktori kosovar shokon Beogradin: Serbia ka kryer gjenocid, këta janë artistët e bandës të së “djathtës ekstreme”

13.06.2022 15:25

Arben Bajraktari, një nga aktorët kryesorë të serisë “Besa”, një bashkëprodhim ballkanik filmik, ka bërë disa deklarata në Serbi që nga mediat atje janë konsideruar provokim i jashtëzakonshëm. Aktori kosovar që së fundmi mori pjesë ne Festivalin e Cannes në një film të prodhuar nga vëllëzërit Dardanne “Tori Et Lokita”, është edhe pjesë e shfaqjes “Project Handke”, prodhim i Qendrës Multimedia në Prishtinë, që u shfaq në Beograd së fundmi. Ai ka dhënë një intervistë për revistën javore serbe “Nin”. 

Në këtë intervistë, Bajraktaraj ka akuzuar njerëz të sferës akademike dhe letrare në botë, sidomos asaj që ia dha çmimin “Nobel”, Peeter Handke, si hipokrit. Handke mori çmimin Nobel, përkundër faktit se ai ishte një mbështetës i madh i Sllobodan Millosheviqit dhe mohues i gjenocidit në luftën e fundit që shpërbëri Jugosllavinë. 

“Me shfaqjen për Handke, ne nuk japim mirënjohje për të, por e shpërfaqim se si ai ka marrë pjesë në mohimin e gjenocidit dhe krimeve të luftës. Ne shpërfaqim taktikat që ai ka prdorur dhe se si nuk ka qenë i vetëm, se ka pasur njerëz prapa tij, që e kanë ndihmuar të fitojë edhe çmimin Nobel. Hipokrizia e tij është pasqyrë e kohës sonë, ku është rritur edhe mohimi i gjenocidit në Francë për shembull. Aty është edhe Patrick Besson, Rene Gerard, që shkruajnë për Figaro. Ata janë një bandë, një bandë e vërtetë, që tashmë janë të frikësuar që nuk mund ta mbështesin hapur shokun e tyre të dashur, Putinin”, ka thënë Bajraktaraj në këtë intervistë që ka shokuar opinionin publik në Serbi. Sidomos mediat pro-Vuçiq në Serbi, të cilat, të gjitha, pa përjashtim, të hënën kanë dalë me tituj si “Skandaloze” apo “Provokim i madh”, duke komentuar deklaratat e aktorit kosovar.

Për ta bërë edhe më të madh dhe më të fuqishëm “provokimin”, aktori kosovar Bajraktaraj, ka folur edhe më shumë për Handke. 

“Handke dhe banda e tij janë duke u fshehur prapa perdes së lirisë së të shprehurit dhe gjenialitetit në art. Çka ne po bëjmë përmes kësaj shfaqjeje, është një akt rezistence. Nuk është vetëm një shfaqje, është një luftë që kemi vendosur ta luftojmë. Askush nuk e ka vënë në pikëpyetje përgjegjësinë e kësaj bande, dhe për më tepër ata ende duartrokiten. Kjo bandë për të cilën po flas, ka edhe mbështetjen e hapur të krahut të djathtë ekstremist, që janë gjithkah nëpër Evropë e që përodorin artistët si pjesë të ideologjisë së tyre”, ka thënë aktori kosovar.

Shfaqja “Projekti Handke” është shkruar nga dramaturgu kosovar Jeton Neziraj, i cili në mediat serbe po paraqitet edhe si “projektuesi i pamfletit anti-serb”. Regjinë e shfaqjes e ka bërë regjisorja Blerta Neziraj, e cila për gazetën “Danas” në Serbi ka thënë se shfaqjen me qëllim e kanë bërë duke u pozicionuar kundër Handke dhe mohimit që ai ia ka bërë gjenocidit në Jugosllavi dhe krimeve të luftës. Këto kanë nxitur shumë reagime edhe nga dramaturgu dhe shkrimtari serb. Disa prej tyre janë Dragoslav Bokan, regjisori Predrag "Gaga" Antonijević dhe Muharrem Bazdulj.

Tjera nga autori:
1