“Mbi 300 persona janë intervistuar, 86% e tyre kanë raportuar se nuk kanë asnjë aktivitet në lagjet e tyre"

<b>Arti veç në qendër/</b> Katër prej pesë prishtinalive ndihen të përjashtuar nga ngjarjet kulturore

Arti veç në qendër/ Katër prej pesë prishtinalive ndihen të përjashtuar nga ngjarjet kulturore

23.05.2022 11:15

Në shumicën e përshkrimeve për kryeqytetin e Kosovës, ekziston një fjali që i referohet Prishtinës si qytet i kulturës dhe ngjarjeve të mëdha në art e kulturë. Por kur përmendim Prishtinën dhe ngjarjet kulturore që ndodhin aty, zakonisht kemi të bëjmë me një rreth të vogël gjeografik, të kufizuar vetëm në qendër të Prishtinës, rreth shesheve dhe lagjes Qafa. 

Po sa janë këto ngjarje të qasshme për banorët e lagjeve jashtë qendrës, sikurse Velani ose Vranjevc? Një hulumtim i kryer nga Bienalja Manifesta, saktësisht Departamenti i Edukimit, ka nxjerrë në pah se shumica absolute e prishtinasve që banojnë jashtë zonës Qendra, ndihen të përjashtuar nga ngjarjet kulturore. 

Erleta Morina, koordinatore në Departamentin e Edukimit, në një bisedë për Podcast Nacionale, thotë se ky ka qenë një nga hulumtimet e para që Bienalja i ka kryer, për t’i ndihmuar asaj që të vendoset në Prishtinë. 

“Mbi 300 persona janë intervistuar, 86% e tyre kanë raportuar se nuk kanë asnjë aktivitet në lagjet e tyre. Pra, ndihen të përjashtuar nga këto ngjarje”, thotë Erleta, teksa shpjegon sesi “Manifesta” duke përdorur këto të dhëna ka vendosur që programin e saj ta shpërndajë nëpër lagjet e ndryshme jashtë zonës Qendra. 

Morina në këtë podcast tregon për atë se si bisedat dhe anketat me banorë, punëtorë të kulturës, e besa edhe punëtor të shëndetit mendor, kanë nxjerrë në pah shumë problematika në lidhje me atë se sa është qyteti për banorët dhe se sa janë të rëndësishme ngjarjet që qyteti i tyre i ofron për ta.  

“Para Bienales, Manifesta ka tentu me kuptu kontekstin lokal dhe të qytetit, që me hartu një program që i flet audiencës”, thotë Morina. 

Ajo ka koordinuar punën hulumtuese të Departamentit dhe i njeh mirë të gjeturat që kanë ardhur si të reja.

“Kam kuptuar disa anë emocionale që njerëzit i kanë me disa objekte ose hapësira publike”, thotë ajo. 

Dëgjojeni këtë podcast për të kuptuar më shumë mbi atë se çfarë mendojnë prishtinasit për Prishtinën dhe çka u ofron atyre kryeqyteti me kulturën e fokusuar vetëm në Qendër.

Tjera nga autori:
1