<b>As Unikkatili</b> s'mund ta 'kthejë në jetë': Diss-i i Feros është aq i keq, sa duhet ndaluar me dekret shtetëror

As Unikkatili s'mund ta 'kthejë në jetë': Diss-i i Feros është aq i keq, sa duhet ndaluar me dekret shtetëror

08.05.2022 14:31

Realisht, nuk ka shumë të thuhet e të analizohet.

Është thjesht e keqe çkado që është kjo e fundit që e publikoi Fero si "përgjigje" ndaj "po eci" të Unikkatilit ditë më parë.

Në artikullin kushtuar "po eci" e potencuam se ishte hap i gabuar ai nga Unikkatili që vendosi të merrej me dikë si Fero, në këngën që po pritej me interesim monumental nga fansat e reperit mitik.

Në fakt, marrë parasysh pozitën e Feros në industrinë e hip-hopit para këngës së Unikkatilit dhe reputacionit të këtij të fundit përtej këtij zhanri, nuk do të ishte larg mendsh të supozonim për ndonjë marrëveshje të fshehtë marketingu mes këtyre dyve.

Një teori tjetër solide është se "po eci" mund të mos ketë qenë fare drejtuar për Feron, por për dikë tjetër po aq jo relevant si ky i fundit, Duda, i cili jo në pak raste e ka quajtur e etiketuar Unikkatilin si "picamen" (burrë që përgatitë pica), frazë të cilës i referohet Unikkatili në dissin e tij pak ditë më parë.

Por krijuesi i "baba për ikona" nuk e pati ndërmend të linte një teori të tillë të fitonte përmasa më të gjera, teksa nuk hezitoi që menjëherë krejt narrativën të kthente nga vetja.

Nëse flasim për atë që Fero sigurisht se pretendon se është diss por që nuk ka të bëjë fare me të, është thjesht budallallëk.

Njëmend, dissi i supozuar, 'BMW', i publikuar më 7 maj, nuk duket asgjë tjetër se një këngë tjetër e tmerrshme nga një listë e gjatë që duket se do të na presë këtë verë me të tilla.

'BMW' fillon me "moj katile, çka m'ke bo", e përcjellur nga e qeshur irrituese, e që është jashtëzakonisht fëmijërore komplet si mënyrë dhe mendësi për të filluar një 'diss' kundër një prej reperëve më të mirë të të gjitha kohëve, madje edhe për standardet e Feros.

Ajo çka dëgjojmë për 2 minuta e 38 sekonda është absolutisht e kotë e që duket si këngë e përfunduar kohë më parë por, pas dissit të Unikkatilit, qartazi gjilanasi duhet të jetë rikthyer për ta modifikuar me nja dy-tre rreshta që supozohet të jenë përgjigje për ikonën e shqip-hopit.

"S'je katil je p**er, dilni përpara ju pres, prej aeroplanit jom n'kerr..." oh Zot, as që do të vazhdoj tutje.

Së pari, përveç që janë vargje të tmerrshme dhe pa ndonjë lloj mprehtësie e lojë të fjalëve të paktën mediokër, karakterizohen me një mungesë të theksuar kredibiliteti për t'u thënë në rend të parë.

Fero ka punuar me zell të madh përgjatë tërë karrierës që të mos i besojë askush kur luan "djaloshin e fortë", duke e shndërruar veten në një meme gjenerale dalëngadalë. Për të qenë fer, albumi 'Self Loyalty' ishte goxha premtues, por gjithçka ka qenë rënie e lirë për të që nga atëherë.

Dalja e tij nga On Records, pastaj parada mediatike ku lobonte për "pavarësi artistike" e këshillonte të rinjtë të mos nënshkruajnë marrëveshje të dëmshme me kompani të ndryshme muzikore, e pastaj rikthimi te e njëjta pasi kishte thënë se nuk do të bënte kurrë një gjë të tillë po të kthehej në kohën e marrëveshjes së parë, është një tjetër debakël artistik për të dhe kredibilitetin e tij inekzistent tashmë.

Oh, edhe një gjë që duhet ta largoj nga supet rreth Feros... kurrë, absolutisht kurrë nuk do ta falim për atë që diti të bënte në këngën për UÇK-në e që është përtej çdo 'cringi' që ju mund të keni përjetuar ndër vite.

Hidhni një sy më poshtë nëse tashmë nuk jeni të familjarizuar me këngën në fjalë (klikoni në 'watch on youtube' për ta shikuar e dëgjuar).

Është e kotë të elaborojmë tutje rreth 'BMW' pasi thjesht duket rrëmujë e vërtetë dhe katandisje e një mundësie të artë që i dha Unikkatili realisht për ta rimëkëmbur karrierën.

Imagjinoni t'iu bëjë diss dikush që, për shumicën, konsiderohet si reperi më i mirë i të gjitha kohëve, e përgjigja juaj të jetë kjo më poshtë...

Problemi është se askush nuk po qesh e nuk po i duket interesante më. Në fillim ishte paksa tabu e pathyer kjo arroganca e pretenduar se "jam më i miri prej krejtve" dhe ngacmimet që u bënte reperëve të tjerë, por ecim përpara disa vite dhe kemi një "na ishte njëherë e një kohë". Iniciativat e mangëta për qasje ndryshe ndaj lojës dhe harxhimit të ideve artistike për ta ndryshuar përceptimin rreth vetes, po ia thellojnë edhe më shumë "pozitën mjeruese" të njejtit në skenën e shqip-hopit.

Tjera nga autori:
1