<b></b> Baton Haxhiu dhe Edi Rama telefonojnë Vuçiqin (Trill)

Baton Haxhiu dhe Edi Rama telefonojnë Vuçiqin (Trill)

22.06.2022 17:22

*Teksti i mëposhtëm ka natyrë sarkastike, është botuar nga TNK (Thashetheme nga Kupola), dhe jodomosdo pasqyron realitetin dhe qëndrimet redaktoriale të Nacionales.

Rama dhe Batoni telefonojnë Vuçiçin

Pas vizitës në Prishtinë, Rama, Mero dhe Batoni janë në zyrë të relaksuar.

Rama: " E pe si e telendisa apo jo. E pe ç'i bëra? Po mallkonte ditën që më kishte njohur. I iku gjuha, u bë memec. Kyyy "ideollogu i madh", "nxënësi i Zhizhekut". Folklorizma! Aq keq e degjenerova sa filloi të më vijë keq për të"

Mero: "Aman veç për keqardhje mos më fol ti. Ti dhe unë tallim dhe Muhamedin me Budën. Lëre pastaj kur të shoh si citon Kuranin. O zot! Ajo shprehja "Për interesat e veta edhe djalli citon Biblën" më duket sikur është shkruar pikërisht për ty. Keqardhja dhe ti janë armiq sa izraelitët me palestinezët.

Batoni është i skuqur nga lumturia. Sytë i janë lëngëzuar, buzët i rrinë gjysëm të hapura. Edhe flokët i reflektojnë ekzaltim. I janë kreshpëruar e harlisur si një miniaturë e gjendjes së Batos.

Bato: Njeriiiii, ti idenë nuk e kie çka ke bo! Prishtina për herë të parë ka pa qka domethanë lider! Edhe qyteti ish zbukuruar si asnjiherë ma parë. Njerëzit ishin ma të bukur, ma me shpresë, ma me besim. Mesia je ti! Unë e kom thanë, i kom thanë edhe Sandrit, ky njeri ka me qenë së shpejti Shefi i Bashkimit Evropian. Evropa ka me qenë ma e civilizuar nën udhëheqjen tane. Kam vu bast me Sandrin, mrenda tri viteve. Qfarë diskursi njeriiii. I shifsha kosovarët e ngratë. Ia përpishin fjalën, e hajshin me shikime, dojshin me u rreh për një foto. Ja, ky osht Edi jonë"!

Këtu Batos iu ndie një dridhje zëri. Një lot e tradhëtoi. Ndërhyn Mero për ta thyer situatën melodramatike.

Mero: "Ramë, Vuçiçi a e kishte ndjekë takimin, të shkroi gjë"?

Batoni në moment fshin lotin dhe ndërhyn:

Bato: "Ta marrim Vuqën patjetër në telefon. Do jetë kënaqë. Ti Mero nuk e di por të siguroj se një pjesë e adhurimit të kosovarëve ndaj Edit bazohet te miqësia e tij me Vuqën. Habiten. Nuk e kuptojnë. Dhe këta kanë prirje që gjanat që nuk i kuptojnë, ti adhurojnë".

I bien numrit të Vuçiçit. I pari flet Rama.

Rama: "I dashur Sasha. Nuk e di a e pe por atë vizitën e Kosovës e kreva. Albini as gëk as mëk, si nxënës filloreje. E përqafoja, e lavdëroja, e ngacmoja, e tallja publikisht... Ça nuk i bëra po të them! U tall gjithë Kosova me të. Po të bëhen sot zgjedhje në Kosovë e të marr pjesë unë 60% janë n favor timin. Me atë vend mund të luaj, Sasha,  siç luaj me Zahon. Inferiorë, katundarë, lepepeqas, adhurues. U mbyll ai sektor tashmë"

Vuçiç: "Hvala ti dragi brother Edi. Edhe me mua ka filluar të ndryshojë. Dje nënshkroi një marrëveshje të rëndësishme për elektricitetin. Pranoi që një kompani serbe të bëjë furnizinin dhe mbledhë faturat e energjisë së Veriut të Kosovës...Goxha përmirësim"

Ndërhyn Batoni.

Bato: "I dashur Vuq, e shkrujta një kolumne për ket qashtje. E quajta "Tradhtia e parë". E bona për një lek Albinin.

Ndërhyn Edi. "Ore Baton, kaq koqe je mor burrë? Po ne dje u përqafuam e bëmë sikur ishim miq ti shkon e bën këso arllëqesh? Urgjent hiqe shkrimin. Po më dëmton Bato, shumë"...

Bato nuk do donte të ishte gjallë atë moment. Sheh Meron që nënqesh me djallëzi. Bëhet sterrë i zi dhe çon një sms te redaksia : "Hiqeni kolumnen time".

Mero ia pret me djallëzi:

 "Kot e heq o Bato se e kishte marrë gjithë media e Kosovës. Edhe unë bëra editorial por e bëra siç di unë, plot helm. Thosha që Albini u bë me Berishën e Metën se mendonte ata të mundnin Ramën, Berisha u bë me Albinin se mendonte se ai do e mundte Ramën. Rama i mundi ata të dy bashkë vjet dhe Albinin sivjet. Duke zhgënjyer adhuruesit e të treve".

Batos u bë dy lek burrë. U struk në divan. Fillimisht u skuq pak pastaj u bë si vishnjë dhe po nxihej.

Rama e pa dhe iu afrua. Kur foli për keqardhjen në fillim mendoi se vetëm për Baton ka ndier vërtet keqardhje. "Si arush është" - mendoi me vete. "I duket vetja se ka ndonjë ide ngaqë mban ligjërata te Fevziu. Por më don pa kushte si Blondi Hitlerin. "Dhe unë që e marr seriozisht" vazhdoi mendimin Rama. "Më mirë 100 herë një Bato që më do pa kushte sesa një djall si Mero që edhe përqafimet i ka me helm. U çua dhe e përqafoi Baton. Ky menjëherë u gjallërua dhe iu lëshua në grykë me shprehjen që sapo kishte thënë Vuçiç më lart: "Faleminderit që ekziston Edi"

Tjera nga autori:
1