<b></b> Çka është trashëgimia kulturore?

Çka është trashëgimia kulturore?

14.06.2022 10:52

Si t'ia shpjegosh dikujt kur të pyet se çka është trashëgimia kulturore?

Trashëgimia kulturore është mekanizëm për të treguar një identitet kulturor. Kur ne përmendim termin trashëgimi kulturore, i referohemi artefakteve, objekteve ose zakoneve të cilat një shtet ose shoqëri vendos t’i ruajë me qëllim që të tregojë historinë e një vendi, kulture apo vendi. Për shumicën e shteteve dhe popujve nëpër botë, trashëgimia kulturore është një nga asetet më të rëndësishme për të treguar origjinën e tyre. 

Institucioni më i rëndësishëm në botë për trashëgimi kulturore është Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO. Në këtë agjenci janë të ruajtura globalisht mbi 1 mijë monumente nga 167 vende të botës. Secili shtet në vete, ka një listë të aseteve të mbrojtura me ligj e që llogariten si trashëgimi kulturore. Italia është një nga vendet me pasuri më të madhe të trashëgimisë kulturore. 

Por çka është trashëgimi kulturore e Kosovës?

Trashëgimia kulturore në Kosovë, është goxha e lashtë. Gjithsej janë të evidentuara mbi 3 mijë asete të trashëgimisë kulturore, por në mbrojtje të përhershme të shtetit janë jo më shumë se 30 asete. Këto asete janë të trashëgimisë arkitekturore, arekologjike, të luajtshme dhe shpirtërore. Trashëgimi kulturore arkitekturore janë shtëpitë ose objektet të cilat përfaqësojnë një periudhë të caktuar për periudha specifike të historisë, sikurse Muzeu Etnologjik që është sot. Trashëgimi arekologjike janë objektet të cilat janë zbuluar nga gërmimet e arekologëve, sikurse Ulpiana në Prishtinë. Trashëgimi e luajtshme është ndonjë artefakt i zbuluar nga arekolgët por që ruhet në muze e që mund të lëvizet. Ndërsa trashëgimi shpirtërore është ndonjë zakon apo traditë, sikurse për shembull Vallja e Rugovës apo Lahuta.

Trashëgimia kulturore është definuar si një ndër sektorët prioritarë të Qeverisë së Kosovës, siç përcaktohet në Programin e Qeverisë të Republikës së Kosovës 2015-2018 dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2015-2018. Këto dokumente dhe të tjera respektive përbëjnë bazën institucionale për hartimin e kësaj Strategjie Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore 2015-2025; bazën ligjore e përbëjnë ligjet në fuqi, respektivisht: Ligji për Trashëgimi Kulturore, Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit, Ligji për Hoçën e Madhe, Ligji për Fshatin Zym; ligjet tjera (Ligji për Planifikimin Hapësinor, Ligji për Arkivat, Muzetë, etj.), aktet ligjore dhe nënligjore, përfshirë provizionet e bashkëpunimit evropian dhe konventat ndërkombëtare të cilat i ratifikon Republika e Kosovës.

Trashëgimia kulturore e Kosovës është shprehje dhe krijimtari e realiteteve jetësore të zhvilluara në harkun kohor mbi tetë mijë vjet, që nga parahistoria në vijim deri më sot. Kjo pasuri e trashëguar me vlera unike artistike, estetike, historike dhe karakteristika tradicionale, ilustrohet me diversitetin e pasur të trashëgimisë arkitekturore, arkeologjike, të luajtshme dhe shpirtërore, si dhe me peizazhin e pasur kulturor.

Tjera nga autori:
1