<b>Depp - Heard: </b> Dëshmitarët përkrahin pretendimet e Heard për abuzim, krejt çka ndodhi në seancën e fundit

Depp - Heard: Dëshmitarët përkrahin pretendimet e Heard për abuzim, krejt çka ndodhi në seancën e fundit

19.05.2022 14:10

Nacionale më poshtë ju sjellë detajet nga dinamikat e seancës së tretë të javës nga procesi gjyqësor mes Johnny Depp dhe Amber Heard, ish-bashkshortë.

Depp paditi Heard në kërkim të një dëmshpërblimi 50 milionë dollarësh për prishje të imazhit, pasi kjo e fundit publikoi një op/ed në 'Washington Post' ku tha se ishte viktimë e dhunës familjare. Sidoqoftë, Heard e ka kundërpaditur Depp për 100 milionë dollarë, pasi u quajt 'mashtruese' nga ekipi mbrojtës i aktorit.

Heard u shndërrua në person të vetmuar gjatë marrëdhënies me Depp, ka thënë ish-instruktorja i aktrimit

Ish-instruktorja e aktrimit e Amber Heard, Kristy Sexton i ka thënë në seancën e fundit avokates së aktores, Elaine Bredehoft se përgjatë marrëdhënies me Depp, ajo u bë “person i vetmuar” dhe “largohej nga shtëpia vetëm kur kishte nevojë”.

Ajo vazhdoi duke thënë se Heard humbi peshë kur ishte e stresuar dhe “dukej skeletore në disa periudha kohore”.

“Më kujtohet pak para martesës ajo kishte humbur peshë me të madhe, deri në pikën sa po e pyesja nëse po hante rregullisht”, thotë ajo.

Ajo rikujtoi një periudhë kur Heard ishte “asht e lëkurë” dhe “shumë më e hollë se që është normalisht”.

“Zëri i tij dëgjohej në korridoret e shtëpisë”

Gjykata dëgjoi një inçizim të ofruar nga ish-instruktorja e aktrimit të Amber Heard, Kristy Sexton.

Ajo i tha avokates se kur e pa Heard në vitin 2017, aktorja ishte “vërtetë e inspiruar” të bënte shumë punë dhe “të kalonte në fazën tjetër të karrierës”.

Sexton shtoi tutje se vërejti ndryshime te Depp gjatë kohës sa kaloi me çiftin në shtëpinë e tyre në Los Anxhelos.

“Johnny u bë, do të thoja, shumë më i errët derisa koha kalonte. Figurativisht dhe literlisht, ai do të ulej në një dhomë të errët”.

Avokatja e Heard pastaj pyet Sexton nëse i ka dëgjuar ndonjëherë çiftin duke u zënë, teksa merr përgjigjen: “Vetëm atë, Depp, e dëgjoja duke bërtitur.

“Zëri i tij do të dëgjohej nëpër korridoret e shtëpisë dhe më kujtohet një herë, Amber po mundohej të largohej nga dhoma, por dera u mbyll përsëri dhe mund të dëgjoja të bërtitura nga ai”.

Avokatja pastaj pyet nëse e dinte ajo se Depp jepte mendim se cilat role Heard duhet t’i merrte.

Sexton u përgjigj: “Në disa raste kam dëgjuar Johnnyn duke thënë ‘pse don ta luah këtë rol?’ dhe ‘gruaja ime nuk do të luajë këtë lloj roli’. Gjëra të tilla që kam dëgjuar disa herë nga ai”.

‘Kur erdha në shtëpi, ajo pati lëndime’, tha ish-grimerja e Heard

Ajo u pyet nga avokatja e Heard, Elaine Bredehoft rreth asaj që kishte parë në dhjetor të vitit 2015, pas sulmit të pretenduar nga Depp.

“Kur erdha në shtëpi për të grimuar Amber, ajo kishte lëndime”, thotë ajo.

“Ajo pati lëndime nën dy sytë dhe në urën e hundës dhe pati gjithashtu atë që e quaj buzë të çarë”.

“Ai po e mbante një shishe shumë të madhe të verës”

Gjykata dëgjoi deklaratën e Elizabeth Marz, e cila ishte mikeshë e Amber Heard dhe ish-shoqen e kësaj të fundit, Raquel Pennington, në kohën kur incidenti kishte ndodhë në vitin 2016.

Ajo thotë se vizitoi Pennington në një shtëpi që ishte pronë e Depp më 21 maj të vitit 2016, për të asistuar atë që të bëhet gati për një spektakël ditën tjetër.

Marz tha se dëgjoi disa fjalë atë natë të cilat “u duk se po afrohen”, para se “Depp të hapte derën me vrull”.

“Dera u hap me vrull dhe ai erdhi, sipas mendimit tim, nën influencën e diçkaje – drogë ose alkool”, thotë ajo.

“Ai po mbante një shishe shumë të madhe të verës dhe dukej si një shishe Magnum e verës, e cila po derdhej nëpër tërë ambientin”.

Ajo pastaj tha se derisa Depp hapi derën, u shpreh “largoje b**hën tënde të k**vës nga këtu”.

“Krejt qenia e tij vërtetë më tmerroi dhe mu duk sikur po vinte nga unë. Nuk e di nëse po vinte nga unë apo jo por më frikësoi dhe unë thjesht vrapova prapa tij”.

Marz tha se pastaj ajo shkoi te shtëpia e Pennington që e zotëronte me ish-bashkëshortin ku pa edhe Heard.

“Kujtoj se ajo dukej shumë e shqetësuar dhe flokët i kishte rrëmujë. Ajo kishte fytyrë të ënjtur”.

‘Fokusi im ishte ta gjeja pse ishte mërzituar dhe ta largoja nga shtëpia’ 

Motra e Amber Heard, Whitney Henriquez tash po pyetet rreth një incidenti që zuri vend më 21 mars të vitit 2013, kur Johnny Depp refuzoi të largohej nga shtëpia e Heard.

Ajo thotë se erdhi në shtëpinë e Heard pasdite dhe posa u fut brenda “kishte tym në ajër” gjë që ishte “e çuditshme”.

Henriquez thotë se “orenditë ishin të ç’orientuara” dhe se kishte “kokainë para Depp”.

Ajo thotë se nisi një bisedë me Depp dhe ai zhvendosi vëmendjen te një pikturë që e kishte bërë ish-partneri i Heard por që ishte vendosur në mur.

“Ai ishte i bindur se ishte vendosur në mur për t’u tallur dhe për ta ngacmuar atë”, tha ajo.

Tutje, ajo shtoi se po mundohej ta largonte nga shtëpia pasi ishte vonë për xhirimet e një dokumentari rreth kitaristit të Rolling Stones, Keith Richards.

“Për orë ne qëndruam aty dhe po mundohesha të flisja me të, po e bëja të ndihej sikur gjithçka ishte mirë... vetëm po mundohesha ta largoja nga shtëpia. Asistentja e tij vazhdonte të futej e të dilte”, shtoi Henriquez.

Henriquez pataj u pyet nëse pa ndonjë lëndim te motra e saj atë kohë, teksa u shpreh: “Fytyra e saj ishte e ënjtur dhe pak si e kuqe. Mendova se sapo kishte qarë dhe buza e saj u duk se ishte çarë.

“Nuk do të ishte e përshtatshme të flisja me të, ky nuk ishte fokusi im.

“Fokusi im ishte të ulesha aty dhe të mundohesha të kuptoja pse ishte i mërzitur dhe ta largoja nga shtëpia”.

Henriquez tha se “pas katër ose pesë orëve”, Depp u pajtua të largohej nga shtëpia më kushtin që Heard të largohej me të, gjë që e bëri.

Motra e Heard thotë se ajo e shoqëroi Depp dhe Heard drejt xhirimeve të dokumentarit dhe u ulë përpara në makinë me shoferin, derisa Depp dhe Heard ishin prapa.

Ajo tha se në një pikë gjatë udhëtimit dëgjoi dritaren duke u paur dhe pa “Johnnyn duke mbajtur qenin tonë jashtë dritares".

Henriquez thotë se aktori pastaj futi prapë qenin në makinë dhe po “qeshte” para se të tallej se “do ta fuste qenin në mikrovalë”.

Motra e Heard thotë se e pa çiftin duke e goditur njëri-tjetrin në zënkën e vitit 2015

 Motra e Heard, Whitney Henriquez vazhdoi duke përshkruar një zënkë në të cilën ajo thotë se Depp dhe Heard goditën njëri-tjetrin.

“Jam fytyrë përpara nga Amber dhe Depp futet nga prapa dhe më godet në shpinë. Dëgjova Amber duke thënë ‘mos e godit motrën time’. Ajo sulmon atë, e godet një herë’. Johnny e kapi Amber për flokë me një dorë dhe me tjetrën po e godiste në fytyrë”.

Depp më herët kishte thënë se kurrë nuk e ka goditur Heard dhe se ai ishte viktima e abuzimit nga ish-gruaja.

Shkrim bizar në kuzhinë

 Ish-burri i Raquel Pennington, Josh Drew u pyet për një sulm të pretenduar që zuri vend në dhjetor të vitit 2015.

Ai thotë se së bashku me ish-gruan kishin ardhur në kompleksin e çiftit në ditën e incidentit.

Pennington e kishte lënë një takim me Heard, por kur kjo e fundit nuk u përgjigj në mesazhe, dyshja shkoi vetë në kompleksin e apartamenteve “për të shikuar nëse është mirë”.

Drew thotë se kur u futën brenda “ambienti ishte i çrregulluar”.

“Kur u kthyem nga kuzhina, afër lavamanit, ishte shkruar diçka”, thotë ai.

“Nuk më kujtohet çfarë materiali ishte dhe për të qenë i sinqertë nuk kujtoj saktësisht çka ishte shkruar, por ishte diçka shumë, shumë e çuditshme”.

Ai tha tutje se mesazhi përmbante fjalët “gjithmonë kaq mashtrues, apo ashtu diçka”.

Ai pyetet nëse e dinte kush e kishte shkruar atë, teksa përgjigjet: “Jam i sigurtë se kjo do të kundërshtohet por ishte shkrimi i tij”.

I pyetur të qartësojë nëse po fliste për Depp, ai thotë: “Saktë”.

Tjera nga autori:
1