<b></b> Depp mirënjohës pas fitimit të gjyqit, Heard e zhgënjyer e zemërthyer

Depp mirënjohës pas fitimit të gjyqit, Heard e zhgënjyer e zemërthyer

01.06.2022 22:19

Pas tre ditësh diskutimesh në gjyqin për shpifje të Johnny Depp kundër ish-bashkëshortes së tij Amber Heard, juria mori vendimin e saj në favor të aktorit.

Pas humbjes, Heard u deklarua duke thënë se ishte e zhgënjyer e me zemër të thyer nga ky vendim:

“Zhgënjimi që ndjej sot është përtej fjalëve. Më thyhet zemra që një mal prova që kisha nuk ishin të mjaftueshme për t'i bërë ballë fuqisë dhe ndikimit joproporcional të ish-bashkëshortit tim."

Ajo shtoi se i vjen keq që e ka humbur çështjen , por ndihet edhe më e trishtuar sepse i duket që ka humbur të drejtën si qytetare amerikane – të shprehet e të flasë lirshëm.

Menjëherë pas, një deklaratë erdhi edhe nga aktori Johnny Depp, i cili tha se juria i ka rikthyer jetën e tij.

"Akuza të rreme, shumë të rënda dhe kriminale u ngritën ndaj meje përmes mediave, të cilat shkaktuan një breshëri të pafund përmbajtjesh urrejtjeje, megjithëse kundër meje nuk u ngrit asnjë akuzë. Ato tashmë kishin udhëtuar nëpër botë brenda një nanosekondi dhe patën një ndikim sizmik në jetën dhe karrierën time.”

Ai shtoi se gjashtë vite më vonë, juria i riktheu jetën dhe ndihet me të vërtetë mirënjohës.

Depp e paditi Heardin për 50 milionë dollarë, për shkak të një shkrimi të saj në Washington Post në vitin 2018, në të cilin Heard nxorri pretendime se ishte viktimë e abuzimit dhe dhunës seksuale.

Edhe pse Heard nuk e kishte përmendur emrin e Depp, ky i fundit tha se pretendimet e saj kanë pasur ndikim negativ në punën e tij. E pas padisë së Depp ndaj saj për shpifje, Heard ngriti një kundërpadi prej 100 milionë dollarësh.

Në diskutimet përmbyllëse të gjyqit, avokatët e Depp-it kërkuan nga gjyqtarët që t'i "rikthenin jetën" pasi i ishte "shkatërruar" nga akuzat për abuzim në familje të bëra nga Heard. Ata i quajtën pretendimet e saj një akt mizorie të thellë ndaj të mbijetuarve të vërtetë të abuzimeve dhe thanë se Heard në fakt bëri vetëm “performancën e jetës së saj në gjyq”.

Ndërsa, avokatët e Heard thanë se një vendim në favor të Depp-it do t'i bënte gjyqtarët "bashkëpunëtor" të abuzimit të tij dhe të "fushatës së tij të poshtërimit global".

Por, juria zbuloi se Heard shpifi për Depp-in në të tre akuzat e saj dhe i dha atij 15 milionë dollarë dëmshpërblim. Ndërsa, Heard pati një fitore te pjesshme në rastin e saj, ku ju dhanë 2 milionë dollarë dëmshpërblim.

Kjo ishte një humbje mahnitëse e që sfidoi edhe parashikimet e shumë ekspertëve ligjor, e ishte edhe më befasuese për shkak të gjyqit të parë të fituar nga Heard dy vite me parë në Londër.

Tjera nga autori:
1