<b>Derisa ato po e stërkomplikojnë,</b> Loredana me nonshalancë po i tregon si bëhet puna Taynas e Dafinës

Derisa ato po e stërkomplikojnë, Loredana me nonshalancë po i tregon si bëhet puna Taynas e Dafinës

19.06.2022 17:16

Është koha t'i 'japim hakun' Loredanës, zonja dhe zotërinj. Kënga e saj e re me Noizyn, duhet të jetë kompleksuese për shumicën e estradës aktualisht, marrë parasysh trendin e materialeve që po publikohen këtë verë.

Zonja iu fut muzikës pa ndonjë eksperiencë paraprake, duke ndërtuar mbi vëmendjen që kishte filluar të tërhiqte përmes videove në Instagram, derisa bëri "dhjetë hapa" tutje qysh me këngën e parë.

Me të parën ajo arriti statusin e dikujt si Dafina Zeqiri e Elvana Gjata, eventualisht për t'i lënë nën hije, pasi e vulosi veten në një treg shumë më domethënës se ai shqiptar e që është tregu gjerman e evropian.

Sigurisht, duhet të jetë e dhimbshme dhe frustruese kjo për shumicën aktuale të estradës, por e vështirë se dikush ka më shumë intuitë të natyrshme se ajo për t'u dukur flutur (në vend të 'fly', gjejmë mbështetje te fjala 'flutur').

Këngën e re të saj me Noizyn, apo më mirë të themi të këtij të fundit me të, e dëgjuam me pritshmëri jashtëzakonisht të ulëta - falë kontributit të madh të materialeve të deritanishme të publikuara nga emrat më domethënës të estradës.

Biti është absolutisht brilant, derisa Noizy lundron në mënyrë dinjitoze mbi të, pavarësisht vargjeve jo shumë përmbajtësore por që ia del ta lë nën hije këtë pikë të dobët, falë ritmit të përshpejtuar dhe elementeve të regetonit të përfshira.

"It's so hot (është shumë nxehtë) gati po na del flaka, ice on my neck (akull në qafë - nënkuptim i zinxhirëve diamantë në qafë) gati mu ka ngri qafa", thotë Loredana në dy reshtat e parë, e që janë pikërisht ajo çka duam të dëgjojmë më shumë nga ajo dhe arti i fryrjes në përgjithësi.

"E meritoj unë botën, shko merrma e falma", thotë tutje ajo me bindje e qëllim, derisa lukun në klip e mbizotëron me nonshalancë të frikshme - diçka që dështon ta bëjë dikush si, ta zëmë, Tayna e cila i stërmendon e i stërkomplikon dukjet - gjithmonë duke u dukur më keq se Lori.

Në fakt, Loredana e bën në mënyrë perfekte atë që do të ishte  natyrshme ta prisnim nga dikush si Dafina Zeqiri, e cila me kalimin e kohës po e humb instiktin e të dukurit flutur pa u munduar shumë, siç e bën gati në çdo klip kjo e para.

Vetëm shikoni dukjen e Loredanës gati në secilën skenë, është e tillë që shumë lehtë mund të dalësh me të në qytet pa u dukur e tepruar - ndryshe nga homologet e saj që kanë tendenca të vazhdueshme të komplikojnë gjithçka, për të përfunduar më keq në fund.

Edhe klipi në përgjithësi duket paksa më i punuar se këto që po i shohim vazhdimisht nga të tjerët, derisa skenat në mënyrë intensive ndryshojnë, në harmoni me muzikën e shpejtë që dëgjohet në sfond.

Edhe Noizy në zhanrin e tij të preferuar të të interpretuarit, të jep njëfarë disponimi ekzotik.

Në përgjithësi, është në rregull si projekt, i cili duhet të shërbejë si element inspirimi paksa për estradën që ka qenë absolutisht e tmerrshme sa i përket kontentit të ofruar.

Tjera nga autori:
1