Dukagjin Lipa "shpërthen" në letrën dërguar Osmanit e Kurtit: Kërkesa e festivalit u politizua - NACIONALE

Dukagjin Lipa "shpërthen" në letrën dërguar Osmanit e Kurtit: Kërkesa e festivalit u politizua

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dukagjin Lipa, babai i këngëtares së famshme Dua Lipa, ka shkruar një letër të gjatë, të cilën ia ka dërguar krerëve më të lartë të shtetit. Që në hyrje të letrës, Lipa thekson se kërkesa rreth Sunny Hill Festival është ‘politizuar’. Lipa nuk ka kursyer me kritika posaçërisht opozitën komunale në Prishtinë, e që përbëhet nga VV e cila ishte shumë e zëshme kundër ndarjes së tokës për 99 vite për festivalin.

Krahas opozitës komunale në Prishtinë, Lipa ka përmendur edhe Ministrinë e Administratës Publike e ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin e tejkalimin e kompetencave ligjore nga ana e Qeverisë së Kosovës.

E kah mesi i letrës, ai përmend edhe efektet pozitive, ekonomike e kulturore, që ka ky festival për imazhin e Kosovës.

Në krye të letrës, Lipa, që përfaqëson Sunny Hill Festival, i ka njoftuar me ‘keqardhje’ se për shkak të vonesave të shumta, të cilat sipas tij erdhën si pasojë e mospërgjigjes nga MAPL, edicioni i këtij viti i festivalit nuk do të mbahet në Prishtinë.

Ai ka thënë se përveç mungesës së përkrahjes, kërkesa e festivalit është politizuar.

Në vend të përkrahjes, kërkesa e festivalit është politizuar, janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe kompentencat e MAPL mbi Komunën e Prishtinës, është injoruar vendimi i shumicës së Kuvendit Komunal, është ushtruar ndikim i paralajmëruar direkt mbi MAPL nga ana e asambleistëve të opozitës komunale, dhe për pasojë ne edhe sot, pas gjithë kësaj kohe, nuk e kemi një vendim final i cili do të na mundësonte mbajtjen e festivalit në Prishtinë”, shkruan Lipan ë letrën që i dërgoi kryeministrit Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani e krerëve të tjerë institucional.

Ai ka përmendur ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, i cili, sipas Lipës, nuk e ka përgatitur si duhet dokumentacionin.

“Sa për sqarim, kërkesa identike, në fund të mandatit të kaluar komunal ishte votuar PRO unanimisht nga të gjithë asambleistët pa dallim partiak, por tani është rikthyer për plotësim, meqë ish-Kryetari Ahmeti nuk e kishte përgatitur dokumentacionin në formën e duhur”, shkruan tutje në letër.

Lipa shkruan se një neglizhencë e tillë e ka shndërruar kërkesën e festivalit në një betejë politike mes partive në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Nevoja për fitore të vogla politike nga ana e asamblistëve komunal, fatkeqësisht mbeti mbi interesin e shtetit dhe mundësinë për rritjen e një platforme të rëndësishme të diplomacisë kulturore dhe turizmit kulturor”, thuhet në letër.

Lipa ka sqaruar se Sunny Hill Festival nuk ka nevojë për pronë publike për 99 vjet.

Ne nuk kemi nevojë për tokën e shtetit, por Prishtina ka nevojë për hapësirë e cila i plotëson kushtet e kërkuara nga performues të rangut botëror dhe Festivali ka nevojë për shtëpi të përhershme në qytetin e tij. Meqë Prishtina nuk e ka një hapësire të tillë, ne kemi shprehur gatishmërinë që hapësirën e ndarë nga Komuna e Prishtinës, (tokë djerrinë dhe e pa përdorshme sot) të kthejmë në një PARK PUBLIK, të qasshëm për të gjithë qytetarët, para dhe pas përdorimit për nevojat e festivalit dhe nën mbikëqyrjen e organizatës Sunny Hill”, shkruan ai.

Në vazhdimin e letrës, Lipa ka përmendur edhe efektet ekonomike, krahas atyre kulturore, që Sunny Hill Festival ka sjellë gjatë viteve të kaluara.

Sunny Hill sjell disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore në Prishtinë, krijon publicitet masiv për vendin tonë në tërë botën (vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar vetëm nga edicioni i fundit është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurove si dobi direkte për imazhin e shtetit), ka sjell deri në 10 (dhjetë) milionë euro për ekonominë e kryeqytetit, si dhe promovon vlerat më të mira të kulturës, muzikës dhe rinisë tonë nëpër botë. Për më shumë, me dhjetëra mijëra njerëz ose mbi 50 për qind të pjesëmarrësve në Sunny Hill Festival në çdo edicion kanë ardhur nga jashtë Kosovës, nga më shumë se 40 vende të ndryshme të botës”, shkruan Lipa.

Në fund të letrës, Lipaj thekson se letra e dërguar në adresë të qeveritarëve të merr vëmendjen e tyre, duke përmendur kredibilitetin e familjes së tij.

“Mbesim me shpresë që përgjigja jonë merr vëmendjen tuaj, në mënyrë që kredibiliteti i Festivalit dhe kredibiliteti im personal dhe i familjes sime të mos mbes në duart e asamblistëve që për betejat e tyre politike na vendosin në situata të këtilla jashtë çdo logjike te shëndoshë, dhe na sjellin deri tek humbja e mundësisë më të mirë të promovimit, diplomacisë dhe turizmit kulturor që e ka dhe mund ta kishte Kosova për një kohë shumë të gjatë”, përfundon letrën Lipa.

Ndryshe, edicioni i këtij viti i Sunny Hill Festival do të mbahet në Tiranë.

Lajme të ngjashme