Ekskluzive: Studimi tregoi përsëritjet e shpeshta të kësaj gjendje mund të jenë një paralajmërues i hershëm i sëmundjes së Parkinsonit

Studimi i ri zbuloi se gjendja 'jerëm' te personat që i janë nënshtruar COVID-19 është shpeshtuar për dy deri në katërfish

Studimi i ri zbuloi se gjendja 'jerëm' te personat që i janë nënshtruar COVID-19 është shpeshtuar për dy deri në katërfish

23.05.2022 18:09

Shkencëtarët kanë raportuar një rritje prej dy deri në katërfish të prevalencës së çrregullimit të ëndrrave – ku njerëzit realizojnë fizikisht ëndrrat e tyre, rritje e cila besohet që ka zanafillë në periudhën e pandemisë.

Duke pasur parasysh se fenomeni mund të jetë një tregues i hershëm i sëmundjes së Parkinsonit, është e mundur që virusi të ketë shkaktuar ndryshime në tru që mund të rrisin rrezikun e njerëzve për të zhvilluar këtë gjendje.

Studiuesit, megjithatë, theksuan se mund të jetë gjithashtu rezultat i stresit të shkaktuar nga pandemia dhe se nevojiten hulumtime të mëtejshme për të eksploruar lidhjen e mundshme.

Muskujt tanë zakonisht paralizohen gjatë gjumit REM, fazë gjatë së cilës i shohim shumicën e ëndrrave. Te njerëzit me një gjendje të rrallë të quajtur çrregullimi i sjelljes së gjumit REM (RBD), megjithatë, kjo paralizë e përkohshme nuk ndodh, duke i shtyrë ata të realizojnë fizikisht ëndrrat e tyre.

“Ata mund të godasin me grusht ose të ‘përplasin’ krahët në ajër, të vrapojnë, apo edhe të kërcejnë nga shtrati, ndonjëherë duke rezultuar në lëndime të tyre ose partnerit të tyre”, tha profesor Yaping Liu në Universitetin Kinez të Hong Kongut, i cili drejtoi studimin.

Gjendja prek 2-3% të të rriturve mbi 60 vjeç në të gjithë botën e zhvilluar dhe në disa raste mund të jetë një paralajmërues i zhvillimit të sëmundjes së Parkinsonit.

Liu dhe kolegët e tij u interesuan nëse prevalenca e çrregullimit të realizimit të ëndrrave ishte rritur gjatë pandemisë, pasi lexuan disa raporte shkencore të njerëzve që zhvillonin simptoma të ngjashme me Parkinsonin menjëherë pasi u infektuan me Covid.

Ata ekzaminuan të dhënat nga studimi ndërkombëtar i gjumit Covid, një anketë në internet me 26539 njerëz nga 15 vende të ndryshme. Një ndër pyetjet, ishte nëse pjesëmarrësve u ishte thënë, apo dyshonin se kishin ‘realizuar’ ëndrrat e tyre gjersa flinin.

"Ne zbuluam se prevalenca e sjelljes së realizimit të ëndrrave ishte dy deri në katër herë më e lartë se studimet e mëparshme që janë kryer në popullatën e përgjithshme gjatë kohërave jo-pandemike," tha Liu. “Për më tepër, në ato subjekte që raportuan një diagnozë Covid-19, ishte dy ose tre herë më e lartë, krahasuar me subjektet e painfektuara.”

Studimi i tyre, i botuar në Journal of Sleep Research, zbuloi se 8% e njerëzve me diagnozë Covid e përjetuan rregullisht fenomenin, kundrejt 3% të atyre që nuk ishin infektuar kurrë. Megjithatë, stundimi nuk ishte në gjendje të përcaktonte nëse këto sjellje ndodhën vetëm gjatë periudhës së infeksionit apo vazhduan pasi njerëzit ishin shëruar nga Covid.

Prof. Adam Zeman, një ekspert në çrregullimet e gjumit në Universitetin e Exeter, tha se zbulimi ishte intrigues, por ngriti më shumë pyetje sesa që solli përgjigje.“Përqindja e përgjithshme e realizimit të ëndrrave të zbuluara në studim ishte jashtëzakonisht e lartë, duke sugjeruar se një shumëllojshmëri sjelljesh të ndryshme të gjumit mund t'i kenë shtyrë të anketuarit ta raportojnë atë.”

 "Nëse Covid-19 me të vërtetë rrit shkallën e përjetimit real të ëndrrave, mund të ketë një sërë shpjegimesh, nga ankthi te apnea obstruktive e gjumit," tha ai, duke iu referuar një gjendjeje në të cilën një personi i ndryshon frymëmarrja gjatë gjumit.

Mundësia e një lidhjeje mes Covid-19 dhe një forme të sëmundjes së Parkinsonit do të kërkonte hulumtime të mëtejshme duke përdorur mënyra më objektive për ta diagnostikuar atë, shtoi ai.

Prof Michele Hu në Universitetin e Oksfordit, i cili po studion lidhjet midis sëmundjes së Parkinsonit dhe gjumit, tha se mënyra përfundimtare e diagnostikimit të RBD do të ishte studimi i gjumit gjatë natës. Studimi i Liu, megjithatë, ishte i rëndësishëm sepse ngriti idenë e një lidhjeje të mundshme mes  Covid-19 dhe RBD për herë të parë, tha ajo.

Liu ra dakord se nevojiteshin më shumë kërkime: "Sjelljet e realizimit të ëndrrave mund të ndodhin gjithashtu si rezultat i çrregullimeve të tjera të gjumit, si apnea e gjumit, dhe gjithashtu janë raportuar nga njerëz me çrregullim stresi post-traumatik, ose që po përjetojnë makthe," tha ai. "Ato mund të jenë të përhershme dhe të zhduken nëse përmirësohen probleme të tjera, të tilla si ankthet, PTSD, stresi dhe emocionet negative."

Ndërkohë, ai shtoi se njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm për mundësinë e lëndimit, apo lëndimit të partnerit të tyre nëse po realizojnë ëndrrat e tyre dhe nëse sjelljet vazhdojnë dhe bëhen të shpeshta, duhet të kërkojnë këshilla mjekësore.

Sleep Foundation rekomandon heqjen e objekteve të mprehta dhe mobiljeve që ndodhen rreth shtratit, dhe nëse individi ndan një shtrat me partnerin e tij, konsideroni të flini në shtretër të veçantë derisa të mos përsëriten më sjellje të tilla.  

Tjera nga autori:
1