<b>Fero publikon një këngë me emrin GTA:</b> Gjërat po marrin kthesë të dhimbshme

Fero publikon një këngë me emrin GTA: Gjërat po marrin kthesë të dhimbshme

26.05.2022 17:18

“On Records” duket se po mundohet ta kthejë Feron në vitin 2018, kur ishte shndërruar në sensacion interneti, por gjërat kanë filluar të marrin një kthesë të dhimbshme.

Rikthehemi në vitin 2020, një botë e kohë kur Fero sapo kishte publikuar albumin 'Self Loyalty', projekt që e futi atë në koshin e reperëve që realisht merren seriozisht nga audienca.

Përkundër që kishte mangësitë e veta, 'Self Loyalty' po del të jetë gjëja më e mirë që ai ka krijuar ndonjëherë. Gjithçka pas saj ka qenë në rënie, e konkluduar me gozhdën e fundit mbi arkivol tash kur vendosi të kthehej në kompaninë “On Records”.

Kjo e fundit e kishte një periudhë të artë kur dukej se çkado që prekte shndërrohej në ar. Rrallë ose fare kemi dëgjuar për të pas largimit të Feros në vitin 2019, derisa ndër vite artistët si Rina, Mozzik, Getinjo e Kida, po ashtu i kishin dhënë fund marrëveshjeve me të.

Ka pasur zëra të vazhdueshëm për një trajtim jokorrekt financiar ndaj artistëve, derisa kthimi i Feros në On Records po rezulton të jetë shansi i fundit për të rimëkëmbur karrierën që u karakterizua më shumë me evente jashtë muzikës se brenda saj.

Gjërat nuk po shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme deri tash, nëse gjykojmë edhe nga materialet e reja të publikuara nën këtë kompani.

E fundit që u publikua është një këngë me emrin GTA. E karakterizuar me një instrumental që përfshin elemente të muzikës folk, Fero mundohet të përdorë një ritëm në përputhje me muzikën në sfond, por që dështon të përçojë ndjesi tunduese, siç pretendohet.

"Flashback (rikthim), pi për qef, zemër kce, kce.

Nëse jom nxonë, o veç për kesh

Probleme kush t'don, ktu jom gang, gang"

Për të rënë biti hiperaktiv pastaj që të jep njëfarë ndjesie sikur është projekt i vitit 2017.

Ishte një kohë kur ritmet e tilla me elemente të folkut ishin trend, por, pesë vjet tutje, gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht, teksa muzika ka avancuar në rryma të reja e tinguj krejtësisht ndryshe. Këta tanët, duket se janë nga dy-tri vite me vonesë në çdo gjë dhe gjithçka që ka të bëjë me muzikën dhe trendin global.

Buta me një anë, të gjithë tjerët duken të zhytur në kotje e komfort zonë artistike, duke ndërmarrë zero tentativa për të bërë ndryshim - mjelja duket synimi dhe motivi i vetëm.

Pse po ndodh kjo? Epo, bazuar në eksperienca nga fusha të cilës i përkas, gazetarisë, kjo ndodh kur fillon të mos e duash punën që po e bën. Rroga në fillim të muajit është synimi i vetëm, ndërsa atë për çka paguhesh e bën sa për sy e faqe.

"T'kallëzoj çka ka me t'ndodhë t'ardhmen ta parashikoj, shpejt ki me metë pa lekë, unë kët sen ta garantoj", Buta i pat thënë Feros në vitin 2019 në njërin prej 'freestyle-ave' më të mirë që kemi dëgjuar në emisionin 'Gjoni Black'.

"E kur metë pa pare, shumë e keqe o fama", thoshte tutje ai, duke iu referuar homologut të tij në vitin 2019.

Ecim tutje tri vite më vonë dhe gjithçka ka më shumë kuptim.

GTA është tjetër hap prapa drejt një fundi që duket se nuk do të jetë i mirë për askënd, as për të përfshirët e as për audiencën që dëshiron të dëgjojë muzikë të mirë.

Nëse flasim për klipin GTA, është gjëja më On Records që kemi parë ndonjëherë. Absolutisht zero ngritje inovative nga koha kur Mozzik publikonte këngë si "ajo ma bon".

Sa jemi te klipet, le të shërbejë rekomandimi i mëposhtëm si manual kur pretendohet të krijohet ndonjë që ka për qëllim të ekspozojë artin e fryrjes dhe të të dukurit flutur.

Tjera nga autori:
1