Reagimi për 17 hektarët e Sunny Hill ekspozoi një 'sëmundje' të rëndë në Prishtinë - NACIONALE

Reagimi për 17 hektarët e Sunny Hill ekspozoi një 'sëmundje' të rëndë në Prishtinë

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Shkruan: Burim P A C O LL I

Komuna e Prishtinës i ka ndarë organizatorit të festivalit “Sunny Hill” një tokë prej 17 hektarësh në Bërnicë. Kjo ka prodhuar një reagim irracional shoqëror, e i cili mund të merret si simptomë e një sëmundjeje shumë të rëndë prej së cilës lëngon tash e sa kohë shoqëria jonë.

Gazeta Nacionale ka kritikuar në mënyrë të vazhdueshme kryetarin e Prishtinës, z. Përparim Rama, për një mori çështjesh të ndryshme. Prej qasjes së avashtë dhe mospunës e deri te vendimet e përçudshme ishin kritikat të cilat ai i mori prej gazetarëve tanë. Por, është e palogjikshme dhe e pakuptueshme të hedhim kritikë edhe aty ku ai ka të drejtë.

Fatkeqësisht, Prishtina tash e një kohë të gjatë vuan nga një zymtësi e papranueshme për një kryeqytet. Për dallim nga kryeqytetet e shteteve fqinjë – Tirana, Shkupi, Beogradi, Podgorica – në Prishtinë nuk ekziston gjallëria karakterizuese për qytete të mëdha. Ka një mungesë atipike të aktiviteteve popullore kulturore, mungesë koncertesh e festivalesh, e për rrjedhojë edhe shterpësi të pafalshme krijimi. Prishtina është qytet sepse ne duam të jetë qytet e është kryeqytet sepse është vendosur të jetë kryeqytet. Por, në realitet është thjesht një grumbull katundesh ku nuk stimulohet prodhimi i asgjëje e ku s’ndodh asgjë.

“Sunny Hill” i ka mëshuar shkelm të fortë kësaj kulture provinciale fshati në Prishtinë. Festivali i solli një gjallëri të jashtëzakonshme rinisë së krejt Kosovës, duke na e bërë të padurueshme rrethanën aktuale kulturore.

Nuk mund të mjaftohemi me aktivitete kulture që tërheqin veç një grusht njerëzish. Nuk mund të mjaftohemi me një jetë nate shterpe e me përditshmërinë e kafeneve. Prishtina është kryeqytet dhe duhet të sillet si kryeqytet.

Pikërisht një gjë e tillë bën që “Sunny Hill” dhe marrëveshja e saj me komunën e Prishtinës të jetë e vyeshme për secilin prej nesh. Dua Lipa është një yll i muzikës pop që njihet tashmë nga e gjithë bota. Ajo ka bërë për vete një audiencë të jashtëzakonshme, dhe gëzon pushtet shumë më të madh në botë se sa liliputët tanë kryeministra e presidentë. Edhe nëse nuk na pëlqen muzika e saj, duhet të na pëlqejë revolucioni që po provon të bëjë në rininë kosovare. Ndikimi i jashtëzakonshëm që ka te vajzat e reja kosovare që nuk duan e nuk duhet të kenë fatin e nënave dhe gjysheve të tyre. Nuk mjafton thjesht të punosh gjithë ditën, të sorollatesh nëpër kafe dhe në fund të shtrihesh e të flesh në banesën tënde. Ka pak më shumë te jeta. Sidomos te jeta në kryeqytet.

Por, zhurma për këto 17 hektarë nuk po ndalet. Siç e thamë në fillim, kjo është simptomë e një sëmundjeje të rëndë shoqërore që meriton zbërthim sociologjik. Komuna po ‘i fal’ tokë një milioneri – është komenti dominues i këtyre ditëve. Në fakt, kjo s’mund të ishte më e pavërtetë. Komuna po tërheq një investitor – që ka qëlluar të jetë shqiptar, e edhe i lidhur me shqiptarët – që dëshiron të investojë në vendin e vet.

Pajtohemi plotësisht me deklarimet e Përparim Ramës kur u shpreh se “nuk i vyen Prishtina Sunny Hill Festivalit, por Sunny Hill Festivali i vyen Prishtinës.”

Mirëpo, çkado që të thuash, nuk mund të zmbrapsësh mendësinë arkaike të një pjese të madhe të shoqërisë që nuk e ka mendjen te festivalet e kultura por te paratë dhe zilia. Është pikërisht kjo mendësi që ka lënë djerrë vendin në mungesë të investimeve të jashtme direkte. Pse, a thua vallë, o i dashur komentues që e ke mendjen veç te paratë, nuk po vijnë kurrfarë investitorësh në vendin tënd? Pushtetet ndërrohen e ndërrohen, temat politike ndërrohen e ndërrohen, por ti mbetesh i njëjti. E e njëjtë po mbetet edhe Kosova.

Në një shkrim të mëhershëm kemi trajtuar gjerësisht klimën anti-biznes në vendin tonë. Kjo është sëmundja për të cilën folëm në fillim. Kjo është sëmundja prej së cilës duhet të shërohemi, duke u treguar mendjehapur ndaj bizneseve vendore që duan e duhet të rriten; duke u treguar mendjehapur ndaj investorëve të jashtëm që duan e duhet të investojnë edhe te ne; duke u treguar më të dashur e më respektues ndaj yjeve botërore si Dua Lipa që dalin nga vendi ynë.

Lajme të ngjashme