<b>Historia</b> e një 'fërrke': Dissi i Mossit ndaj Butës aq brutal sa të jep ankth të paparë

Historia e një 'fërrke': Dissi i Mossit ndaj Butës aq brutal sa të jep ankth të paparë

18.05.2022 13:12

KUJDES: Teksti i mëposhtëm mund të përmbajë fjalë shqetësuese për audiencën më të ndjeshme. Bëhet fjalë për dy djem të rinj, njëri nga Prishtina e tjetri nga Ferizaji, që garojnë përmes këngësh të zhanrit hip-hop e që marrin miliona dëgjime, se cili është më kriminel se tjetri.  

Realisht, është e vështirë të jesh politikisht korrekt kur flet për gjëra të tilla si 'dissat' në industrinë e muzikës, sidomos në subzhanrin e hip-hopit.

Krejt narrativa e të bërit një diss sillet rreth përpjekjeve për ta ofenduar, treguar mungesë të theksuar respekti dhe elementeve tjera të cilat në një shoqëri bashkëkohore do të konsiderohen fuqishëm si anti vlera dhe me të drejtë.

Por, në të njejtën kohë, a nuk është kjo krejt ajo çka përfaqëson hip-hopi dhe arsyeja pse është kaq i popullarizuar si zhanër? Në fund, është thjesht zbavitje për audiencën. Siç mund të ngris pikëpyetje dikush rreth sportit të boksit apo UFC-së, ku përfshihen edhe dëmtimet serioze fizike dhe rrezikohet seriozisht mirëqenia e tjetrit, ashtu mund të elaborohet edhe në muzikën e rrugës ku flitet për të kundërtën e atyre që prindërit ju këshillojnë të bëni tërë jetën.

Dhe kur flasim për hip-hop, nuk ka gjë më zbavitëse për audiencën se sa përplasja artistike mes dy reperëve, të cilët mundohen ta vendosin në pozitë sa më të keqe e degraduese tjetrin, në sy të botës - krejt çka përfaqëson një 'diss', me pak fjalë.

Sa më brutal e më toksik të jetë, aq më i mirë konsiderohet - e di, djallëzore por është në mesin e "kënaqësive me faj" (guilty pleasures) që na bën ta shtyjmë një ditë tjetër pa e pasur mendjen nga tematikat më pak interesante si puna, faturat dhe zhvillimet politike.

Kur flasim për dissa, dorën në zemër, e vështirë se ndonjë do t'i vijë afër 'hijo de puta' të reperit, Mossi drejtuar reperit tjetër, Butës. Në fakt, nuk është vetëm kënga në fjalë, por krejt narracioni fillim e fund mes dy reperëve, ku u përfshinë edhe këngë, freestyle, dhe dinamika në rrjetet sociale.

Disa do të argumentojnë se dissi i Unikkatilit kundër një të panjohuri me emrin Prince Double H është më i miri, por realisht qëndron vite drite prapa atij të Mossit.

Njeriu, përveç Butës, nuk kursen as njerëzit e afërt - bashkëpunëtorët, menaxherin, shokun e ngushtë dhe familjarët e rivalit. Ishte aq i rëndë sa aspekti brutal përmbajtësor i la nën hije vlerat e tmerrshme të produksionit të këngës, e cila në dëgjim të parë as që mund të kuptohej nga gumëzhimat shurdhuese në sfond.

Kom harru me cekë, që babën nuk e ki, ju ka lonë i ri, e nanën e ki free (të lirë);

Kush ka dashtë te shpija ju ka ardhë e ju ka hi;

Dy vllazni, dyve ju ka rritë nana t'u u q*;

Me këta rreshta fillon kënga, teksa direkt shkohet për pikën më të dobët të mundshme që ka vlerë përtej një dissi, zhanri e muzike në përgjithësi - familja.

KUJDES: Pamjet më poshtë mund të shkaktojnë jo rehati, siklet dhe ankth për personat e mitur dhe nuk preferohen të dëgjohen e shikohen nga audienca e ndjeshme.

Si erdhi deri këtu?

Çka duhet të ndodhë që dikush të kalojë kufij të tillë për ta lënduar dikë në sy të botës kështu?

Gjithçka nisi me një këngë të Mossit, pionier i drillit (stil i muzikës rep me përmbajtje të dhunshme) të quajtur ‘Psikopat’ dhe këtë rresht në veçanti: "Ti je zotëri ndjenja, amo na nuk kena ndjenja", qartazi duke iu referuar këngës së ikonës së muzikës trap (subzhanër i hip-hopit që lirikisht trajton kryesisht konsumin dhe biznesin me narkotikë), Butës, i cili ishte krijues i një kënge me titullin "z. Ndjenja", publikuar në vitin 2016.

Pak më shumë se një muaj pas 'Psikopat', e publikuar më 3 qershor të vitit 2020 - e cila aktualisht ka mbi 5 milionë klikime - Buta u kundërpërgjigj me një freestyle (stil i lirë i të shprehurit) te emisioni 'Gjoni Black', ku u mundua të ekspozonte Mossin dhe qëndrimet e tij të 'djaloshit të fortë', duke i vënë pikpëyetje të mëdha kredibilitetit të tij në rrugë, gjë që konsiderohet mungesë e madhe respekti dhe lënduese në botën e hip-hopit.

Përveç kësaj, Buta e akuzon Mossin se përdorë narkotikë të kualitetit të dobët njëkohësisht duke tejkaluar një kufi që më vonë do t'i kushtojë me një çmim të lart të dinjitetit - kufirin e familjes, që e fundosë Butën në zhvillimet pasuese.

Strofë nga freestyle i Butës:

Ti nuk je diller, ti je klient;

Për 100 gramë bari, ti ke marrë fytyrës shqelm;

Tash bahësh gangster t'u i rrejtë fëmijët në internet;

Po ti nuk je G (gangster) kur nuk ka rrjet

Kujdes: Ajo çka thuhet më poshtë është përtej mungesës së respektit dhe mund të shkaktojë shqetësim në audiencën e ndjeshme.

 

Ofendim i rëndë kjo për dikë si Mossi, i cili krejt ekzistencën e tij në këtë planet e fokuson në jetën kriminale dhe mburrjen rreth saj. Por, pika kthyese e eventeve në vazhdim vjen nga ajo që thotë Buta në rreshtat e mëposhtëm:

Ti je fëmijë, t'shajnë edhe t'shpisë;

S'ta kanë pa hajrin, ni cent s'jau ke nisë;

Ekzistonte një postim i Butës në Instagram, të cilin ai e ka fshirë pastaj, ku kishte publikuar pamje nga ky freestyle te 'Gjoni Black' me mbishkrimin: "Kom harru me cekë që baba jot ankohet te shokët e vet për ty" (jo fjalëpërfjalshëm por në këtë kuptim).

Kultura e hip-hopit global ngërthen në vete elemente të traditës shqiptare, si ajo që familja është gjëja më e shtrenjtë dhe duhet të kursehet nga gjithçka.

Vetëm pesë ditë vonoi përgjigja e Mossit, i cili u kthye me këngën 'seriozisht', të cilën e shfrytëzoi më shumë për të treguar versionin e vet të ngjarjeve për të cilat flet Buta te freestyle, ku madje zbulon një interaksion me Mossin njëherë në plazhin e Dhërmisë ku Mossi i ishte paraqitur Butës si fans dhe se ky i pari kishte "vjellur" pasi kishte përtypur ksanaks (pilulë që përdoret për t'u bërë dru).

Je kon i ri kur je ardhë n'Dhërmi;

Kishe qejf me nejtë me Prishtinali;

Ty t'kena shitë hapa t'gjumit për i (ekstazi);

I ke ble sa ke mujtë se ke ditë ça ke pi;

Shprehet ndër të tjerash Mossi, derisa i përgjigjet Butës, i cili e quan "të fëlliqtë", duke i thënë: "Edhe po jom i fëlliqtë, edhe krejt i fëlliqi".

Çka ka për të humbur dikush që e pranon se është "i fëlliqtë" dhe se i fëlliqë "krejt të tjerët?" Çfarë mund ta lëndojë atë nëse këtë e merr si kompliment? Sidoqoftë, Mossi pati ende "të keq" për të larguar nga supet, teksa në shtator publikoi këngën 'hijo de puta', që i bie "bir bushtre" nga spanjishtja.

Ajo që dëgjojmë për 3 minuta e 10 sekonda është njëmend gojëhapëse. Nuk lë gjë të zezë e djallëzore pa thënë, teksa nga njerëzit që nuk jetojnë më e deri te nëna, vëllai, shoku i ngushtë, bashkëpunëtori e menaxheri të gjithë goditen në të gjuajtmet mbi turmën e kundërshtarit. Është diçka që kurrë më herët nuk ke parë e ke dëgjuar. Diss direkt, me emra e mbiemra e që then tabu në një industri ku reperët 'lëmohen' me njëri-tjetrin aty-këtu me ndonjë diss subliminal që shpeshherë kalon nën radar.

Lirikat aq të rënda sa të japin ankth, të përcjellura me një instrumental tmerrues sikur të ishte krijuar nga ndonjë demon, e kompletojnë atë për të cilën është e pamundur të mos sikletohesh.

Pjesë nga kënga (kujdes: përmbajtja është seksiste):

Shesim edhe ndjenja, veç mu bo rich (i pasur);

Mos me lonë nanën, si ti tanën mu bo b*tch (bushtër);

Kur llogariti n'fërrka, ty nuk t'llogariti hiç;

Se ti je snitch (spiun), e tuc i keq je;

Ke ikë e ke lonë vëllaun vet t'u ta rrehë;

T'u ka plagos shoku nërsy, t'u ka kthy n'fe;

Se ke ikë e ke lonë midis rruge t'u hi n'dhe;

Këto më lart ishin vetëm disa nga vargjet brutale që thuhen për më shumë se tre minuta, derisa ajo që pasoi tutje ishte heshtje totale. As edhe një fjalë e vetme nga Buta rreth çështjes. Ishte L-ja (humbja) më e pranueshme dhe e përqafuar që kemi parë ndonjëherë.

Dorën në zemër, Buta është rimëkëmbur në mënyrë impresive në vazhdim, duke stabilizuar tutje statusin e tij si një prej artistëve më të veçantë e autentik në treg.

Lider i shkollës së re, më pëlqen ta quaj dhe është epitet të cilin ai e mban me lehtësi të theksuar para çdokujt tjetër, por sa i përket beefit (luftës) me Mossin, e ka marrë L-në më të madhe të karrierës deri tash, dhe sigurisht se e di edhe vet.

Për mënyrën si kanë shkuar gjërat, Buta fiton në rrugën e gjatë pasi karriera e tij ka shkuar në ngritje e sipër, ndërsa e Mossit po vazhdon të jetë e njëtrajtshme si pasojë e mungesës së theksuar të versalitetit në stil.

Tjera nga autori:
1