<b></b>

"Ia nxori organin": Armiqësia e pabesueshme që çoi në vrasjen në Ferizaj sipas ferizajasve

28.05.2022 19:56

Vrasja e një të riu në Ferizaj ka tronditur vendin. Për kryerjen e asaj vrasjeje mizore i dyshuar është Qëndrim Januzi, vëllai i reperit Betim Janzi i njohur ndryshe si Buta. E zënkat e djeshme në qytetin e vogël kanë një histori jashtëzakonisht tmerruese.

Në vitin 2020, Buta do t’i kushtonte madje edhe një këngë personit të cilin në mbrëmjen e 27 majit i vëllai i tij dyshohet se e qëlloi me gjashtë plumba për t’i marrë jetën.

Së bashku me një reper tjetër që quhet Singi, ai këngën e titullinte “Drip” e në të cilën flet për plagosjen e të ndjerit i cili njihej me nofkën Strella, i cili, sipas tij më pas i ishte kthyer fesë muslimane.

“U plagos n’kamë, u ba djalë i mirë, u kthy kah feja u ba musliman; çdo ditë po falet, ninon ramazan,” – ishin disa prej fjalëve të Butës në këtë këngë.

Sipas atyre që thonë ferizajasit që ndeshëm në rrugë, viktima kishte shkuar në një lokal ku edhe i kishte nxjerrë organin gjenital Butës në shenjë mosrespekti duke e kërcënuar se "ku ta shihte herën tjetër, do ta vriste". 

Por, dikur gjërat qëndronin shumë më ndryshe. 

Reperi dhe viktima më herët kishin pasur lidhje të ngushtë shoqërie. Sipas një reperi tjetër me emrin Fero, viktima madje edhe e (sic.) kishte therur me thikë reperin Mozzik për të mbrojtur Butën.

Nuk dihet saktësisht se si kishte përfunduar kjo miqësi mes Butës dhe të ndjerit Strella, por dyshimet janë se kjo ndodhi kur Buta vendosi të pajtohej me Mozzikun, reperin të cilin viktima e kishte therur që t’i bënte favor shokut (tashmë ish shokut) të tij.

Sidoqoftë, Strella pas përfundimit të miqësisë kishte vendosur që të shoqërohej pikërisht me kundërshtarët e reperit Buta dhe vëllait të tij, Qëndrimit.

Siç thonë dëshmitarët që kanë folur për Nacionalen, Strella madje edhe iu kishte dërguar informacione rivalëve që t’i përdornin kundër dyshes së vëllezërve.

Dhe këto informacione ishin përdorur. Të paktën, kjo kishte ndodhur nga reperi nga Prishtina dhe nga Fero në “dissat” e tyre ndaj Butës.

Sipas informacioneve nga dëshmitarët, kjo kishte acaruar tensionet. I vëllai i Butës, dorasi që tashmë ndodhet i shtrirë në spital, i kishte dërguar fjalë viktimës që të mos shpërndante informacione.

Burimet i kanë thënë Nacionales se fjalët e fundit që kishte shkëmbyer vrasësi me viktimën kishin qenë “Ja unë, ja ti!” në kuptimin që njëri prej tyre duhej të hiqte dorë nga rruga që po ndiqte.

Si ndodhi gjithçka mbrëmjen e së premtes?

I dyshuari për vrasje po qëndronte në një kafene të Ferizajit kur pa viktimën duke kaluar – na tha një person që ndodhej në vend të ngjarjes.

Sipas të dhënave që posedon Nacionalja, Qëndrim Januzi (i dyshuari për vrasje) u largua nga kafeneja me pretekstin se po shkonte në dyqan për të blerë diçka, mirëpo e mori veturën dhe u nis në drejtim të viktimës të cilit edhe i kishte zënë pritën.

Sipas dëshmitarëve, sapo Januzi ka dalë nga vetura pa shkëmbyer ndonjë fjalë e ka nxjerrë armën, ashtu siç ka bërë edhe viktima, dhe kanë filluar të qëllojnë në drejtim të njëri-tjetrit.

Nga gjashtë shkrepjet e plumbave, njëri qëlloi fatal dhe i mori jetën.

Një dëshmitar i ka thënë Nacionales se ka pasur shumë përpjekje që palët të pajtoheshin.

“Shumë njerëz kanë tentuar që t’i pajtojnë, (por) nuk kanë dashur. Na krejt e kemi ditë që në momentin që takohen, njëri ka me e pësu se qashtu janë kanë fjalët. Por ky (Qëndrimi), ka gjujtë i pari, po edhe nëse Strella e kish pasë mundësinë, e kish vra këta. Kjo u kanë situatë, ja u ja ti, s’ka pasë pajtim aty,”

Duke rrëfyer më shumë mbi marrëdhënien ai shprehet:

Ky ka hangër plumb për Butën, gjithë u kanë mas tij. Sa herë që dikush e ka kërcënu Butën, ose kanë dashtë me rrehë, ky gjithë u kanë mas tij. E ka therrë Mozzikun, ka rrehë njerëz e bile edhe vet u plagos ma shumë se një herë... krejt i ka ba për Butën. S’e di çka ka ndodhë ma vonë, s’janë ma shokë. M’doket ja pat kallë kerrin Butës,”

Zënka mes dyshes kishte nisur kur dorasi Qëndrim Januzi e kishte lajmëruar në polici viktimën për dëmtimin e veturës së vëllait të tij gjatë muajit të kaluar (prill).

Viktima nuk e kishte pranuar fajësinë.

Dyshohet se në qendër të Ferizajt, në afërsi të ndërtesës së Postës, një tjetër përleshje kishte ndodhur disa orë para vrasjes makabre. Rreth orës 19:30 një dëshmitar e kishte parë pikërisht dorasin që kishte qenë i shtrirë dhe i gjakosur.

Reperi Strella ndërkohë, disa ditë para ndodhisë së mbrëmshme, kishte qëndruar për disa ditë në një vilë me reperin Fero e ku kishin publikuar edhe disa video dhe fotografi.

Tjera nga autori:
1