<b>Kce, kce, kce:</b> Majk dhe Gjiko ofendojnë inteligjencën e të paktën 500 mijë njerëzve me këngën e fundit

Kce, kce, kce: Majk dhe Gjiko ofendojnë inteligjencën e të paktën 500 mijë njerëzve me këngën e fundit

19.05.2022 15:04

"Ti veç kce, kce, kce. Mos ta ninë, ninë, ninë, se unë po kcej, kcej, kcej, për ty po pi, pi, pi."

Sinqerisht, si mund të shkruajë dikush diçka të tillë dhe të besojë në të?! Në fakt, është impresive mënyra se si interpretohet, nëse analizon vetëm aspektin përmbajtësor të këngës.

Por, mos u mashtroni... ajo çka thuhet është njëmend kotësi në vete.

"Ti mo s’je, s’je, une s’jom, s’jom, s’jom, na dy mo bashkë nuk jena," Nuk është shaka... kjo pjesë së bashku me atë që e e potencuam më lart, është refreni i këngës së re të z. Majk dhe z. Gjiko.

U publikua para 21 orëve dhe, deri në kohën e këtij shkrimi, ka grumbulluar mbi 540 mijë klikime. Sigurisht, kjo dyshe do të gjenerojë të ardhura të majme nga ky projekt, i cili gati të bindë të japësh dorëheqje nga puna 8-orëshe dhe me përkushtim që e bëni, për t'iu futur zanatit të këngëve të tilla.

A thu ti sonte qysh po dokesh;

o shpirt o yll i botës, për mu o fundi i botës;

n'fakt, për ty po pi, koka fundi i gotës.

E fillon pjesën e tij Majk, para se të shtojë gjëra si "për ty po thej, thej, për ty s'po flej, flej, po s'po ma ninë, s'po ma ninë, nuk je ti, e kom shoqninë".

Është e vështirë ta nënvizojmë pëgërën në ndonjë formë tjetër që flet më shumë se sa vetë teksti i kësaj kënge.

Rimimi me fjalët "harroj, çoj, shpresoj, njësoj", është thjesht mungesë respekti ndaj profesionit me të cilin siguroni bukën e gojës dhe audiencës që ju dëgjon. Ka gjasa që ky tekst të mos ekzistojë fare në formën e shkruar... më shumë duket si diçka që e thua aty për aty, madje duke shpresuar se nuk po dëgjoheni nga një audiencë e gjerë përtej rrethit të ngushtë.

Por kjo nuk është as pjesa më e keqe. Prisni derisa të futet Gjiko në skenë. Reperi nga Peja duhet të ketë pasur kthesën më të madhe në histori nga vlera në antivlerë.

Nga "qese t'bardha si Mihrie Braha, ma shumë hekra se n'shpi brava", ka shkuar në "për ty po vuj, ty po vujë, ty po vujë, ty po lujë, ty po lujë, ty po lujë, bejbi" brenda pak kohësh.

"Ani, ani, sytë e mi ju qani, moj mëkatare, për ty po këndoj si Dani." Oh Zot i madh, çka është kjo?!

Po kërcejmë? Po vuajmë? Çfarë po bëjmë realisht, pasi është e paqartë dhe krijohet një tollovi e vërtetë e mendimeve kur dëgjoni këtë këngë, e cila sigurisht statusin e 'hitit' e var krejtësisht në interpretimin me zanore të zgjatura të Majk.

Është krijuar një farë ndjesie gjenerale në estradën tonë se sa më shumë shtrembërohet zëri e zgjaten zanoret në fund të fjalës, aq më interesant del. Jo, nuk është ashtu... ju lutemi, për çdo artist që mund të jetë duke lexuar këtë. Është një pjesë e madhe që ndihet keq dhe kaplohet nga 'cringi' (sikleti) kur dëgjon gjëra të tilla.

Për klipin tashmë po dihet rutina... një vajzë e veshur kinse në mënyrë ekstravagante, një veturë luksoze, një çati në krye të ndërtesës ku zbret e ngjitet helikopteri, një muze apo ndërtesë paksa më glamuroze prapa, një kostum i performuesve me ngjyra e me setra dhe gati për shitje.

Për të qenë fer, z. Majk në skenën e çatisë - largoji nga ekuacioni syzet dhe të mbathurat - e ka njëfarë sensi të dukjes që ne e ndiejmë, me maicën 'oversized' dhe pantollonat me xhepa poshtë gjunjëve.

Gjiko, në anën tjetër, po e mbron me rigorizitet statusin e tij si një prej reperëve që vishet më së keqi në estradë, tash e disa vite.

Tjera nga autori:
1