<b></b> Kosova që e duam: 17 hektarët e Dua Lipës, t’i jepen Festivalit që mund të ndreq imazhin dhe realitetin tonë

Kosova që e duam: 17 hektarët e Dua Lipës, t’i jepen Festivalit që mund të ndreq imazhin dhe realitetin tonë

19.06.2022 10:21

Dje e pardje (17 dhe 18 qershor) u mbajt Festivali Multikulturor në Parkun e Qytetit në Prishtinë. Çka më panë sytë e çka më tha fiqiri për këtë ngjarje?

Parku i Qytetit në Prishtinë – edhe pse i ndërtuar mbi varre – është prej vendeve më të bukura në kryeqytet. Duke dashur të merrja një dozë të pamjeve të gjelbra që më ofronte, u turra drejt tij për të kaluar një pjesë të ditës së shtunë (18 qershor).

Derisa po ecja drejt parkut, pashë fëmijë të moshave të ndryshme të pakicave të shtypura etnike që po e bënin të njëjtën rrugë. Këndonin, qeshnin e luanin me njëri-tjetrin. Dalloheshin se nuk ishin shqiptarë bash për shkak të këtyre sjelljeve të shpenguara e pandrojtura. Shqiptarët fëmijë i nënshtrohen një rrite tepër ndrydhëse që mësyn t’i bëjë përjashtues e ndrydhës; me një fjalë t’i bëjë ushtarë të konformizmit në të ardhmen. Fëmijët që ecnin para meje s’e dinin këtë gjë, por as s’iu bënte.

FOTO I: Parku i Qytetit | J. Buja, Nacionale

Festivali

Kur mbërrita pashë se po mbahej një festival për të cilin s’kisha pasë haber. Gjatë gjithë javës ishte folur për një tjetër festival, atë të Dua Lipës (Sunny Hill), një pop-ylli të përmasave botërore që i takonte shumicës etnike të vendit. Ikja nga Prishtina drejt Tiranës çoi shumë pluhur dhe e nxiti një debat shterp që u fëlliq në paroditë e rëndomta të politikës ditore.

Muzika buçiste, por jo aq sa të shkaktonte parehati. Ajo as që dëgjohej bile jashtë parkut.

Romët, ashkalitë dhe egjiptianët ishin mbledhur në qendër të parkut, e ku ishte vendosur edhe një platformë fizike mbi të cilën performonin artistë të ndryshëm. Përanash shërbehej ushqim dhe pije.

Fëmijët romë, ashkali dhe egjiptian – të cilët jemi mësuar t’i shohim derisa lypin ose lajnë xhama të përparmë të kerreve – nuk kishin mrrolat e zakontë në fytyrë, e as buzëqeshjet e rreme që i kishin stërvitur për nevoja pune. Ata dukeshin çiltërsisht të kënaqur, gazmorë e të gjallë, krejt të dhënë në shijimin e atyre çasteve. Prindërit e tyre, megjithatë, dukeshin më të kursyer.

FOTO II: Performuesit e datës 18 qershor | J. Buja, Nacionale

Shqiptarët ishin të paktë mes tyre, por të shumtë anash tyre. Shumica e bënin atë që e bëjnë përherë: ishin strukë nëpër kafene dhe këqyrnin seri. Diversitetin nuk mund ta kuptonin, edhe pse dikur – në një dikur jo shumë të largët – ishin edhe vetë viktima të këtij moskuptimi diversiteti nga tjetërkush. 

Kishte edhe shumë aktivitete tjera njëherësh. Disa ishin ulur në bari dhe dëgjonin muzikën. Të tjerë flisnin dhe ecejakeshin pa pushim. Disa luanin ping-pong e disa tjerë basketboll. Disa ekspozonin rroba tradicionale për të shpalosur kulturën përkatëse. E kështu me radhë.

FOTO III: Fëmijët duke luajtur ping-pong | J. Buja, Nacionale

Në mënyrë që të mësoja më shumë për festivalin u rrasa në Internet dhe zbulova që për të kishte shkruar edhe kryetari i Prishtinës, z. Përparim.

“Prishtina shtëpi e shumë kulturave e identiteteve! Energji fantastike te festivali multikulturor,”

Foto IV: Përparim Rama në festival | P. Rama

Shtëpia e veç një identiteti

Përparimi kishte të drejtë sa i përket energjisë fantastike, ani pse muzika ndonjëherë ishte e kontestueshme. Ta zëmë, e lëshuan edhe Dua Lipën për të na përkujtuar si me përdhunë Sunny Hillin dhe debatin rreth tij.

Por, Prishtina nuk është shtëpi e shumë kulturave dhe identiteteve. Ishte një herë e një kohë, por nuk është. Duhet të bëhet, por nuk është.

Sipas censusit të vitit 1961, as gjysma e banorëve të Prishtinës nuk ishin shqiptarë (49.3%). Kishte me bollëk serbë, romë, ashkali, boshnjakë, egjiptianë etj. Sot, mbi 95% e banorëve të Prishtinës janë shqiptarë dhe serbët, romët, ashkalitë, boshnjakët e egjiptianët janë një grumbull zerosh të njëpasnjëshme. Zero-pikë-diçka, zero-pikë-zero-diçka, zero-pikë-zero-zero-zero-diçka. E kështu me radhë.

FOTO V: Disa nga... | J. Buja, Nacionale

Prishtina jo që nuk është shtëpi e shumë kulturave dhe identiteteve, siç tha Përparimi, por është shtëpi e vetëm një kulture dhe vetëm një identiteti. Nuk ma merr mendja se ka ndonjë kryeqytet më të ‘pastër’ etnikisht në Evropë, ashtu si nuk ma merr mendja që mund të krahasohet për nga ‘pastërtia’ etnike as me ndonjë qytet tjetër në Kosovë. Kampione e padiskutueshme!

Prishtina është qytet i shëmtuar - jo për shkak të ndërtesave të shëmtuara brutaliste që i ndërtoi ish regjimi Jugosllav apo për shkak të ndërtesave laramane të ndërtimtarëve analfabetë të pasluftës apo për shkak të rrugëve të ngushta. Prishtina është e shëmtuar për shkak të shpirtit të saj përjashtues që s’e duron diversitetin dhe që lëngon për konformizëm. Pra, është po ai shpirt karakteristik i fshatarëve të pashkollë, fanatikë kundër llojllojshmërisë dhe tepër paragjykues ndaj secilit identitet tjetër.

FOTO VI: Njoftimi për Festivalin | J. Buja, Nacionale

Kosova si shtet nuk ka at e as etër themeltarë por parime themeltare. Dhe mes këtyre parimeve, më kryesori është multietniciteti. Të gjithë ata që e duan Kosovën, do të duhej të luftonin për forcimin e këtij parimi dhe kundër krijimit të një shteti të rremë ku normalizohet pabarazia e segregacioni. Prandaj, nuk do të isha kundër që 17 hektarët që s’i mori Dua Lipa t’i ndaheshin këtij festivali për 99 vjet (me një studim fizibiliteti e një plan të detajuar investiv) në mënyrë që ta ndreqnim përnjëmend imazhin por edhe realitetin e këtij vendit tonë.

Tjera nga autori:
1