Vrasja në Ferizaj i ka vënë dritë një aspekti që të gjithë e neglizhojmë dhe injorojmë derisa na "kërcen" para fytyrës - glorifikimin e dhunës në hip-hop.
Sigurisht, tingëllon e duket interesante kur dëgjon një reper duke kërcënuar një tjetër, por të gjithë njëzëri e dënojmë kur realisht dhuna zë vend në praktikë.
Fyrjet verbale gjithmonë janë pikënisje e diçkaje që pastaj mund të agravojë deri në një pikë të pakthyeshme - marrjes e humbjes së një jete njeriu.
Gazmend Hyseni, i njohur me nofkën "Strella", humbi jetën pasi mbi të u shti me armë zjarri nga i dyshuari Qëndrim Januzi, i njohur si "Rifa", i cili poashtu është edhe vëllai i reperit të njohur, Buta.
"Strella" në të kaluarën gëzonte një miqësi të afërt me Butën dhe vëllain e tij, madje duke u përmendur nga reperi në platforma të rëndësishme televizive, si emisionin "NIN", në Klan Kosova.
I njëjti kishte qenë protagonist në një incident tjetër të Butës me reperin rival nga Ferizaj, Mozzik.
Në vitin 2017, Mozzik kishte publikuar një këngë me emrin "Kuks" - e cila ka aktualisht mbi 16 milionë klikime - ku, ndër të tjerash, shprehet: "Mu reper s'më bon tesha, kallëzom sa t'kushton veshka", qartazi duke i hedhur kunj Butës, i cili në këngën e vitit 2016, të titulluar "z.Ndjejna" (mbi 3 milionë klikime), pështynte vargje si: "Ça kom vesh, kushton sa ni veshkë zemër..."
Tensionet ishin të qarta, derisa Mozzik do ta pësonte në vazhdim nga "Strella", i cili - për t'u hakmarrë ndaj kunjit që i ishte bërë mikut të afërt të tij atëbotë, Butës - kishte therur me thikë në shpinë Mozzikun, derisa ky ishte në vrapim e sipër.
Kjo gati sa konfirmohet edhe nga reperi tjetër, Fero, i cili po ashtu ka një "beef" të kahmotshëm me Butën.
Në një sesion drejtpërdrejtë në TikTok me personalitetin e shquar të kësaj platforme, Kozak Brace, Fero thotë: "Mozziku i ka qitë kunxh Butës (bëhet fjalë për këngën 'Kuks' që e përmendëm më lart). Edhe tana u konë i therrt (Mozziki) për qat punë".
Kozak Brace pastaj e pyet, "pse e paska grupin e fortë Buta?"
Për të marrë këtë përgjigje nga Fero: "E ka pasë, nuk e ka mo", para se të shtojë "e përshëndesim Strellën", qartazi duke aluduar në prishjen e marrëdhënieve mes Butës dhe "Strellës".
Ky i fundit në prill të vitit 2022 ishte shndërruar në të dyshuarin kryesor në rastin e djegies së veturës së Butës, derisa një dëshmitar që ka folur për Nacionalen, ka thënë: “Strella (Gazmend Hyseni, viktima), e kishte kërcënuar para disa ditëve me vrasje Butën. Më saktë, para dy ditëve”.
Raporti i afërt dikur mes "Strellës" dhe Butës konfirmohet edhe nga vetë reperi në emisionin "NIN" në vitin 2018, ku - duke folur rreth një teksti ku Buta thotë "killën unë e shitsha, sikur një killë molla" - shprehet: "Shout/Out (përshëndetje) për 'Strellën'.
Për ta dëgjuar momentin kur Buta përshëndet “Strellën”, klikoni në videon e mëposhtme.