<b>Kush ishte Vjosa Berisha? </b> Profili dhe reagimi i figurave të njohura pas vdekjes së saj

Kush ishte Vjosa Berisha? Profili dhe reagimi i figurave të njohura pas vdekjes së saj

23.06.2022 15:31

Arti dhe kultura kosovare në përgjithësi u varfërua dukshëm sot, pas lajmit tragjik të vdekjes së producentes Vjosa Berisha, e cila humbi betejën e gjatë me sëmundjen e kancerit.

Bashkëshorti i Vjosës, regjisroi i njohur, Fatos Berisha njoftoi për lajmin e trishtë me anë të një postimi në Instagram, ku shkroi:

"Me pikëllim të thellë bëjmë të ditur se e dashura jonë, Vjosa Berisha, ndërroi jetë sot, më datë 23 qershor, në spitalin 'University College' në Londër. Datën dhe vendin e varrimit do ta bëjmë të ditur më vonë. Familja Berisha dhe Istrefi".

Veprimtaria e Vjosa Berishës

Vjosa ishte një figurë e njohur dhe shumë e dashur në komunitetin kulturor të Kosovës, derisa ushtroi veprimtarinë e saj për më shumë se dy dekada në marrëdhëniet me publikun dhe industrinë e filmit.

Ajo ishte themeluese e kompanisë së filmit që merret me marrëdhëniet publike , "B2", me zyrë në Shqipëri dhe Kosovë.

Vjosa gjithashtu ushtronte rolin e drejtoreshës së "PriFest"- Festival Ndërkombëtar i Filmit që zinte vend në Prishtinë për 11 edicione rresht, derisa këtë vit ishte planifikuar të mbahej mes data 26-31 korrik.

Festivali shërbente si platformë promovimi për krijuesit e rinj të filmit, përmes programit 'PriFORUM', i cili i mundëson krijimin e lidhjeve mes kinematografëve aspirues me ekspertë të fushës.

Përgjatë karrierës së saj, ajo krijoi filmat "The Flying Circus" në vitin 2019, ku pati rolin e producentes, pasuar nga "The Happines Effect", film të cilin e bashkëdrejtoi me regjisorin Borjan Zafirovski.

Mes viteve 2002-2004, ajo kishte prodhuar programin për fëmijë, "Sesame Street Workshop", i cili u transmetua në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Ajo posedonte diplomë Master të Universitetit të Arteve në Medie dhe Kumunikim nga Universiteti londinez, 'Westminister'. Niveli i saj arsimor konsiston edhe diplomë pasuniversitare në Diplomaci Bashkëkohre nga Universiteti i Maltës.

Në komunitetin lokal, ajo njihej si figurë e zëshme pro të drejtave të komunitetit LGBTIQ, derisa pikërisht në pëkrahje të kësaj lëvizjeje krijoi "Let it Be PriFest" më 2014.

Reagimet

Pas një karriere e veprimtarie të bujshme, ndaj lajmit për vdekjen e saj kanë reaguar figura të shquara kinematografike, politike e sportive.

Numri 1 i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama komentoi shuarjen nga jeta të saj në Facebook, duke shkruar:

"Vjosa e Prishtinës!  Sot, Prishtinës iu shua një dritë që përgjatë njëzet viteve pa u ndalur, ka rrezatuar aq shndritshëm në skenën kulturore e kinematografike në vend me punën, profesionalizmin dhe energjinë e saj të pashoq. Sot, ndjehemi më të varfër pa miken tonë të mrekullueshme, Vjosën, që nga zemra i dha kryeqytetit aq shumë kreativitet e energji pozitive. I bashkohem me pikëllim të thellë dhimbjes së familjes Berisha dhe Istrefi në këtë humbje të madhe."

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku pati një reagim të shkurtër por emocional, me reagimin e saj:

"Vjosë, Ma këpute shpirtin. Sot e humba miken e çmuar, e Prishtina ikonën ma të çmuar. Kam me të kujtu përjetë", shkroi ajo.

"zbraztinë dhe shumë të madhe në artin dhe kulturën e vendit tonë" që lë shuarja nga jeta e Berishës, elaboroi edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila shkroi:

"Me pikëllim të thellë morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të regjisores dhe producentes, Vjosa Berisha.
Ikja e parakohshme ka ndalur përgjysmë veprimtarinë e saj artistike, menaxheriale dhe kjo lë zbrazëti shumë të madhe në artin dhe kulturën e vendit tonë.
Vjosa Berisha, në 50 vitet e saj, la një trashëgimi mbi 20 vjeçare në industrinë e filmit dhe ishte bashkëthemeluese dhe drejtore e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “PriFest” për më shumë se një dekadë.  Kolegialiteti, qasja pozitive dhe angazhimi i saj ishte i pashoq dhe do ti mungoj gjithë komunitetit artistik.
Sot nuk e humbëm vetëm një artiste, por humbëm një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për kulturën e re të vendit tonë.
Ngushëllime familjes, miqve, dhe shoqërisë tonë!"

Pakfjalëshe në reagimin e saj ishte aktorja dhe deputetja e Kosovës, Adriana Matoshi, e cila publikoi një foto bardh e zi të Vjosës, duke shkruar:

"Prehu ne ni vend ma te mire engjull".

Nënkryetari dhe figura e shquar e PDK-së, Uran Ismaili e komentoi në këtë mënyrë lajmin trishtues:

"Sot na la një ndër figurat më të rëndësishme dhe aktive të artit dhe kulturës në vendin tonë, regjisorja Vjosa Berisha. Vjosa, gjatë një jete përplot aktivizëm, mbrapa na la një trashëgimi të pasur kulturore dhe një shembull të rrallë prej një gruaje të fuqishme, e cila nuk njohu dorëzimin as në momentet më kritike të saj. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë komunitetit artistik. Faleminderit për kontributin dhe shembullin që na le prapa, Vjosë!"

Tifogrupi, "Dardanët" kanë zbuluar se Vjosa Berisha kishte qenë iniciatore e slloganit "unë, bija jote, Kosovë" si dhe kishte krijuar një nëngrup brenda kësaj tifozërie, ku gjenin përfaqësim gratë nga fusha të ndryshme.

"Para pak çastesh me dhimbje të thellë pranuam njoftimin për humbjen nga jeta të Vjosa Berishës, ndryshe edhe një grua e mirë dhe përkrahëse e pashoq e Dardanëve dhe Kosovës.
Për jetë e mot do ta kujtojmë. Vjosës do t’i falënderohemi për gjithçka çfarë na ndihmoi. Kontributi i saj nuk do të harrohet kurrë. 
Punët e saj do të na mbesin përherë si udhërrëfyes i yni. Ajo ishte nismëtare e shumë ideve që u proceduan tutje dhe publiku i gjerë i preku nga afër. Ashtu siç ishte ideja për “unë, bija jote, Kosovë” dhe krijimi i një nëngrupi brenda Dardanëve, me Dardanet, të përbëra nga gra të ndryshme prej lëmive të shumta. Tifogrupi Dardanët shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet Berisha dhe Istrefi për ndarjen nga jeta të më të dashurës së tyre".

 

Tjera nga autori:
1