<b>Marshall Tito</b>  ende nxeh zemra në Prishtinë

Marshall Tito ende nxeh zemra në Prishtinë

04.05.2022 12:07

Diku në Sofali gjendet një punishte e pazakontë e përpunimit të metaleve. Veçoria e punishtes s’është te ndonjë mjeshtëri, por më shumë është te një fotografi e varur brenda saj. Bile fotografia sjell vizitorë, që s’janë myshteri të interesuar për ndonjë metal. 

Brenda punishtes, afër derës së zyrës së improvizuar, gjendet fotografia e ish-diktatorit, Josip Broz Tito. Sipër fotografisë me përmasa rreth 50x100 gjenden flamujt e Kosovës e Shqipërisë.  

Fotografia nxit kurreshtjen e shumëkujt.    

‘‘Hajt kallëzom, pse p’e mban?’’, është pyetja që shpesh e dëgjon 49-vjeçari nga Prishtina, e duke u pyetur shpesh, në maje të gjuhës e ka përgjigjjen për fotografinë e pazakontë.   

‘‘Hajt kallëzom pse mos me mbajtë’’, vazhdimisht thotë biznesmeni, që Nacionales i tha se s’dëshiron të identifikohet me emër pasi ‘‘tani po vijnë shumë [njerëz] me këqyrë, e na pengojnë në punë’’, por që gazeta Nacionale do t’ia vendosë emrin ‘Kujtim’.   

Në një vizitë të rastësishme në objektin e postës së qytetit në Gjakovë, në vitin 2002, i kishin rënë në sy dy korniza të kthyera mbrapsht. Pasi i rrotulloi, e pa se fotografitë kishin portretet e Titos. Vendosi t’i merrte të dyja. 

 

‘‘Ishte ni baski n’shtyllë, edhe e qita qaty’’, thotë ai për fotografinë që e mbajti për më shumë se 20 vjet të varrur në shtyllë, dhe që shihej edhe nga rruga, gjë që bënte që shumëkush të ndalej e të bëntë fotografi pranë fotografisë së Titos. 

‘‘Ke nji dekë këtë vit, edhe u majt e pamja këtu [në punishte]’’, thotë pronari i punishtes, që vazhdon të tregojë se prej atij momenti s’e ka kthyer fotografinë në shtyllë. Mirëpo, fotografinë tjetër vazhdon ta mbajë pranë derës së zyrës së tij. 

‘‘Shumëkush e do, po ka edhe që na shajnë. Njani më pati kërcënu. Më tha pse po e mban, hajt kallëzom, pse e mban këtë fotografi?! A e di çka na ka ba...’’, kujton momentin metalxhiu.

‘‘Baba jem i ka ba 6 fëmijë. Sa i ki ti? Mos me kanë Tito, baba jem s’i kish’ ba 6 fëmijë’’, thotë ai, duke vazhduar të tregojë se ai është fëmija i fundit i familjes. 

Përplasjet rreth figurës së diktatorit Josip Broz Tito vazhdojnë në Kosovë edhe sot kur kanë kaluar mbi 40 vjet nga vdekja e tij.

Ai kishte qenë në krye të një sistemi në të cilin shumë shqiptarë të Kosovës persekutoheshin e vriteshin në rrethana të paqarta, derisa shumica e shoqërisë kosovare jetonte nën kushte të represionit të madh politik, e në kushte të mjerueshme ekonomike.

Tjera nga autori:
1