<b></b> Mayo Clinic: Nëse vini re këto simptoma të hershme të tumoreve të trurit, mund të shpëtoni jetën tuaj

Mayo Clinic: Nëse vini re këto simptoma të hershme të tumoreve të trurit, mund të shpëtoni jetën tuaj

24.05.2022 15:34

Tumori i trurit është një masë ose një grumbull qelizash që rriten në mënyrë të pakontrolluar në trurin tuaj.

Ekzistojnë shumë lloje të ndryshme të tumoreve të trurit. Disa tumore të trurit janë jokanceroze (beninje), dhe disa tumore të trurit janë kancerogjene (malinje). Tumoret e trurit mund të fillojnë në trurin tuaj (tumoret primare të trurit), ose kanceri mund të fillojë në pjesë të tjera të trupit tuaj dhe të përhapet në trurin tuaj si tumore dytësore (metastatike) të trurit.

Shpejtësia me të cilën rritet një tumor i trurit mund të ndryshojë shumë. Shkalla e rritjes si dhe vendndodhja e një tumori të trurit përcakton se si do të ndikojë në funksionin e sistemit tuaj nervor. Mënyrat e trajtimit të tumorit të trurit varen nga lloji i tumorit të trurit dhe nga madhësia e vendndodhja e tij.

Nëse vërehen me kohë simptomat e herëshme të tumoreve të trurit dhe intervenohet në mënyrë të mënjëherëshme, mundësit për të shpëtuar janë shumë të mëdha. 
Këto simptoma përfshijnë: 

*Dhimbje koke që gradualisht bëhen më të shpeshta dhe më të forta

*Të përziera ose të vjella të pashpjegueshme

*Probleme të shikimit, të tilla si shikimi i paqartë, shikimi i dyfishtë ose humbja e shikimit periferik

*Humbje graduale e ndjeshmërisë ose lëvizjes në njërin krah ose njërën këmbë

*Vështirësi me ekuilibrin

*Vështirësi në të folur

*Ndiheni shumë të lodhur

*Konfuzion në çështjet e përditshme

*Vështirësi në marrjen e vendimeve

*Pamundësia për të ndjekur komandat e thjeshta

*Ndryshim personaliteti ose sjelljeje

*Konvulsione, veçanërisht në dikë që nuk ka një histori konvulsionesh

*Probleme me dëgjim

Shkaqet dhe llojet e tumoreve të trurit

Te shumica e njerëzve me tumore parësore të trurit, shkaku i tumorit nuk është i qartë. Por mjekët kanë identifikuar disa faktorë që mund të rrisin rrezikun e një tumori të trurit. Këta faktorë përfshijnë:

Ekspozimi ndaj rrezatimit – njerëzit të cilët janë ekspozuar ndaj një lloji të rrezatimit të quajtur rrezatim jonizues kanë një rrezik në rritje të tumorit të trurit. Shembuj të rrezatimit jonizues përfshijnë terapinë me rrezatim që përdoret për të trajtuar kancerin dhe ekspozimin ndaj rrezatimit të shkaktuar nga bomba atomike.

Historia familjare – një pjesë e vogël e tumoreve të trurit ndodh tek njerëzit me një histori familjare të tumoreve të trurit ose një histori familjare të sindromave gjenetike që rrisin rrezikun e tumoreve të trurit.

Ekzistojnë dy lloje të tumoreve të trurit:

Tumoret primare të trurit fillojnë kur qelizat normale zhvillojnë ndryshime (mutacione) në ADN-në e tyre. ADN-ja e një qelize përmban udhëzimet që i tregojnë një qelize se çfarë të bëjë. Mutacionet ‘i udhëzojnë’ qelizat të rriten dhe ndahen me shpejtësi dhe të vazhdojnë të jetojnë kur qelizat e shëndetshme do të vdesin. Rezultati është një masë qelizash jonormale, e cila formon një tumor. 

Tumoret sekondare të trurit janë tumore që vijnë nga kanceri që fillon diku tjetër në trupin tuaj dhe më pas përhapet (metastazon) në trurin tuaj. Këto tumore janë më të zakonshme te njerëzit që kanë një histori të kancerit. 

Trajtimi i tumoreve të trurit 

Tumoret e trurit (qofshin primare ose metastatike, beninje ose malinje) zakonisht trajtohen me kirurgji, rrezatim dhe/ose kimioterapi – vetëm ose në kombinime të ndryshme. Ndonëse është e vërtetë që rrezatimi dhe kimioterapia përdoren më shpesh për tumoret malinje, të mbetura ose të përsëritura, vendimet se çfarë trajtimi duhet përdorur merren rast pas rasti dhe varen nga një sërë faktorësh. Megjithatë, ka rreziqe dhe efekte anësore që lidhen me çdo lloj terapie.

Tjera nga autori:
1