<b></b> Me 1 piano u mbajtën 12 edicione - historia me plot sfida absurde e festivalit për Piano “Chopin Fest”

Me 1 piano u mbajtën 12 edicione - historia me plot sfida absurde e festivalit për Piano “Chopin Fest”

09.05.2022 16:28

“Steinway” është emri i pianos e cila njihet si piano koncertale me të cilën shumica e pianistëve të klasit botëror luajnë në koncertetet e tyre. Por një piano e tillë nuk egziston në Kosovë. Megjithatë në Kosovë, ka 12 vite që organizohet Festivali i Pianos “Chopin”, i cili këtë vit nis me 9 maj dhe zgjat deri më 8 qershor, me gjithsej 14 koncerte. Këtë edicion e hap koncerti i një prej pianistëve më të njohur në botë, spanjolli Martin Garcia Garcia. Por, ai do të luajë në një piano gjysmëkoncertale, të kompanisë japoneze “Yamaha”. 

“Nuk është sikur ‘Steinway’ që e duan të gjithë pianistët, por ia vlenë, është e mirë”, thotë Besa Luzha, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës dhe një nga organizatoret e Festivalit “Chopin Piano Fest” që mbahet në kryeqytet. 

Në këtë podcast, Besa Luzha tregon historinë e jashtëzakonshme por edhe absurde të kësaj pianoje, e cila që 12 vjet përdoret për të luajtur qindra pianistë botërorë në koncertet e tyre në Prishtinë. 

“Kanë qenë 6 piano ‘Yamaha’ nga Japonia. Njërën që e patën dërguar në Teatrin Kombëtar sot e kanë prishur duke e përdorur si tavolinë, tjetra në Filharominë e Kosovës, një në Balet, tjetra në Sallë të Kuqe dhe një e patën dërguar në RTK. Këtë të RTK-së, na patën dhënë neve sepse nuk kishin ku ta linin. Me këtë piano ne mbahemi që 12 vjet”, tregon Luzha. 

Të njëjtën piano, organizatorët e “ChopinPiano Fest” ishin detyruar që fillimisht ta dërgonin në Sallë të Kuqe, e cila ishte hapësira ku festivali nisi edicionet e para, për të vazhduar më pas në një sallë hoteli ku kishte qëndruar dy vjet. 

“Edhe aty përkundër gatishmërisë së hotelit që të na ndihmonin, pas dy viteve na thirrën dhe na thanë që duhet ta marrim sepse po u pengon. Pas kësaj, u desh ta shpikim një sallë tjetër dhe e gjetëm hapësirën që sot njihet si Amfiteatri i ri i Biblotekës”, tregon Luzha në Podcast Nacionale. 

Luzha flet gjerë e gjatë edhe për sfidat tjera të organizimit të një festivali të muzikës klasike në Kosovë, për të vazhduar një komentim të politikave të reja kulturore të Qeverisë, se qysh mbetën këtë vit pa aplikuar për fonde publike të Minsitrisë së Kulturës dhe komenton rritjen e numrit të shikuesve në koncertet e muzikës klasike, edhe përkundër ndikimit negativ të Pandemisë. 

Tjera nga autori:
1