<b></b> Memet e bujshme të Nolit për njerëzit e VV-së: A mund t'i deshifrojmë?

Memet e bujshme të Nolit për njerëzit e VV-së: A mund t'i deshifrojmë?

22.06.2022 13:30

Ditë më parë, Nol Nushi nga Partia Social-Demokrate ka publikuar disa fotografi të asociuara me largimin e festivalit Sunny Hill nga Kosova. Të gjitha këto përmbanin etiketa me mesazhe politike, e të cilat po provojmë t’i deshifrojmë më poshtë.

Datat e vëna në këto postera asociojnë pikërisht me festivalin e organizuar nga Dukagjin Lipa. Në vend të Sunny Hill, kemi lokacionin “Marigona Hill” për shkak të lagjes luksoze ku jetojnë disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje si Liburn Aliu e Luan Dalipi.

Albin Kurti

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, është vënë emri ‘artistik’ Big Fraud (Mashtruesi i Madh). Nushi duket se e konsideron z. Kurti si një politikan që ka shkelur qëndrimet politike të mëhershme dhe që po mashtron qytetarët e vendit. 

Shumë prej artistëve në botën e hip-hop muzikës kanë në emrat e tyre artistik edhe mbiemrin "Big", siç është Big Pun, Big Boi, B.I.G. e të tjerë. 

Tomë Gashi

Për analistin e Vetëvendosjes dhe avokatin e njohur, Tomë Gashin, është vendosur një emër ‘artistik’ pasksa më i rëndë. “High Van” quhet z. Gashi. 

Nuk besojmë që kemi të bëjmë me furgonët me çati të lartë.

Në këtë pikë, besojmë të jetë fjala për mënyrën se si thuhet “High Van” në gjuhën shqipe, pa pasur nevojë për përkthim. Pra, është fjala për “hajvanët”. 

Nuk dihet arsyeja që ka shtyrë z. Nushi ta bëjë një etiketë të tillë.

Arben Vitia

Arben Vitia është zhdukur nga jeta politike për t’u bërë drejtues i një laboratori privat. Ai është quajtur nga Nushi “Dr. Raus”, si duket duke u lidhur me gjermanishten që i përkthyer në shqip bën “Dr. Ikja”.

Për fat të mirë, ky emër është paksa më i butë se sa i mëhershme “Dr. Vdekja”.

Reperi më i njohur me "Dr." në emër është "Dr. Dre".

Blerim Sallahu

Zv. Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, është quajtur “Oil Speed” ose “Shpejtësia e vajit”. E parashikueshme! Kjo është bërë për shkak të një shembulli të marrë prej tij që tregonte për ritmin e kryerjes së punëve nga ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Kurti II në përgjithësi.

Ai kishte thënë se punët po kryheshin “me shpejtësinë e shpërndarjes së vajit në tepsi”.

Donika Gërvalla

Fatmirësisht, z. Noli është treguar më i butë me znj. Donika Gërvalla duke i dhënë merin “Miss Tweet” ose “Zonja Cicërimë”.

Kjo është bërë për shkak të shumë huqjeve që kishte bërë ministrja e Jashtme në disa postime në Twitter.

Liburn Aliu

Minsitri i Infrastrukturës ka marrë emrin artistik për shkak të skandalit të zbardhur nga gazeta Nacionale. Ai është quajtur “DJ Daja”, duke qenë se kishte punësuar nipin e dajës Halil Jahaj, Florent Ramqajn, si këshilltar financiar në ministri. Përkundër skandalit që zbuloi edhe ryshfet nga kompania e dajës, z. Jahaj.

Hysen Durmishi

Edhe nëse e dimë se çka ka dashur të thotë Nol Nushi me emrin artistik që i ka vënë Hysen Durmishi, nuk mund ta themi.

Emri i tij është “O Hysen”.

Enver Dugolli

Enver Dugolli është bërë i famshëm muajt e fundit me deklaratat e tij mbrojtëse pas çdo skandali të bërë nga Qeveria Kurti II.

Emri artistik i tij i vënë nga Nol Nushi është “Fero Nikeli”, ndoshta i lodhur me kombinatin Feronikeli që ishte privatizuar në kohën sa vëllai i tij, Bujar Dugolli, ishte ministër i Financave.

Mefail Bajqinovci

Deputeti dhe ish gazetari i emisionit politiko-mjekësor Puls, Mefail Bajqinovci, ka marrë emrin artistik “Muhalif Bajqinovci” nga ana e Nol Nushit.

Muhalif është sinonim për pallavrat, fjalët që nuk kanë ndonjë bazë e nuk shprehin asgjë.

Rozeta Hajdari

Ministrja e Tregtisë, Rozeta, ka marrë emrin artistik “Need for Speed” (Obsesioni pas shpejtësisë). Ky emër mund t’i jetë vënë për shkak të ‘shpejtësisë’ së jashtëzakonshme në kryerjen e punëve, ose për shkak të shpejtësisë së veturës së saj, si pasojë e të cilës kishte shkelur një fëmijë në lagjen Arbëria.

Tjera nga autori:
1