<b></b> Mendimtarët më të mëdhenj gay të të gjitha kohërave

Mendimtarët më të mëdhenj gay të të gjitha kohërave

17.05.2022 15:14

Sot është dita ndërkombëtare kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë. Njerëzit “jostraight” kanë qenë mes kontribuesve më të mëdhenj kulturorë e politikë në histori.

Për nder të kësaj dite, Gazeta Nacionale ju sjell mendimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, që kanë qenë gay. Ata e kanë ndryshuar historinë dhe kanë formësuar epoka të tëra me punën e tyre. Megjithatë, kur debatohet puna e tyre, shpeshherë lihet në heshtje

Platoni – Njëri prej mendimtarëve më të njohur, puna e të cilit, vazhdon të influencojë mendimin sot. Ai kishte një qasje krejtësisht të hapur lidhur me raportet dashurore mes gjinisë së njëjtë. Madje, ai kishte thënë ndër të tjera se “dashnorët e gjinisë së njëjtë janë shumë më të bekuar se vdekatarët e rëndomtë”.

Oscar Wilde – saherë përmendet homoseksualiteti dhe shkrimtarët, mendja na shkon te Oscar Wilde. Autori i romanit të njohur “Portreti i Dorian Greit” ishte homoseksual. Një figure tjetër për t’u kujtuar saherë na shkon mendja te dëmet potenciale të homofobisë.

Michel Focault – njëri prej mendimtarëve më të njohur, padyshim, të shekullit 20, filozofi francez Michel Focault, ishte homoseksual. Ai është i njohur për tekstet që ekspozojnë autoritetin në të gjitha format e tij, përmes shkollës, spitalit, institucioneve shtetërore dhe jo vetëm.

Alan Turing – kodthyesi dhe matematikani i madh britanik, Alan Turing, ishte personi përgjegjës për thyerjen e kodeve të ushtrisë naziste nga britanikët gjatë luftës së dytë botërore. Ai krijoi një makineri e cila, duke përdorur shprehjen më të zakonshme që përdornin nazistët “Heil Hitler”, do të detektonte dhe të dekodonte kodet e ushtrisë naziste. Alan Turing pas luftës, megjithatë u dënua për homoseksualizëm dhe u detyrua të marrë terapi hormonale, nga e cila edhe vdiq dy vjet më pas. Nga historia e tij doli filmi “The Imitation Game”, me rol kryesor të Bennedict Cumberbach.

Walt Whitman – Njëri prej poetëve më të shquar të gjuhës angleze në tërësi, Walt Whitman, u bë i njohur kryesisht me librin “Fije Bari”. Shkrimtari Oscar Wilde pasi u takua me Whitman në 1882, ishte i bindur se Whitman ishte homoseksual, madje i tha aktivistit George Cecil Ives: "E kam ende në buzë puthjen e Walt Whitman".

Këta ishin vetëm pesë, por përgjatë historisë ka jashtëzakonisht shumë personalitete të shquara që e kanë ndikuar epokën e tyre dhe jo vetëm, e që kanë qenë gay. Një pikë e mirë rimendimi për ata që e portretojnë vetën kundër të drejtave të këtyre grupeve, dhe me shpresë një kurë në ditën ndërkombëtare kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë.

Tjera nga autori:
1