<b></b> Miss Gjyshja, tallavaja, shtalbat, familja: Refuzimi i Sunny Hill nga VV, parë nga disa shenja kulture

Miss Gjyshja, tallavaja, shtalbat, familja: Refuzimi i Sunny Hill nga VV, parë nga disa shenja kulture

16.06.2022 17:31

Vetëvendosjes tash e një kohë të gjatë i ka humbur ndjeshmëria në lidhje me jetën kulturore të vendit. Disa prej indikacioneve për një gjë të tillë, i keni si më poshtë. 

Vetëvendosje për një kohë të gjatë është prezantuar si një parti urbane që i dilte në mbrojtje pakicave seksuale, kundër-kulturës, nën-kulturave të ndryshme dhe që kërkonte emancipim e ndërrim të shoqërisë edhe nga aspekti kulturor. Por, refuzimi i festivalit Sunny Hill na ofroi prezantime të reja për partinë e Albin Kurtit.

Të ndalemi te Albin Kurti, fillimisht.

Në disa raste, ai ka prezantuar edhe shijet e tij muzikore para qytetarëve, e të cilat – duket ta pranojmë – ishin mjaft të holla.

“Në fund të viteve ’80’ta e në fillim të ’90’tave, ka pasur një dyzim interesant. Kanë qenë ata që kanë pëlqyer The Beatles dhe ata që kanë pëlqyer Rolling Stones. Ose, ishte e rëndësishme a ke qenë me Deep Purple apo me Led Zeppelin. Mua më kanë pëlqyer më shumë The Beatles e Led Zeppelin sesa Rolling Stones e Deep Purple.” – shprehej kryeministri ynë i tanishëm.

Edhe pse nuk kemi prova, ne dyshojmë se e ka pëlqyer më shumë Rolling Stones se sa The Beatles. Sidoqoftë, të vazhdojmë.

Për dallim nga Kurti, që dikur ishte bërë i famshëm edhe si anglisht-folës me flokë të gjata, bashkëpartiakët e tij duket të kenë të tjera shije muzikore e formim tjetër kulturor.

Tallava

Deputeti i Vetëvendosje, Valon Ramadani, është ndër më të zëshmit në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij.

Ai vitin 2008, ai do të niste një karrierë prej këngëtari duke publikuar edhe një këngë në të cilën festohej “Bajrami”.

Kjo këngë ishte e zhanrit të njohur si tallava edhe pse i dedikohej Allahut derisa mori komentet si vijon:

Miss Gjyshja

Po i njëjti deputet, në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, garoi me një ide mjaft interesante: organizimin e një festivali të quajtur “Miss Gjyshja”.

“Një pikë që e kem në programin tonë që nuk i ka shku në mend askujt në asnjë palë zgjedhje, na e kemi bë premtim. Kemi me e mbajte një festival, një herë në vit, ka me pasë një organizim në mënyrë profesionale dhe kemi me e zgjedhë super-gjyshen e vitit... Miss Gjyshja në Ferizaj, 1, 2 dhe 3 kanë me u zgjedhë”- thoshte Ramadani.

Kjo ide përftoi një numër shumë të madh komentesh tallëse nga qytetarët por njëkohshëm edhe zbuloi mendësinë e një pjese të aktivistëve të Vetëvendosjes në lidhje me aktivitetet kulturore.

Neja me shtalba

Vetëvendosje ka organizuar në vazhdimësi aktivitete të ndryshme të kulturës në mënyrë që t’i mbante të mobilizuar e të motivuar aktivistët e saj.

Nejat me shtalba – ku piqeshin në natyrë kallamboqa – ishin të përvitshme dhe mblidhnin figura të njohura të kësaj partie.

Nuk dihet nëse dikujt i ka rënë ndërmend të fus në ekuacion edhe dëmet për ambientit, e sidomos promovimin e një kulture që duhej të ishte e denoncueshme për kohën në të cilën po jetojmë.

Seksi i njëjtë

Aktualisht, partia e Kurtit nuk po arrin të pajtohet në lidhje me Projekt-Kodin Civil për shkak se hapte mundësinë për lejimin e bashkëjetesave të personave të seksit të njëjtë.

Shumë deputetë kundërshtuan Kodin Civil – të përkrahur nga Qeveria – për shkak të pikës që bënte një lejim të tillë, madje duke shprehur edhe qëndrime të papranueshme homofobe.

"Unë nuk kam asgjë kundër askujt, por ruajtja e ekzistencës sonë, vazhdimi i llojit tonë, mbajtja e species sonë ka të bëjë me heteroseksualitetin. Nuk ekziston ndonjë formë tjetër që mund ta mbajë llojin tonë. Gjithçka tjetër është devijim i sjelljes. Prandaj gjithmonë do ta kenë votën time kundër,”  - kishte thënë Burim Meta nga grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.

Fatmirësisht, këto fjalime homofobe janë denoncuar nga kryeministri Kurti dhe ministrja e Drejtësisë që ka përgatitur Kodin Civil, Albulena Haxhiu.

Kjo e fundit për Nacionalen është zotuar se Kodi Civil do të kalonte herën tjetër që do të sillej në Kuvend për votim.

Së fundi, është mbajtur Parada e Krenarisë, dhe të cilën e mbështetën vetëm një grusht deputetësh dhe ministrash të pushtetit. 

Mbrojtja e familjes - nëse qëndron si argument i këtij grupi - mund ta ketë gëzuar edhe në lidhje me largimin e Sunny Hill nga Prishtina për në Tiranë. 

Shefqet Krasniqi

Në kohën kur shoqëria kosovare duket më e gatshme që të hapërojë para drejt vlerave më liberale, Vetëvendosje hapëron në anën e kundërt.

Seksi i njëjtë zbuloi një grup të madh deputetësh me qëndrime joliberale brenda grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Jo shumë kohë pas refuzimit për të votuar bashkëjetesat mes personave të seksit të njëjtë, shumë prej tyre nuk refuzuan të merrnin pjesë në një promovim librash nga hoxhë Shefqet Krasniqi, që tuboi personaltiete të seksit të njëjtë.

Visar Korenica, Gramos Agusholli, Eman Rrahmani, Alban Hyseni (kryetar i Gjilanit) ishin mes emrave që u panë në manifestim nga fotot e shpërndara. Madje disa prej tyre, edhe pritën në rend që të dilnin në fotografi me hoxhën në fjalë.

Tjera nga autori:
1