"Monako" e Ledrit, fyen inteligjencën dhe gjendjen ekonomike të popullit

05.06.2022 16:56

Të jetosh në një prej shteteve më të varfëra dhe të izoluara të Evropës, dhe të dëgjosh vazhdimisht artistë të imponuar që flasin për glamur e luks të botës së çudirave, përbën një përdhosje të jashtëzakonshme të dinjitetit. Dhe një rast tjetër të kësaj përdhosjeje na e sjell reperi i njohur, z. Ledri Vula.  

Klasa punëtore, që gjen përfaqësim te shumica e shoqërisë kosovare, duket se ka mbetur pa ndonjë subjekt mishërues në botën e muzikës, i cili përballet me probleme të natyrës së dikujt me të ardhura “sa për t’u bërë idare”. Gjithçka duket e investuar dhe e mbuluar nga luksi në klipin dhe këngën e re të Ledri Vulës, “Monaco”.

Po du me t'çu ty en (në) Monaco, Monaco

Po du me t’mlu ty en (në) Monaco, Monaco

Po du me t’puthë ty en (në) Monaco, Monaco

 E me jetu ti në Monaco, Monaco

Ky është refreni i z. Vula, i cili nuk do mend se ka një audiencë që mund të mishërohet me një udhëtim në Monako sa për t’u “puthur” e ndoshta edhe për të jetuar në Principatën luksoze. Në këtë vend, duhet ta keni ndërmend se do t’i shpenzoni “170 euro në ditë” nëse doni ta vizitoni, gjithnjë sipas të dhënave në internet.

Por, vështirë se paga mesatare në Kosovë prej 432 eurove do t’jua mbulonte këto shpenzime marramendëse, sidomos tash me rritjen alarmante të çmimeve të produkteve esenciale si vaji, mielli e vezët.

Nëse klasa punëtore përbën shumicën e popullësisë, atëherë kujt po i këndon Ledri? Për më tepër, si po arrin t’i grumbullojë mbi një milion klikime brenda tri ditëve nga një popull që nuk mund të mishërohet aspak me atë për të cilën ai flet?

Epo, diaspora e begatuar me të mira materiale duket të jetë audienca e vetme që sulmohet e për të cilën bëhet muzikë gjatë periudhave verore... normalisht, një qytetar i rëndomtë me 432 euro mesatarisht të ardhura mujore vështirë se mund ta përballojë të paguajë hyrje 40-50 euro gjatë verës për të dëgjuar një këngëtar në kllab (club) duke kënduar për gjëra me të cilat ai nuk ka të bëjë fare.

Në një klishe të pavdekshme, Ledri Vula vazhdon tutje të elaborojë rreth një vajze që dëshiron ta dërgojë në Monako, por gjithë narracioni zhvillohet pa përfshirë asnjë lloj aspekti social, duke e shndërruar në ëndërr të pakapshme për një qytetar të rëndomtë.

Për më tepër, klipi i tij i xhiruar në këtë vend luksi përfshin udhëtim me helikopter të reperit dhe “të dashurës së tij” mbi qytet, derisa kur janë në tokë, enden me një veturë jashtëzakonisht luksoze të tipit “Ferrari”, në të cilën një kosovar që shkon në punë e kthehet çdo ditë për të servuar ushqim mbi tavolinë, ka gjasa që jeton e vdes pa ia shijuar sediljen.

Derisa audienca shqipfolëse që nuk jeton në Kosovë vazhdon të jetë epiqendra e materialeve të artistëve tanë, populli që dëshiron të dëgjojë muzikë mishëruese, duhet të pajtohet me shuplakën e përjavshme që estrada ia dhuron me këngë rikujtuese se “nuk janë të mirë sa duhet” për të bërë jetë që përfshinë udhëtimet me helikopterë e Ferrari nëpër Monaco.

Për fund, të lexojmë (nëse dikush nga sikleti nuk mund ta lëshojë muzikën, gjë për të cilën i japim të drejtë) edhe një pjesë tjetër të kësaj kënge:

Se ti ma prishe planin,

Kur ma çove ti fustanin,

U ropt e bone namin,

Merre zemren po ta fali,

 

 

 

Tjera nga autori:
1