<b>Moti në Kosovë</b> po vret e shkatërron dashuri: Qytetari tregon ngjarje të pazakontë, eksperti alarmon për ndryshime

Moti në Kosovë po vret e shkatërron dashuri: Qytetari tregon ngjarje të pazakontë, eksperti alarmon për ndryshime

14.06.2022 18:01

Moti në Prishtinë, e edhe në mbarë Kosovën, ka qenë mjaft i luhatshëm duke kaluar sa në një të nxehtë përvëlues, në rrebeshe me shi e në erëra të ftohta. A po ndryshon përnjëmend moti në Kosovë, e me këtë edhe fjalori ynë për motin?

Një person humbi jetën nga erërat e forta, një tjetër u lëndua, një makinë u dëmtua jo shumë metra larg zyrës së Nacionales në Pejton të Prishtinës.

Dikush tjetër u bë qull e dikush madje ishte i detyruar të ndizte shporetin “Allfa” në pikë të qershorit.

Të diskutuarit serioz mbi motin

Moti tradicionalisht ka qenë epiqendër e “bisedave të vogla” në ndërveprime me persona të përditshmërisë shoqërore apo profesionale. Edhe me të tillë që nuk ke shumë të përbashkëta e nuk të lidhin shumë gjëra por jeni i detyruar në shenjë respekti të ndërroni ndonjë fjalë.

Fisniku tregon storien gati tragjike si diskutimi për motin ia shkatërroi lidhjen potenciale me “vajzën e ëndrrave” të tij.

Në një fundjavë kampingu në Batllavë, atij iu “servua në pjatë” mundësia të bënte lëvizjen e duhur me vajzën që kishte kohë që e pëlqente, por i kishte munguar guximi t’i fliste e të zgjaste dialog me të përtej “çka po bon, qysh je”.

Ai tregon se, derisa po qëndronin e gjithë shoqëria (përfshirë edhe vajzën që i pëlqente) mbi një varkë në Batllavë, në një pikë mbeti i vetëm me çikën në fjalë, për të marrë një vendim për të cilin do të pendohej rëndë.

“Mbetëm të dy mbi varkë dhe ishte thjesht skena më perfekte e mundshme t’ia shprehja pëlqimin apo të bëja ndonjë lëvizje, pasi ajo nuk e kishte idenë se ndjeja simpati për të”, thotë fillimisht Fisniku.

“Ishte natë dhe të dy qëndronim në varkën e lidhur për një druri në breg, me nga një birrë në dorë. Isha i shtangur dhe filloi të bëhej skenë e sikletshme pasi nuk dija për çka të flisja. Pas 3-4 minutave në heshtje, i thashë ‘po mushet Batllava, po mushet’. Pas pak momenteve, ajo u largua dhe më nuk folëm fare, as gjatë kampingut e as pasi u kthyem në Prishtinë. Kam mundur të reagoja më mirë në atë rast”.

Fisniku thotë se ditë më parë, para asaj nate kampingu mbi Batllavë kishte të reshura shiu, dhe se bisedë gjenerale në qytet ishte fakti se liqeni i Batllavës – i cili furnizon me ujë të pijshëm një pjesë të qytetit – kishte ngritur nivelin, për të ngazëllyer lokalët të cilët i frikësoheshin thatësisë.

Sidoqoftë, pavarësisht se biseda për të i shkatërroi Fisnikut “një mundësi” me “vajzën e ëndrrave”, moti mbetet pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë dhe një me të cilin duket se e kemi të vështirë të adaptohemi.

Nxehti i madh është temë diskutimi, të reshurat shndërrohen po ashtu në subjekt ndërveprimi verbal, të ftohtit gjithashtu. Pa marrë parasysh stinën, moti mbetet një fenomen që vazhdon të befasojë popullin, pavarësisht stinës e periudhës së vitit.

Madje, edhe ish presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e kishte bërë një koment epik në lidhje me motin duke thënë "Bota ka zënë të shkrihet, uroj të mos bëhet skllotë".

Ndryshim evident i motit

Rreth ndryshimeve klimatike ka folur meteorologu nga Instituti Hidrometeorologjik I Kosovës, Besim Aliu, i cili për Nacionalen, ka thënë:

“Ndryshimet klimatike janë evidente. Ato po shihen për çdo vit në vlerë numerike shumë të vogël, por në afatgjate janë të mëdha. Nëse e bëjmë krahasimin mes vitit të kaluar dhe këtij viti. Muaji prill kishte temperaturën mesatare mujore prej 7.0 gradë, ndërsa prilli i këtij viti kishte mesatare prej 9.8 gradëve. Nëse i referohemi edhe muajit maj, edhe këtu kemi ndryshime. Maji i vitit 2021 kishte temperaturën prej 16.2 gradëve, ndërsa maji i 2022-s, temperaturën mesatare e regjistroi prej 16.7 gradëve. Për çdo vit kemi anomali në ndryshim temperaturash. Ndryshimet janë evidente, jo vetëm te ne, por në gjithë globin”.

Si duhet të vishemi në këtë periudhë kur mëngjeset e netët janë të ftohta, e ditët e nxehta?

“Preferohet të kemi rroba të holla me ngjyrë të hapur, por jo të dalim në mëngjes me maica, për shkak se temperaturat në mëngjes po janë të ulëta dhe në raportin për ditët në vijim kemi ulje në temperaturat minimale, por që maksimalet do të jenë të larta. Do të jetë një ndryshim I temperaturave të mëngjesit bukur I madh, por që netët po fillojnë të jenë më të ftohta paksa se vitet e kaluara”, ka thënë Aliu.

Mesazhi: Veshni rroba me ngjyrë të hapur dhe evitoni shprehjet si “po mushet Batllava, po mushet” në takimet me ‘vajzat e ëndrrave’. Bëhuni më kreativë në të diskutuarit e ndryshimeve klimatike në vend.

Tjera nga autori:
1