<b>Murali në Ferizaj </b> që ‘paracaktoi’ fatin e kamarierëve kosovarë para pesë dekadash

Murali në Ferizaj që ‘paracaktoi’ fatin e kamarierëve kosovarë para pesë dekadash

10.05.2022 13:01

Kosova ka prodhuar kamarierë me bollëk viteve të fundit, për shkak të rritjes së industrisë së gastronomisë. Kërkesa për këta kamarierë ishte aq e madhe sa shumë prej tyre punonin madje edhe me diploma baçelor dhe master. Një simbol është bërë për ta qysh para pesë dekadash, e që si duket ka paracaktuar fatin e tyre.

Murali “Kamarieri” është murali i parë në qytetin e Ferizajt dhe shërben si pjesë simbolizuese e madje edhe identitare e kësaj komune. Sidoqoftë, gjërat që dihen për këtë mural janë të pakta, shumë të pakta. Dihet viti i përfundimit të tij, 1967-a, por nuk dihet me saktësi madje as autori.

Murali ndodhet mbi murin e hotelit “Lybeten”, i cili atëbotë ishte i vetmi në Ferizaj. Kanë qarkulluar llafe se autore ishte një artiste nga Maqedonia, por kohëve të fundit po përmendet se autor mund të jetë një artist nga Kosova.    

“Kemi nisë me kërku diçka më shumë rreth muralit dhe kemi dëgju fjalë se autor është Anton Gjoni, nga Zymi”, thotë Lebibe Topalli, artiste nga Ferizaj. 

Ajo ishte çuditur kur dëgjoi këto pretendime për herë të parë. Çudia iu rrit edhe më shumë me insistimin e bashkëfshatarëve të Gjonit, kur i thanë se në Zym krejt e dinë që Antoni është autori, bile banorët kishin thënë se shpesh kanë diskutuar për autorësinë e muralit dhe për Gjonin.     

Pavarësisht dilemave të autorësisë së muralit, që mbesin në stadin e hamendësimeve, për Topallin e rëndësishme është se “Kamarieri” vazhdon të jetë aty ku është vendosur për herë të parë, se po mirëmbahet kohë pas kohe, dhe tashmë është pa dilemë simbol i qytetit të saj.   

“Zyrtarisht kurrë s’e ka reprezentu qytetin, por e dimë se simbol i qytetit është ky mural, dhe asnjë [simbol] tjetër [i qytetit] s’mund të krahasohet me të”, thotë artistja nga Ferizaj.  

Ajo insiston se ky mural ka krijuar njëfarë lidhje të ferizajasve me muralet në përgjithësi. Dhe kjo mund të vërehet me reagimet e qytetarëve kur ngucet murali i “Kamarierit” – tash e disa vite ka tendenca të vazhdueshme nga bizneset që kanë blerë ish-hotelin “Lybeten” që ta mbulojnë muralin me reklama, apo postera të ndryshëm, tentime që kanë dështuar pas reagimeve të shumëkujt në Ferizaj, e ku kanë qenë të detyruara të përfshihen edhe institucionet shtetërore. 

Tradita e muraleve po vazhdon edhe sot e kësaj dite në Ferizaj. Nisur nga murali i famshëm i kamarierit, disa artistëve nga Ferizaj u kishte ardhur në mendje ideja për të themeluar një festival të muraleve – festival ky që sot po tenton të shtrihet në gjithë Kosovën.   

***

Për shtatë ditë, në shtatë hapësira, do të realizohen shtatë murale në Ferizaj. Tashmë ka nisur puna e artistëve në realizimin e muraleve. Festivali MuralFest Kosova sivjet për temë ka zgjedhur “Je dhe s’je”, apo “On(Off)Line”, dhe ku festivali po shënon edicionin e shtatë sivjet.   

“Të jesh, por të mos jesh. Të mbijetosh, por të mos jetosh, shfaq paradoksin shoqëror: të jesh pjesë e komunitetit, por jo i pranuar”, thotë Lebibe Topalli, drejtoreshë e festivalit të muraleve.   

Përgjatë shtatë ditëve do të realizohen shtatë murale, ku do të jenë të përfshirë edhe artistë me renome ndërkombëtare. 

Artisti Gabriel Pitcher do të kujdeset që së bashku me artistë e pjesëmarrës të punëtorisë të përzgjedhin një hapësirë në lagjen Sallahane në Ferizaj, ku do realizojnë një mural. 

Kjo lagje është përzgjedhur nga organizatorët pasi lagjja kryesisht jetohet me pjesëtarë të komunitetit ashkali që vazhdojnë të përballen me diskriminim racor, e të jenë të përjashtuar nga qasja në të mirat publike. 

Ndërsa artisti Adrián Mateo-Dridali do të realizojë një mural ku do paraqitet portreti i një fëmije autist dhe që vjen nga Ferizaj. Këtij murali i ka paraprirë një ekspozitë e realizur nga fëmijë të regjionit të Ferizajt mes moshës 11 deri në 17 vjeçarë, dhe që për temë kanë pasur bullizmin, ekspozitë e mbajtur në ambientet e nënkalimit të qytetit. 

“On(Off)Line paralelisht shpalos edhe të gjitha sfidat e tendencës për të qëndruar i qasur (online) përderisa shoqëria është shkyçur (offline). Përmes këtij edicioni targetohet hamendësia kolektive e krijuar viteve të fundit, si dhe disproporcionimi midis asaj që ligjërohet dhe asaj që praktikohet”, thotë Topalli.  

Sivjet organizatorët, të shtyrë edhe nga tema e festivalit, kanë vendosur që paraqitjet ‘onllajn’ t’i ndërpresin. 

“Ju mirëpresim jashtë, në rrugët e qytetit të Ferizajt, të përjetojmë së bashku gjallërinë e jetës së vërtetë që po ndodh prapa mureve e fasadës së ekraneve dhe telefonave mobilë”, thuhet në qëndrimin e MuralFest të këtij viti.

Murali i kamarierit është i gjatë afërsisht tri kate banesash. Trajtimi i tij, a mund të jetë paracaktim i fatit për ata që simbolizon: kamarierët? 

Tjera nga autori:
1